
Nga Gideon Levy
Më 22 prill, Izraeli festoi 78-vjetorin e pavarësisë së tij. Sigurisht që nuk ishte më i miri në historinë e një vendi që tashmë nuk është më i ri.
Kur isha fëmijë, dita e pavarësisë ishte një moment krenarie dhe gëzimi për të gjithë izraelitët e rinj si unë. Kishin kaluar vetëm pak vite nga Holokausti dhe nga themelimi i shtetit hebre, dhe ne ishim fëmijët e brezit të parë të banorëve të tij. E kujtoj babanë tim teksa nxirrte nga sirtari flamurin e palosur dhe e ngrinte në ballkonin e apartamentit tonë. Të gjithë ballkonet përreth kishin flamurin e tyre, përveç atij të familjes Lebel, sepse ata ishin ultra-ortodoksë dhe nuk e nderonin shtetin sionist.
Unë ndieja për babanë, të njëjtën krenari që ndieja për flamurin.
Në ato vite nuk dinim asgjë për Nakbën, “katastrofën”, kur qindra mijëra palestinezë u detyruan të linin shtëpitë e tyre pas lindjes së Izraelit në vitin 1948. Askush nuk na kishte folur për këtë. Ashtu sikurse askush nuk na kishte treguar për regjimin ushtarak nën të cilin jetonin qytetarët arabë të Izraelit. Nuk pyesnim kurrë se kush kishte jetuar në shtëpitë e shkatërruara buzë rrugës, apo çfarë kishte ndodhur me ata njerëz. Shikonim mbetjet e fshatrave dhe lagjeve palestineze, sikur të ishin thjesht pjesë e peizazhit. Në mbrëmje dilnim në rrugë për të festuar.
Dita e pavarësisë ishte e vetmja ditë kur prindërit tanë na lejonin të qëndronim jashtë deri vonë, pa asnjë kufizim. Ishte një festë kombëtare.
Që atëherë kanë kaluar dekada, dhe gjithçka duket ndryshe. Fjala Nakba ka hyrë gradualisht në ndërgjegjen publike, edhe pse vetëm tek një pakicë e vogël izraelitësh. Një pakicë edhe më e vogël ka filluar të ketë një ndjenjë faji historik.
Ndërkohë, ngjarjet e viteve të fundit kanë bërë që disa prej nesh të turpërohen nga shteti ynë. M’u deshën vite për të kuptuar se ngjarjet e fundit dhe ato të një të kaluare të largët nuk mund të ndahen. Në themel të vendit tonë qëndron Nakba. Dita në të cilën ne festonim pavarësinë ishte dita kur një popull tjetër kujtonte një katastrofë, i njëjti popull që banonte në këto toka para nesh.
Që atëherë, gjithçka mbetet e lidhur ngushtë me të kaluarën. Ajo që nisi në vitin 1948 nuk ka përfunduar ende, as në vitin 2026. Nga Nakba e deri më sot, parimet themelore të ndjekura nga sionizmi kanë mbetur të pandryshuara, ashtu si edhe politikat e qeverive izraelite. Nakba nuk ka mbaruar kurrë. Ajo vetëm ka ndryshuar formë.
Sado e frikshme të jetë ta mendosh, vlerat që 78 vite më parë sollën Nakbën vazhdojnë të përbëjnë themelin e shtetit hebre. Të njëjtat parime. Të njëjtat objektiva. Të njëjtat metoda.
Izraeli tashmë është një fuqi rajonale dhe aleati më i afërt i superfuqisë më të madhe botërore, por nuk ka ndryshuar nga koha kur ishte një shtet i sapolindur: Ai ende beson se mund të mbijetojë me shpatë, dhe vetëm me shpatë.
Vendi ynë vazhdon ta shohë fuqinë ushtarake si garancinë e vetme të ekzistencës dhe sigurisë së tij, duke ndjekur një politikë të bazuar në supremacinë hebraike në të gjithë hapësirën mes Detit Mesdhe dhe lumit Jordan. Ai paraqitet si viktimë, një fuqi rajonale që flet pa pushim për kërcënime ekzistenciale. Izraelitët janë ende të bindur se drejtësia absolute është në anën e tyre. Se të gjithë arabët lindin për të vrarë. Dhe se e vetmja gjë për të cilën mendojnë popujt e botës arabe është t’i hedhin hebrenjtë në det. Të njëjtat bindje. Të njëjtat parime të vitit 1948.
