
Historia ndoshta do ta kujtojë ironinë therëse që atentati i tretë (ose i katërt, apo ndoshta i pestë) kundër Donald Trumpit ndodhi në fund të një muaji, kur u rikthye teoria konspirative sipas së cilës përpjekja më e rëndë për ta vrarë, ishte një inskenim i organizuar nga vetë presidenti dhe aleatët e tij. Bëhet fjalë për atë që ndodhi në korrik 2024, kur Thomas Crooks qëlloi ndaj Trumpit në Butler, Pensilvani. Ata që janë të njohur me mjediset konspirative i dinë detajet: veshi i Trumpit, i goditur nga një plumb sipas versionit zyrtar, që duket sikur është “rigjeneruar” në mënyrë të mistershme; apo vinçi që u shfaq “si me magji” për të ngritur një flamur të madh, pikërisht në kohë për realizimin e fotografisë së famshme me mbishkrimin “fight!”.
Këto teori qarkullojnë jo vetëm në të majtë, por edhe mes figurave të djathta që janë distancuar nga Trumpi, si gazetari Tucker Carlson dhe Joe Kent (i cili së fundmi dha dorëheqjen nga posti i drejtorit të Qendrës Kombëtare Kundërterrorëz, duke kundërshtuar vendimin e Trumpit për të sulmuar Iranin). Teoritë konspirative për ngjarjet e Butlerit dolën në pah vetëm pak orë pas atentatit, por kanë fituar terren në disa qarqe të së djathtës vetëm në javët e fundit.
Prandaj, në një klimë politike të mbushur me dyshime, nuk habisin skepticizmat që qarkullojnë edhe për atë që ndodhi më 25 prill gjatë darkës së korrespondentëve të akredituar në Shtëpinë e Bardhë, në një hotel në Uashington, ku një burrë i armatosur u përpoq të hynte në sallën plot me politikanë, përfshirë Trumpin. Dyshimet janë shprehur kryesisht nga e majta, por edhe shumë figura të së djathtës duken pak të bindura.
Fiksimi (edhe i Donald Trumpit) me Clintonin
Të gjitha këto teori duken qesharake.
Në Shtetet e Bashkuara ka ekzistuar gjithmonë konspiracionizmi rreth atentateve ndaj presidentëve, sidomos atyre që kanë pasur sukses. John Wilkes Booth, njeriu që vrau Abraham Lincolnin në vitin 1865, ishte pjesë e një grupi të vogël komplotistësh; por ka pasur edhe nga ata që pretendonin se ekzistonte një rrjet më i gjerë i lindur në Konfederatën jugore. Ka qenë gjithmonë kështu dhe gjithmonë do të jetë: për disa njerëz, shpjegimet normale dhe faktike për ngjarje dramatike nuk janë kurrë të mjaftueshme.
Por sot gjërat duken më keq. A është vërtet kështu? Ndoshta po. Nëse flasim për numrin e teorive konspirative, vështirë se mund të tejkalohet vrasja e John F. Kennedy-t. Dallimi është se, krahasuar me sot, ato teori nuk kishin një ngarkesë kaq të fortë ideologjike. Askush nuk i përdorte për përfitim politik. Qëllimi ishte t’i jepej kuptim misterit.
Sot ato shërbejnë pothuajse vetëm për një gjë: qoftë në përplasjet mes kundërshtarëve ideologjikë, qoftë në betejat e brendshme mes fraksioneve, synimi është gjithmonë promovimi i një kauze të caktuar.
Të dyja palët kanë marrë pjesë në këtë lojë. Pas sulmeve të 11 shtatorit 2001, në disa qarqe të së majtës u fol për “punë të brendshme”, për një operacion të Mossad-it, apo për dijeninë e presidentit George W. Bush. Në vitin 2004, disa besuan se zgjedhjet presidenciale ishin manipuluar (vlen të kujtohet se ndër mbështetësit kryesorë të kësaj teorie ishte Robert F. Kennedy Jr., idetë e të cilit sot po dëmtojnë shëndetin publik).
