Lufta moderne me dronë, ose vrasje me “videolojëra”

dronë

GABRIELE SEGRE

Xhiro e re, i njëjti karusel i çmendur.

Përshkallëzim mes Hezbollahut dhe Izraelit. Përsëri. Bejruti dhe Galilea bombardohen. Përsëri. Irani sulmon Izraelin dhe Izraeli kundërpërgjigjet, ndërsa Trump nuk di më nga t’ia mbajë për të mos u përthithur nga rërat lëvizëse të Lindjes së Mesme. Përsëri. Të gjithë të angazhuar të mos humbasin asnjë rrotullim të karuselit, në përpjekjen e dëshpëruar për të treguar se janë ende gjallë dhe në komandë.

Për të kuptuar diçka, duhet përmbysur këndvështrimi. Duhet të ndalojmë së ndjekuri deklaratat zyrtare, samitet diplomatike dhe hartat strategjike të animuara në televizion, dhe të fillojmë të dëgjojmë zhurmat e sfondit. Madje më saktë: ato gumëzhimat, metalike, të holla dhe në dukje të parëndësishme, që në të vërtetë janë një nga çelësat më të fuqishëm për të kuptuar botën që po shpërthen rreth nesh.

Është tingulli i luftës bashkëkohore: asaj të dronëve, të luftuar mijëra kilometra larg nga salla operative me ajër të kondicionuar, që ngjajnë më shumë me një open space në Cupertino, sesa me frontin lindor të vitit 1944. Një luftë komode, e rregullt, pothuajse natyrale. E kollajtë.

Dhe të mendosh se për mijëra vjet, vrasja e armikut ka qenë një punë tmerrësisht e rëndë. Para së gjithash fizikisht. Kërkonte të ishe aq afër tij sa të ndjeje erën e gjakut, djersës dhe frikës. Duhej ta shikoje në sy ndërsa vdiste.

Jo rastësisht, çdo qytetërim ka qenë i detyruar të shpikë një arsenal psikologjik për ta bërë këtë të durueshme: rituale, droga, liturgji ushtarake, kode nderi, epope heroike, parajsa të përtejme dhe narrativa gjigante kolektive. Gjithçka për të bindur qeniet njerëzore të bëjnë gjënë më të panatyrshme që ekziston: të masakrojnë qenie të tjera njerëzore.

Problemi i lashtë i luftës ka qenë gjithmonë prirja bezdisëse e species sonë për të vuajtur përballë vuajtjes së tjetrit. Një defekt prodhimi që ende nuk është korrigjuar plotësisht.

Për fat, teknologjia ka punuar me zell për ta zgjidhur këtë “problem”. Fillimisht pushka, që lejonte të vrisje pa u mbuluar me gjakun e armikut. Më pas artileria, tepër e rehatshme për ta bërë copë-copë tjetrin pa i dalluar as fytyrën. Edhe më mirë bombarduesit, perfektë për të rrafshuar qytete të tëra nga ajri, pa dëgjuar as ulërimat e tyre.

Por droni përfaqëson hapin përfundimtar: nuk largohet më vetëm trupi nga lufta, por i gjithë perceptimi i saj. Ai e shndërron luftën në një ndërfaqe. Në një lojë elektronike me shumë lojtarë.

Lufta me dronë, si videolojërat

Ja ku janë luftëtarët e rinj: shtatëmbëdhjetëvjeçarë me bluzë sportive, me pije energjike pranë dorës dhe lista Spotify në kufje. Shikojnë një ekran. Lëvizin një levë. Drejtojnë dronë FPV që fluturojnë si grerëza të çmendura. Kërkojnë objektivin, e gjejnë.

Game over.

Sapo kanë bërë luftë nga dhoma e tyre, si në një videolojë, me të vetmin ndryshim se këtu objektivat nuk rigjenerohen në ndeshjen pasuese.

Ushtritë ukrainase dhe ruse rekrutojnë hapur gamerë dhe adoleshentë të rritur me simulatorë dhe lojëra konkurruese. “Nëse kanë përvojë me PlayStation, është një avantazh i madh.”

Të stërvitur për vite të tëra në botë virtuale pa e kuptuar fare. Edhe kështu lufta pushon së dukuri si një ngjarje e jashtëzakonshme dhe monstruoze, dhe bëhet e menaxhueshme, familjare, e përditshme. Pa gjak mbi trup. Pa baltë në çizme.

Luftëtari 4.0 kthehet në shtëpi në mbrëmje, porosit sushi dhe ndez Netflix-in.

Kjo është një strategji që nuk ndryshon vetëm natyrën e luftimit: ndryshon edhe perceptimin e tij. Në fund të fundit, çfarë mund të bëjë një dron i vogël? Është shumë i lehtë, shumë pak madhështor për të ndryshuar rrjedhën e historisë.

Dhe pikërisht kështu përshkallëzimi rritet: tufë pas tufe, mikro-sulm pas mikro-sulmi, derisa ajo që është e kollajtë, bëhet e pakthyeshme.

Ka nga ata që kundërshtojnë, me të drejtë, se gjërat nuk janë kaq të thjeshta, se edhe pilotët e dronëve vuajnë nga stresi post-traumatik. E vërtetë. Por teknologjia po gjen tashmë zgjidhjen: po vijnë dronët e parë autonomë të drejtuar nga inteligjenca artificiale, të aftë të zgjedhin vetë objektivin dhe të godasin pa ndërhyrje njerëzore.

Zhduket xhelati i traumatizuar. Mbetet masakra.

Ky është tipari themelor i “lehtësisë” së luftërave moderne: funksionon vetëm në një drejtim. Nëse ai që godet e jeton konfliktin si një përvojë gjithnjë e më të ndërmjetësuar, të largët dhe të sterilizuar, ai që e pëson vazhdon ta përjetojë në mish të gjallë, njësoj si gjithmonë.

Mjafton të dëgjosh historitë e civilëve ukrainas, rusë, gazanë, izraelitë apo libanezë. Ajo gumëzhimë hyn në ëndrra dhe e shndërron qiellin në një kërcënim të përhershëm.

Me kosto të ulët, i menjëhershëm dhe lehtësisht i riprodhueshëm, droni është pasqyra e përsosur e epokës sonë. Dhe si çdo armë para tij, ai po arrin të na japë iluzionin se dhuna mund të bëhet e qëndrueshme, se mund të praktikohet pa pasoja, të paktën për ata që e ushtrojnë.

Por është vetëm një iluzion. Për ata që e përjetojnë nga ana tjetër, lufta mbetet po aq reale, po aq brutale dhe po aq tragjike sa ka qenë gjithmonë. / La Stampa- Bota.al

Back to top button