Nën sipërfaqe, ndërkohë, fermentojnë bindje fetare që në 78 vjet janë bërë edhe më të forta: Se Zoti ua ka dhënë këtë tokë hebrenjve, dhe vetëm atyre. Një premtim biblik që vlen si akt pronësie dhe certifikatë hyjnore sovraniteti, edhe në sytë e hebrenjve që e quajnë veten laikë.
Izraeli, parimet kanë mbetur të njëjta
Parimet kanë mbetur të njëjta. Por disa gjëra kanë ndryshuar që nga pavarësia. Dhe shumë rrallë kanë ndryshuar për mirë.
Ankimi i shumë izraelitëve që sot ndjejnë nostalgji për Izraelin e vjetër, atë para se Likud-i i Benjamin Netanyahu të merrte pushtetin, është në masë të madhe një iluzion, një akt vetëmashtrimi. Nuk ishte Netanyahu ai që shpiku pushtimin. Nuk ishte partia e tij që solli supremacinë hebraike. Të dyja ekzistonin tashmë në Izraelin e vjetër, në socializmin e Partisë Laburiste dhe në “pushtimin e ndriçuar”.
Pas vitit 1948 dhe pas vitit 1967, 7 tetori 2023 shënoi një tjetër pikë dramatike kthese. Në dy vjet e gjysmë që kanë kaluar që nga ajo datë, Izraeli ka eliminuar një pjesë të madhe të lidershipit rajonal, ka pushtuar dhe bombarduar pothuajse të gjithë vendet fqinjë, dhe ka çliruar forcën e tij ushtarake pa asnjë ndjenjë mase, duke u njollosur me krime lufte në shkallë të gjerë.
Megjithatë, në 78-vjetorin e pavarësisë, vetëm pak izraelitë e kanë pranuar këtë realitet të pamohueshëm. Me sa duket, në vendin tim nuk do të ketë kurrë një komision të së vërtetës dhe pajtimit si ai i Afrikës së Jugut, sepse nuk ekziston një dëshirë e sinqertë për reflektim.
As për transformimin e Izraelit në një shtet të përjashtuar për një pjesë të madhe të komunitetit ndërkombëtar. Në diskursin publik, pyetja: “Pse bota na urren?” trajtohet si e paligjshme. Përgjigjja është: “Sepse e gjithë bota është antisemitike.” Fund i diskutimit.
Ky ishte humori që mbizotëroi në 78-vjetorin e pavarësisë. Izraeli nuk ka qenë kurrë një demokraci e vërtetë. Dhe përvjetori i pavarësisë ishte momenti i duhur për ta thënë qartë. E vetmja periudhë kur palestinezët nuk ishin nën sundim ushtarak zgjati vetëm disa muaj, mes viteve 1966 dhe 1967. Deri atëherë, kontrolli ushtarak zbatohej mbi qytetarët arabë të Izraelit.
Më pas, ai u zbatua në territoret e pushtuara të Rripit të Gazës dhe Bregut Perëndimor. Një shtet me regjim ushtarak të përhershëm nuk është demokraci. Pikë.
E njëjta gjë vlen edhe për aparteidin. Ai nuk lindi vitet e fundit. Ai lindi në ditët e para të shtetit hebre, dhe u forcua fuqishëm pas pushtimit të vitit 1967. Gjatë gjithë historisë së tij, para vitit 1967 dhe sigurisht pas tij, Izraeli nuk e ka pranuar kurrë idenë se palestinezët kanë të njëjtat të drejta si hebrenjtë izraelitë në tokën mes Jordanit dhe detit. Dhe, ç’është më e rëndësishmja, Izraeli nuk i ka konsideruar kurrë palestinezët si qenie njerëzore të barabarta me hebrenjtë. Kjo mbetet rrënja e problemit. Dhe askush nuk flet për të.
