Histori

Katër profetë / Nga Moisiu, “monoteisti i parë”, tek Muhamedi, “i thirruri”

screen-shot-2016-10-23-at-7-17-57-pm

Besimet më të përhapura janë besimet e zbuluar, ose “të treguara” direkt nga Zoti tek njerëzit, përmes një të përzgjedhuri ose një të dërguari. Me detyrën për të përhapur fjalën hyjnore. Ja, kush ishin në të vërtetë 4 Profetët, Moisiu, Muhamedi, Buda, Jezu Krishti. Historianët vënë pikat mbi “i”.

Moisiu, i pari monoteist

Një mijë e dyqind vite para epokës kristiane, populli i Izraelit numëronte disa mijëra njerëz, të gjithë të katandisur në skllevër nga Egjiptianët. Në këtë kontekst, një “i gjetur” me emrin Moisi, i destinuar të bëhej simboli i zgjedhjes monoteiste të popullit hebre, u edukua në oborr nga bija e Faraonit.
Por a ishte vërtetë kështu? Duke lënë mënjanë Biblën, në fakt nuk ekzistojnë burime mbi jetën e tij. Sipas egjiptologut gjerman, Jan Assmann, Moisiu mund të ketë përqafuar besimin “monoteist” të Faraonit Ekhnaton, i cili u eliminua nga priftërinjtë egjiptianë. Moisiu do të kishte qënë kështu përfaqësuesi i një lëvizje fetare të ngritur në Egjipt, i kundërshtuar nga pushteti dhe më pas i emigruar në kërkim të një toke të tijën.

UDHËZUES

Sipas Biblës, nga ana tjetër, Moisiu ishte Hebre. Ai pa një egjiptian që po keqtrajtonte një hebre dhe e vrau. Më pas, u arratis në shkretëtirë. Atje Zoti iu shfaq në një shkurre të flakëruar, duke i thënë: “Unë jam Ai që është” (pohim i ngjashëm me atë të shkruar mbi piramidën e Sais: “Unë jam gjithçka që egziston”) dhe i besoi atij misionin për ta ndihmuar popullin hebre të dilte nga Egjipti. U deshën të pllakosnin dhjetë fatkeqësi, që Faraoni të pranonte kërkesat e tij për liri. Për 40 vjet Moisiu e udhëhoqi popullin e tij drejt Tokës së premtuar, duke marrë nga Zoti tabletat e Urdhëresave dhe 613 parimet e mbledhura në Tora (Tevrat). Sipas historianit gjerman ëerner Schmidt, Moisiu ka ekzistuar patjetër, por nuk mund të ketë bërë gjithçka që i atriubohet, e që është frut i një procesi të gjatë kulturor.

MUHAMEDI, “I THIRRURI”
Pesë shekuj pas lindjes së Krishtit, në Mekë, në Arabi, nderoheshin 300 hyjni dhe besohej në ekzistencën e qënieve të padukshme, si xhindët. Hyjnitë ishin shoqërizuar me një Zot më të lartë, krijues të botës: Allah-un. Pikërisht këtu lindi Muhamedi.
I përkiste njërit prej fiseve arabe më të pasura, fisit Kurejsh. Midis anëtarëve të këtij komuniteti, ashtu si ndër fiset e tjera të beduinëve, kishte solidaritet të madh, por edhe një vendosmëri të fortë për të luftuar, për interesa ekonomike, fiset rivale. I mbetur jetim, Muhamedi ishte rritur nga klani dhe u bë tregtar. Një natë iu shfaq kryeëngjëlli Gabriel, i cili i zbuloi se Allahu është i vetmi Zot e që pikërisht ai, Muhamedi, do të ishte një Profet i Tij. Shoqja e tij, e vetmja grua e një martese të lumtur, e ftoi të mos i largohej misionit.

BURIMET
Figura e Profetit është e mirë njohur për historianët, qoftë sepse për të flasin shkrimtarë të ndryshëm të kohës, qoftë sepse edhe Kur’ani ishte shkruar pak vite pas vdekjes së tij. Kështu që myslimanët “mburren” se kanë një burim më të saktë se sa hebrenjtë dhe të krishterët.
Allahu, përmes gojës së Muhamedit flet për jetën pas vdekjes për ata që besojnë; kritikon të pasurit, i inkurajon për të dhënë lëmoshë; projekton forma të solidaritetit që linin mënjanë interesat e klanit e të tribuve; predikon barazinë e vëllazërinë. Mesazhi i Profetit tërhoqi zemërimin e fiseve, duke përfshirë edhe të tijin. Duke e detyruar të largohet për në Medinë, ku i rezistoi një rrethimi. Pas tetë vitesh, ai ia doli të kthehej në Mekë.

