Ekonomi

Kërcënimi i një recesioni ekonomik po bëhet global

Nga Alessandro Lubello

Më 3 tetor, qeveria britanike u tërhoq nga nisma e saj për uljen e taksës mbi të ardhurat, nga 45 në 40 për qind (një nismë që do të favorizonte më shumë të pasurit), duke theksuar se kjo masë kishte “shpërqendruar” opinionin publik nga qëllimi dhe efektiviteti i vërtetë i kësaj mase të prezantuar në parlament më 23 shtator së bashku me projektbuxhetin e ri.

Ministri i Financave Kuasi Kuarteng, kishte propozuar një plan për uljen e taksave me vlerë 45 miliardë paund, më i madhi në 50 vitet e fundit, të cilit i shtohen 60 miliardë paund të planifikuara për të kufizuar koston e energjisë elektrike mbi bizneset dhe familjet britanike gjatë 6 muajve të ardhshëm.

Tërheqja e shpejtë e qeverisë konservatore të udhëhequr nga Liz Tras, ka ndodhur kryesisht për shkak të refuzimit të fortë të investitorëve ndaj kësaj lëvizje, të cilët nuk e pritën mirë idenë e financimit të kësaj ulje taksash kryesisht duke e zgjeruar borxhin kombëtar.

Për këtë arsye, që pas shpalljes së vendimit, vlerat e paundit ra në vlerat më të ulëta në 35 vitet e fundit, ndërsa normat e interesit për bonot e qeverisë britanike, ishin rritur në nivelet më të larta që nga viti 2008, duke rrezikuar stabilitetin e sistemit financiar britanik dhe nxitur Bankën e Anglisë që të ndërmarrë veprime emergjente.

Në fakt kriza britanike, është edhe një zile zgjimi për pjesën tjetër të botës. Mesazhi i dërguar nga tregjet financiare, vëren gazeta “Wall Street Journal”, është se “sot bota është bërë një vend më i rrezikshëm për vendet me deficit”.

Vitet e fundit, të gjitha qeveritë kanë marrë shumë hua për t’u përballur me pasojat e pandemisë. Por ndërkohë ishte krijuar përshtypja se aftësia e shteteve për të grumbulluar financa është e pakufizuar. “Kjo botë ka marrë fund. Në shumë vende, inflacioni është shumë i lartë, dhe mund të qëndrojë i tillë për shumë kohë. Edhe bankat qendrore, të cilat po e rrisin koston e parasë me ritmet më të larta në 40 vitet e fundit, e kuptuan pak me vonesë këtë gjë”-  thekson gazeta amerikane.

Sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), në vitin 2007 borxhet e qeverive, kompanive dhe familjeve arritën në 195 për qind të PBB-së globale. Ndërsa në fundin e vitit 2020, kishin arritur në 256 për qind të PBB-së globale.

Për analistin Hugo Dikson të Reuters, kjo është një barrë gjithnjë e më e vështirë për t’u mbajtur “pasi normat e interesit janë rritur për të luftuar inflacionin, ndërsa pandemia dhe tani kriza e energjisë po frenojnë ekonominë globale, dhe po i nxisin investitorët që të rrezikojnë më pak”.

“E gjitha kjo situatë do të shkaktojë probleme, sidomos në Evropë, në Kinë dhe gati në të gjitha vendet në zhvillim (si Sri Lanka, Gana, Egjipti dhe Pakistani), duke ndikuar negativisht si në politikën e brendshme ashtu edhe në atë të jashtme”- shton ai.

Në Bashkimin Evropian, hija e një recesioni ekonomik lidhet kryesisht me krizën e shkaktuar nga rritja e jashtëzakonshme e çmimeve të energjisë, një problem që mund të dëmtojë edhe unitetin e brendshëm të eurozonës dhe solidaritetin midis shteteve të saj, siç po shihet edhe nga polemikat e nxitura në ditët e fundit nga qeveria gjermane.