I vetmi ndryshim thelbësor që ka dalë në pah vitet e fundit është se një megalomani e re izraelite ka zëvendësuar frymën e vjetër të Davidit (Izraeli) kundër Goliathit (arabëve). Kjo megalomani arriti kulmin pas 7 tetorit 2023. Sot izraelitët duket qartë se janë të bindur se gjithçka u lejohet.
Ata nuk njohin më asnjë kufi në përdorimin e forcës ushtarake apo në shpërfilljen e sovranitetit të shumicës së shteteve të rajonit. Në këtë ditë pavarësie, një re e zezë rëndon mbi qiellin gjithnjë e më të errët të Israel. Shoqëria është e përçarë vetëm për një çështje: Netanyahu, po apo jo Netanyahu. Pothuajse gjithçka tjetër është përjashtuar nga debati, sepse për temat e tjera, me sa duket, ekziston një konsensus i plotë.
Nuk ekziston asnjë opozitë hebraike kundër luftës, kundër pushtimit apo kundër aparteidit.
Rripi i Gazës shqetëson vetëm pak njerëz. Po kështu edhe Bregu Perëndimor, i transformuar brutalisht nën mbulesën e luftërave të tjera të fundit në rajon. Në Bregun Perëndimor, duke u mbështetur te dhuna e kolonëve dhe te një ushtri që i mbështet, shteti hebre ka zhdukur çdo shpresë të mbetur për një shtet palestinez. Por edhe kjo, në Izrael, u intereson shumë pak njerëzve. Pa debat dhe pa një shqyrtim të ndërgjegjes, ndjesia është se qielli mbi Izrael po bëhet gjithnjë e më i errët.
Edhe propagandistët më të zhurmshëm të së djathtës fashiste kanë filluar të kuptojnë përmasën e kërcënimit që sot rëndon mbi shtetin, pasi qeveria ka hapur shumë fronte lufte pa arritur objektivat e saj në asnjërin prej tyre. Rripi i Gazës dhe Libani nuk janë histori suksesi. Janë luftëra të panevojshme dhe kriminale, që nuk i kanë sjellë asnjë përfitim Tel Avivit, por vetëm një kosto të lartë që, me kalimin e viteve, mund të rezultojë e papërballueshme.
Shtetet e Bashkuara po çlirohen ngadalë nga shtrëngimi i Izraelit, deri në atë pikë sa edhe Donald Trumpi mund t’i kthejë shpinën. Në çdo rast, presidenti që do ta zëvendësojë pas më pak se tre vitesh, qoftë demokrat apo republikan, me siguri do të ndjekë një politikë ndryshe ndaj këtij aleati. Ditët kur Izraeli i kishte Shtetet e Bashkuara në xhep kanë përfunduar. Ndoshta përgjithmonë.
Edhe Europa po pret një sinjal nga Uashingtoni për të ndryshuar politikën e saj. Kontinenti i vjetër po humbet durimin ndaj një shteti pushtues, agresiv dhe megaloman. Vitet e fundit nuk kanë qenë pozitive për Izraelin. Ai ka vazhduar të nisë luftëra, të pushtojë territore dhe të detyrojë njerëzit të lënë shtëpitë e tyre. (Sot refugjatët në Lindjen e Mesme si pasojë e luftërave izraelite janë rreth 6 milionë, dhe shumë prej tyre nuk kanë më një vend ku të kthehen.)
Por duke vepruar kështu, Izraeli ka komprometuar pozicionin e tij ndërkombëtar.
Një shtet që i ka treguar gishtin e mesit të gjitha institucioneve globale, të gjitha rezolutave, të drejtës ndërkombëtare dhe opinionit publik të vendeve aleate, po ecën në një rrugë që çon drejt një izolimi të ngjashëm me atë të Afrikës së Jugut të aparteidit. Dhe është një trajektore shumë e vështirë për t’u ndryshuar.
Gideon Levy është gazetar izraelit. Shkruan për gazetën Haaretz. Ky artikull është botuar fillimisht në Middle East Eye. (Bota.al)