
Çfarë lindi si një vëmendje ndaj ushqimit u kthye ne lëvizje globale në mbrojtje te kënaqësisë në të ngrënë, territorit e te dinjitetit të prodhuesit.
Rreth një javë më parë u nda nga jeta ne moshën 76 vjeçare, Carlo Petrini, gazetar, gastronom e aktivist i vendosur, i njohur botërisht, që prej dekadash mbështeti prodhimin e ushqimeve të shëndetshme dhe gatimeve tradicionale, për ta thënë thjeshtë. Në rini komunist, e më tej mik me Mbretin Karl i Tretë, me Atin e Shenjtë, Papa Francesco, si edhe me shumë gastronomë me famë botërore të cilët edhe i promovoi. Një ‘’reçel’- thënë me shumë dashmirësi- shumë i pazakontë.
Kush nuk ka dëgjuar për të, ndoshta ka dëgjuar Per ‘’Slow Food’’, lëvizjen me famë ndëkombëtare, me simbol kërmillin, që ai vetë themeloi ne nivel global në vitin 1989. Apo për Gambero Rosso një nga zërat më autoritare në sektorin e food & ëine, që u themelua në vitin 1986 si një insert enogastronomik për gazetën e përditshme ‘’Il Manifesto’’. Artikulli hapës, i numrit të parë, mbante firmën e Petrinit. Petrini ishte edhe një nga krijuesit e udhëzuesit Vini d’ Italia.
E nëse dikush nuk ka dëgjuar as për këto, ndoshta thjesht mund të gjejë interesante disa nga thëniet e tij, që e nxisin ndonjë reflektim.
“Një gastronom që nuk është ambientalist është budalla, por një ambientalist që nuk është gastronom është i trishtë.”
“Ka njerëz të pasur që hanë gjëra të mira të bëra nga fermerë të varfër. Dhe ka njerëz të varfër që hanë gjëra të këqija të bëra nga fermerë të pasur.”
‘’Kush mbjell utopi, korr realitet’’
Shumë origjinale po ashtu edhe batuta kurajoze gatë viteve 70: ‘’Në festat e partisë haet keq’’. Se tek e fundit, nuk kishte asnjë kontradiktë midis pasionit politik dhe të drejtës për kënaqësi.
Ashtu siç shkruhej nga dikush këto ditë, kur shkrimet për largimin e tij ishin të shumta, ndoshta trashëgimia e tij më e madhe është pikërisht ‘’të na ketë mësuar’’ se të ngrënit nuk është një gjest banal, por një akt kulturor dhe politik.
E siç vëren dikush tjetër; ‘’Ai e bëri një botë të ashpër, shpesh dyshuese ndaj kënaqësisë, të kuptonte se natyra, bujqësia, konsumi dhe cilësia e jetës nuk ishin çështje pak ‘’më të vogla’’, por zemra e një ideje të re lidhur me shoqërinë’’.