“Këtë dimër Gjermania mund të detyrohet të reduktojë eksportet e energjisë drejt Francës dhe vendeve të tjera për të parandaluar problemet me rrjetin e saj elektrik”- shkruan Financial Times. Gazeta britanike përmend deklaratën e Hendrik Nojman, kreut të operacioneve teknike të AMPRION, operatori kryesor i rrjetit elektrik gjerman.

Fjalët e tij nuk i qetësojnë aspak vendet e tjera evropiane. Çdo ndërprerje apo reduktim i furnizimeve gjermane mund të përkeqësojë mungesën e energjisë elektrike veçanërisht në Francë, vijon gazeta britanike, ku gati gjysma e 56 termocentraleve bërthamore të vendit janë aktualisht jashtë funksionit.

Deklaratat e Nojman vijnë menjëherë pas njoftimit të 29 shtatorit, kur Berlini vendosi të vërë në dispozicion një “mburojë mbrojtëse” prej 200 miliardë eurosh, për të ulur faturat e energjisë për kompanitë dhe familjet gjermane. Projekti i qeverisë i drejtuar nga socialdemokrati, Olaf Sholc, ka ngjallur reagime të ashpra në vende të ndryshme evropiane, sidomos ato më të mbytura në borxhe dhe për rrjedhojë me më pak mundësi financiare, dhe që e shohin si shumë të rrezikuar parimin e solidaritetit të unionit. Kryeministri në ikje i Italisë Mario Dragi deklaroi: “Përballë kërcënimeve të përbashkëta të epokës sonë, ne

nuk mund të ndahemi sipas hapësirës në buxhetet tona kombëtare. Në këshillat e ardhshëm evropianë ne duhet të jemi të bashkuar, të vendosur, solidarë, ashtu siç kemi qenë edhe në mbështetje të Ukrainës”.

Për gazetën franceze “Le Monde”, situata aktuale të kujton atë të vitit 2020 kur edhe pse Evropa ishte shumë në vështirësi për shkak të Covid-19, “Gjermania bleu maska ​​​​dhe vaksina pa u shqetësuar për partnerët e saj të komunitetit, edhe pse më vonë ra dakord të mbështeste një plan evropian për rimëkëmbjen e ekonomisë së kontinentit dhe blerjen e përbashkët të vaksinave”.

Në fakt ne mund të shohim një mundësi për arritjen e unitetit edhe këtë herë. Më 5 tetor, Gjermania deklaroi se ishte gati të bëhej pjesë e programeve të përbashkëta të blerjes së gazit, të cilat deri më tani i kishte refuzuar. Por kjo lëvizje është e vonuar, pasi shumica e vendeve evropiane gati i kanë mbushur depozitat e tyre rezervë.

Një lajm tjetër vjen nga Komisioni Evropian, që përmes një letre dërguar krerëve të shteteve dhe qeverive të Bashkimit Evropian, shpreh nevojën për vendosjen e një tavani kalimtar për çmimin e gazit në bursën holandeze të energjisë TTF, në pritje të identifikimit të një mekanizmi të ri vlerësimi.

Për më tepër, Brukseli po propozon masa të koordinuara në nivel evropian për uljen e konsumit të gazit dhe për marrëveshjet e solidaritetit midis vendeve të Bashkimit. “Sot më shumë se kurrë, Evropa ka nevojë urgjente për unitet. Sa më shumë që qytetarët të shqetësohen për punët e tyre dhe koston e ngrohjes, aq më e vështirë do të jetë gjetja e një përgjigje të përbashkët ndaj luftës së agresionit të Rusisë.

Gjermania nuk është i vetmi vend në union që po sillet në një mënyrë jo shumë të këndshme. Por kur një akuzë ka të bëjë me vendin kryesor të unionit, atëherë përgjegjësia është më e madh. Do të ishte mirë që kancelari Sholc të kujtonte një fjali të thënë dikur nga paraardhësja e tij, Angela Merkel, gjatë pandemisë: “Gjermania është mirë vetëm nëse është mirë edhe Evropa”- shkruan në një artikull të saj të fundit gazeta e madhe gjermane “Süddeutsche Zeitung”. / “Internazionale” – Bota.al

Back to top button