HistoriLetersi

Pellazgo-ilirët në shkrimet e Homerit

Screen Shot 2015-07-25 at 18.05.49MSc. Eraldo MEÇALLA

Homeri njihet në mbarë botën si poeti epik legjendar i Greqisë antike, i nderuar si poeti me ndikimin më të madhë në historinë e letërsisë botërore. Saktësisht nuk është e njohur kur ai ka jetuar, por në bazë të studimeve të kryera mendohet të këtë jetuar në shekullin 8 p.e.r, ai është autori i dy veprave legjendare poemave “ILIADA” dhe “ODISEA”, poema të nivelit botëror. Është e rëndësishme të theksohet fakti se të dhënat që rrjedhin nga poemat e Homerit kanë shërbyer dhe vazhdojnë të shërbejnë si burime historike për njohjen e historisë së Greqisë antike. Në të njëjtën kohë është vërtetuar arkeologjikisht se poemat e tij përkundrejt fantazisë poetike, pasqyrojnë në mënyrë konkrete ngjarje të vërteta historike, që kanë ndodhur shumë më parë se të krijoheshin poemat dhe mendohet se këto ngjarje kanë ndodhur në shekullin 8-7 p.e.s. Fakti më kruçial është se në veprat e Homerit gjejmë edhe disa të dhëna që kanë të bëjnë me historinë e Ilirisë dhe Ilirëve. Kjo duket qartë kur për herë të parë Pellazgët permënden në “Iliad” si aleatë të trojanëve. Homeri i vendos Pellazgët në Azi të Vogël në “Lorisën Pjellore”, në Argon Pellazgjike në Dodonë dhe Kretë, ai e quan Zeusin e Dodonës si Pellazgjike. Homeri në librin XXI “Iliada” në rradhët 150-161 permënd për herë të parë “Paionët” si aleatë të trojanëve kundër “Akejve”, ai shkruan:

“Kush je ti prej burrave që kundër meje guxon të vish ?

Është fatkeqë ai djalë që mërinë time kundërshton”. 

Atij menjëherë iu përgjigj i biri i shkëlqyer i Pelegonit.

“O Peleid zemërgjërë, për fisin tim pse pyet ?

Jam nga Paionia pjellore dhe e largët, burrave heshtëgjatë ju prij.

Kam njëmbëdhjetë ditë që kam ardhur në Ilion.

Fisi im vjen prej Aksit me rrjedhë të gjërë,

(prej Aksit që me ujë shumë të mirë tokën vëshon).

Që lindi Pelegonin, shtizarin e përmendur prej këtij thonë.

Se linda unë, tashi të luftojmë o Akil i ndritur”.

Ndërsa në të njëjtën mënyrë por në librin XIX “Odisea”, në rradhët 270-277 për herë të parë permënd “Thesprotët” ku ai flet për toka pjellore të thespotëve nga të cilat Odisei sillte thesore të çmuara të arit, bakrit dhe hekurit në të cilën shkruan:

“Unë tani mora vesh kthimin e Odiseut;

Diku, në tokat pjellore të thespotëve

Jeton dhe sjellë thesare të shumta dhe të çmueshme

Kështu më tha mbreti i thespotëve

I cili pasi u bëri fli perëndive të pavdekshem

Kishte përgatitur një anije të shpejtë

Dhe bashkë me njerëz e kishte nisur

për të çuar Odiseun në atdheun e tij”.

Interesant është fakti që Homeri e quan malin në qytetin e Tebës si Plako Ypoplakia, pikërisht disa studiues e lidhin Tebën me Egjiptin, por kjo nuk ka mundësi pasi qyteti ka pasur emrin Tebë. Por nga ana tjetër në gjenealogjinë antike, Teba është e bija e Pellazgut, Adromisë, Teba që sot quhet Thiva flet aktualisht një Shqipe të pastër që tebanët e kanë ruajtur nga gjuha pellazge. Një moment tjetër i rëndësishëm është kur Homeri quan eubeasit si me origjinë nga Trakia, pikërisht pas Luftës së Trojës një pjesë e eubeasve pra Amantët u zhvendosën në Iliri dhe u quajtën si fisi Ilir me kryeqëndër Bylisin.

Homeri, permënd edhe disa fise të tjera Ilire si Dardanët, Taulantët, Enkelejdët të cilët luftuan kundër Akejve në Luftën e Trojës si aleatë të mbretit Prianit dhe Hektorit në mbrojtjen e Trojës, pikërisht citohen fise Ilire të cilat janë mjaft të dëgjuara përgjatë historisë dhe të përmendura nga shumë studiues dhe autorë të tjerë. Sipas Homerit, Athinën e kanë banuar fise Iliro-Pellazge të Molosëve, Thesprotëve, Dardanëve.

Në këto burime të hershme të shkruara siç është eposi Homerik, shihet qartë se në disa nga fiset Ilire ekzistonte tanimë diferencimi shoqëror, të paktën në shekujt VIII-VII p.e.r, kur u krijua Iliada dhe Odisea. Duke folur për pjesëmarrjen e Ilirëve Paionë në luftën e Trojës kundër Akejve, Homeri i barazon prijësit e tyre ushtarakë, që vinin nga “Paionia Pjellore” me prijësit e Ahejve dhe të Trojanëve, kjo pak a shumë flet për një gjëndje sociale të ngjashme me atë të fiseve fqinje të Greqisë.

Në një vend të poemës “Odisea” flitet për Feidonin, prijësin me origjinë fisnike të Thesprotëve, i cili pasi strehoi dhe mirëpriti në pallatin e vet Odisenë, gjatë kthimit për në atdhe përgatiti një nga anijet e tij të shpejta për ti dërguar në Itake. Sipas këtij tregimi mitik, Feidoni përfaqëson këtu njerin nga krerët që jetonte në një nga pallatet më të pasura të Thesprotëve, që kishin anijen e vetë e njerëz që i shërbenin.

Me fjalën Epir autorët grekë nënkuptonin në fillim çdo vend kontinental përballë ishujve, në këtë kuptim Homeri e quan Akarnanine Epir, quan edhe brigjet përkundrejt tyre banorët e ishujve të Jonit, duke u nisur nga pozita e vet ishullore. Një karakteristik të veçantë që bën lidhjen e Pellazgëve, Ilirëve dhe Shqiptarëve është mënyra se si tek Homeri skena e vendetës dhe mbledhja e kuvendit të pleqve për të vendosur për pagimin e gjakut i cili në kohën e Homerit edhe blihej është i njëjti me atë të Shqiptarëve sot në disa zona të Veriut ku gjaku edhe blihet, këtë e ka vënë në dukje Nikolla Hamond, kjo tregon se ata kanë pasur zakone si të Ilirëve të cilat janë ruajtur në Shqipëri në disa zona të thella malore të cilat dallohen për ruajtjen e traditave prehistorike.

Homeri bën edhe një arsyetim tepër logjik, që e quan Menelan leshverdhë dhe ake, në këtë sens nëse akei do ishin jashtë botës pellazgo-ilire dhe me origjinë aziatiko-afrikane, sigurisht që nuk ka sesi të ishte Menelau me flokë të verdha kjo do të ishte e pamundur. Poeti epik legjendar Homeri është guri themelor për të kuptuar dhe studiuar historinë e paraardhësve të Shqiptarëve pra Ilirëve dhe Pellazgëve dhe një ndihmë e shtuar për studimet albanologjike.

* Master i Shkencave në Marrëdhënie Ndërkombëtare 

Leave a Reply

Back to top button