Por nëse do të kërkonim një fajtor për rrëshqitjen e kulturës amerikane në këtë kënetë konspirative, duhet të shikonim diku tjetër. Duke filluar nga figura që vetëquhen të krishtera si Jerry Falwell, i cili në vitin 1994 kontribuoi në realizimin e dokumentarit The Clinton Chronicles, i bazuar në teori konspirative mbi Bill Clintonin, përfshirë pretendimin se ish-presidenti kishte urdhëruar vrasjen e personave që donin të zbulonin një operacion sekret trafiku droge.
Konspiracionizmi mbi Clintonin u shndërrua në industri, e ushqyer kryesisht nga një grup fanatikësh reaksionarë dhe të pandershëm nga Arkansasi, të zemëruar sepse Clintoni nuk i kishte përzgjedhur (me të drejtë) për poste që nuk i meritonin.
Më pas erdhi radha e Barack Obamës. Teoria më e famshme pretendonte se çertifikata e tij e lindjes ishte e rreme, por kishte edhe më absurde: si ajo për një marrëdhënie homoseksuale të shoqëruar me përdorim kokaine, apo pretendimi se ai donte të shkatërronte Shtetet e Bashkuara nga brenda, teori të përhapura nga propagandisti Dinesh D’Souza.
Kishte edhe një person tjetër që dallohej në përhapjen e këtyre teorive për Obamën. Si quhej? Ah, po: Donald Trump.
Ai thoshte se do të publikonte prova që Obama kishte lindur në Kenia. Çuditërisht, nuk e bëri kurrë. Por gjeti kohë ta akuzonte Obamën se e kishte përgjuar gjatë fushatës së tij të parë, “krimi më i madh politik në historinë amerikane”. Dhe lista mund të vazhdojë pafund. Natyrisht, ka edhe teori të tjera që lidhen me Trumpin, që nuk kanë të bëjnë me Obamën: “shteti i thellë”, “zgjedhjet e manipuluara”, fantazitë për djalin e Joe Bidenit, e kështu me radhë.
Pak solidaritet
Ka edhe një ndryshim tjetër të rëndësishëm. Është e vërtetë që teoritë konspirative ekzistojnë edhe në të majtë, por në përgjithësi mediat progresiste dhe ato kryesore nuk u japin shumë hapësirë, përveç rasteve kur ka prova, dhe politikanët demokratë zakonisht nuk i përsërisin. Në të djathtë, shumë media promovojnë vazhdimisht fantazi të ndryshme, dhe politikanët republikanë i përsërisin pa u shqetësuar për verifikimin. Mjafton të pyesni haitianët e Springfield, në Ohio, të akuzuar nga Trumpi dhe e djathta se hanë kafshë shtëpiake.
Sigurisht, shumica e amerikanëve e vlerësojnë faktin që presidenti nuk është vrarë. Pavarësisht mendimit për të, vdekja e tij do të ishte një traumë për të gjithë vendin. Në të njëjtën kohë, Trumpi nuk mund të presë një valë solidariteti nga një opinion publik që nuk e miraton mënyrën e tij të qeverisjes (55 për qind e të anketuarve në një sondazh të Fox News e konsiderojnë të papërshtatshëm mendërisht për detyrën). Trumpi po vazhdon një luftë që nuk i pëlqen askujt, vazhdon të ndërtojë qendra të mëdha ndalimi dhe tregon paaftësi në menaxhimin e ekonomisë dhe në frenimin e rritjes së çmimit të karburantit.
Veprimet e Cole Tomas Allen, njeriu që u përpoq të hynte i armatosur në hotelin Hilton të Uashingtonit më 25 prill, nuk kanë ndryshuar asgjë nga kjo. / The New Republic – Bota.al