Buda, “lamtumirë” vetvetes

Katër shekuj përpara Krishtit, në shoqërinë indiane të dominuar nga brahmaneizmi (nga brahman, fuqia supreme e universit), ishte i shpeshtë fenomeni i të “shkëputurve”: persona që i dedikoheshin jetës askete. Princi Siddharta Gautama, që më pas do të thirrej Buddha (“i zgjuari”), u bë njëri prej tyre. Tradita tregon që Siddharta mbeti i prekur kur, duke dalë nga pallati për të parën herë, kur ishte 29 vjeç, kuptoi që ekzistonte pleqëria, sëmundja dhe vdekja. Filloi të endej në fusha dhe takoi një lypës (mishërimi i Brahma-s), që i sugjeroi të hiqte dorë nga kotësia e jetës, për të mundur vuajtjen.

Sidharta e la pallatin, pasuritë, gruan dhe djalin. Jetoi gjashtë vjetë midis asketëve, në varfëri. Kur meditimet e agjërimet rraskapitëse e katandisën në prag të vdekjes, kuptoi padobishmërinë e privimeve dhe u kthye në botë. U përball me demonin Mara dhe gjeti katër të vërtetat: vuajtja është universale, ka një origjinë, mund të ndërpritet, ekzistojnë mjetet për ta mundur duke u çliruar nga “vetja” (që është egoja dhe ngjitja pas gjërave).
PERFEKSIONI

Për të arritur qëllimin zhvillohen gjashtë perfeksionet: etika, bujaria, durimi, sforcimi entuziast, përqëndrimi dhe zgjuarsia. Dhe konkludon që duhet punë për fqinjin, duhet të jesh shembull altruizmi, duke përhapur etikën dhe doktrinën.

Jezusi, shëruesi

Dymijë vite të shkuara, Palestina ishte nën kontrollin e romakëve. Ishte teatër revoltash dhe të shumtë ishin predikuesit. Në një klimë aspiratash për liri, arriti Krishti (“Unto”, në greqisht). Për Jezusin e Nazaretit flet Testamenti i Ri, por të dhënat historike mbi jetën e Tij janë të pakta. Burime jo kristiane (Taciti dhe Svetoni) aluduan për Jezusin, duke e quajtur kreu i një grupi të quajtur “crestiani”, subjekt i torturave nën Tiberin. Pak më shumë flet për të historiani hebre, Flavio Giuseppe, i cili shkruan për veprat e Jezusit dhe për ringjalljen e Tij. Studimi tërësor i Biblave, të shkruara prej 40 deri 70 vite pas vdekjes së Tij, ka lejuar gjithësesi të pikasen disa bërthama të së vërtetës historike. Eshtë vendosur, për shembull, që Jezusi lindi midis vitit 7 e 4 para Krishtit.

Pak dihet për fëmijërinë e Tij. Ishte person me një kulturë të mirë, fliste aramaishten dhe hebraishten dhe pothuaj në moshën 12 vjeç, ishte në gjendje të krahasohej me doktorët në fenë e Tempullit. Në moshën 30 vjeç u pagëzua nga Gjon Pagëzori, i konsideruar mësuesi i tij. Por lëvizja e Jezusit ndoshta nuk kishte shumë ndjekës: E dimë që Herod Antipa (i cili kishte vrarë Pagëzorin) nuk u alarmua shumë prej tyre.

NË KRYQ

Sipas disa historianëve kishte një vëlla, Giacomo-n. Për sa i përket mrekullive nuk ishin ekskluzive të tijat, i bënin edhe krerë të tjerë fetarë të së njëjtës epokë. Episodi i ndjekjes së tregtarëve nga Tempulli i Jeruzalemit, sidoqoftë, është konsideruar se ka ndodhur realisht. Ishte akti që i kushtoi Jezusit kryqëzimin. / Focus – www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button