BotaMAIN

RUMANIA / Frikë dhe zemërim në betejën për shpirtin e demokracisë

Fshati rumun Poeni ka disa dyqane, një grill për kebab dhe një tufë qenësh endacakë.

Ka gjithashtu edhe një numër votuesish që donin që një kandidat i ekstremit të djathtë të bëhej president.

Poeni, pak më shumë se një orë larg nga kryeqyteti, nuk është i vetmi.

Në nëntorin e kaluar, Călin Georgescu – që admiron Vladimir Putinin dhe nuk është aspak simpatizant i NATO-s – kaloi nga skaji ekstremist për të fituar raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale në Rumani me 23% të votave.

Në Poeni ai bëri edhe më mirë, duke marrë 24%.

Pastaj, Gjykata Kushtetuese anuloi tërësisht zgjedhjet – një veprim i paprecedentë – duke cituar informacione nga shërbimet e e fshehta, sipas të cilave fushata online e Georgescu-t ishte mbështetur nga Rusia.

Në Poeni, një votuese e re i quajti këto pretendime “gënjeshtra”, e zemëruar për anulimin e votimit. “Duhej ta linin të kandidonte, të shihnim çfarë do të ndodhte,” argumenton Maria.

Një votim i ri do të mbahet në maj, por Georgescu është ndaluar të marrë pjesë.

Në Bukuresht, mbështetësit që dolën në rrugë bërtisnin se gjyqtarët po shkatërronin demokracinë. Një grup i vogël pati përplasje të shkurtra me policinë, që përdori gaz lotsjellës.

Tani politikani nacionalist George Simion ka hyrë në garë dhe po ecën mirë në sondazhe.

Shumë rumunë kanë frikë se vlerat thelbësore evropiane të vendit të tyre, dhe aleancat globale, janë ende në rrezik. “Jemi në mes të një beteje idesh. Nuk kemi alternativa këtu,” është mënyra si një aktivist për demokracinë e përshkruan atmosferën. “Lufta është tani.”

“Na mashtruan. Na premtuan më shumë”

Në fshatin Poeni flitet më pak për vlera dhe për ndërhyrje ruse, dhe më shumë për paratë në xhepat e tyre. Ose më saktë, për mungesën e tyre.

Në anë të rrugës kryesore, ku trafiku ndërrohet mes kamionëve të mëdhenj dhe qerreve me kuaj, burrat blejnë copa të djegura kebabi dhe pensionistët bisedojnë mbi stola të mbuluar me pluhur.

Një kabinë telefonike metalike publike është përkulur, tabela e saj varet mënjanë – ndoshta kështu ka qenë prej vitesh. Rritja e çmimeve dhe të ardhurat e ulëta i kanë lënë votuesit si Ionela të zhgënjyer.

Të ardhurat këtu janë të vogla, çmimet po rriten dhe jeta është e vështirë – si në shumë pjesë të Rumanisë. “Dua që Georgescu t’i vërë të gjithë në resht. Na mashtruan. Na premtuan më shumë para për pensionet,” thotë një grua rreth të pesëdhjetave, fillimisht me zë të ulët, pastaj më e guximshme. “Të tjerët nuk kanë bërë asgjë për ne këtu!” Në dyqanin e fshatit, edhe Ionela është po aq e zhgënjyer.

“Rinia përfundon universitetin këtu dhe nuk gjen punë, ndaj ikën jashtë. Kjo nuk është normale. Duhet që të rinjtë tanë të kenë vende pune këtu,” ankohet ajo nga pas banakut të dyqanit.

Miliona rumunë punojnë në vende të tjera të BE-së dhe dërgojnë para në shtëpi për familjet e tyre. Në Poeni mund të shohësh ku përfundojnë disa nga ato para, në shtëpitë e reja që janë nisur por nuk janë përfunduar.

E gjithë familja e Ionelës ka votuar për Georgescu-n. Ajo mendon se ai premtoi të ulë taksat, por nuk duket se e ka vënë re ideologjinë e tij ekstremiste të djathtë. Ai është një burrë që ka lavdëruar figura ekstremiste nga e kaluara e Rumanisë dhe tani është nën hetim për lidhje të dyshuara me një grup me “karakteristika fashiste, raciste apo ksenofobe”.

Pasi doli nga marrja në pyetje, politikani u filmua duke bërë një përshëndetje në stil fashist. Calin Georgescu është nën hetim për lidhje të dyshuara me grupe fashiste. Banorë të tjerë të Poenit e kanë parë këtë dhe i njohin mirë figurat e errëta me të cilat Georgescu është lidhur.

Kur përmendet emri i tij, një pensioniste kap patericën dhe e tund si mitraloz, duke bërtitur se ai është i rrezikshëm.

Një tjetër thotë se njerëzit janë dyshues ndaj dikujt që u ngrit papritur dhe që fokusohet më shumë tek sovraniteti sesa tek logjika ekonomike. “Ai na thotë që nuk na duhet Europa për të na ndihmuar me para. Po si do jetojmë atëherë? Le ta pranojmë: Europa na ushqen!” thotë ajo.

“Dyshime”

Votimi në Rumani është bërë temë diskutimi përtej rrugëve të Poenit, madje edhe përtej Bukureshtit.

Kur zvpresidenti i SHBA, JD Vance, tronditi Europën me një fjalim në Mynih, duke pohuar se kërcënimi më i madh për BE-në vinte nga brenda dhe jo nga Rusia, ai e përmendi Rumaninë disa herë.

Ai deklaroi se zgjedhjet në këtë vend ishin anuluar mbi bazën e “dyshimeve të brishta”, nën “presion të madh” nga BE-ja. Më pas, Elon Musk e quajti vendimin e gjykatës “të çmendur” në rrjetin X.

Moska do ta ketë shijuar këtë.

Donald Trump dhe Elon Musk janë emra që peshojnë mbi këto zgjedhje.

Agjencia e inteligjencës së jashtme të Rusisë u shpreh plotësisht dakord me SHBA-në, duke deklaruar se “rryma liberale” në Europë po shtypte zërat kundërshtues. Kjo, nga një regjim autoritar.

“Kjo është bota e re ku po jetojmë. Është ideologjia MAGA. Ata kërkojnë partnerë, dhe partnerët e tyre janë partitë e ekstremit të djathtë në gjithë Europën,” thotë gazetari Ion Ionita, për të përshkruar përputhjen e qëndrimeve SHBA–Rusi.

Sipas tij, anulimi i zgjedhjeve presidenciale jo vetëm që ishte kushtetues, por edhe i justifikuar. “Po jetojmë një luftë hibride, demokracia është nën presion,” argumenton ai. Kërcënimi është real.

Por Rumania, e cila kufizohet me Ukrainën dhe ka një bazë të madhe të NATO-s, tani duhet të përballet edhe me armiqësi nga SHBA. “Është një ndryshim dramatik. Amerika është aleati ynë, më i madhi, dhe ofruesi më i rëndësishëm i sigurisë për Rumaninë,” thekson Ion Ionita. “Na duhet që ky partneritet të vazhdojë dhe të bëhet më i fortë. Njerëzit janë të shqetësuar.”

Beteja për shpirtin e Rumanisë

Për Florin Buhuceanun, ky konflikt nuk është vetëm politik – është personal. Apartamenti i tij në Bukuresht, një perlë e modernizmit, është një muze i vogël “i kushtuar kujtesës së homoseksualëve”.

Në një mur ndodhet një fotografi e madhe nga vitet 1930, ku shihen tre burra homoseksualë të arrestuar. Në dhomën tjetër, një dollap druri që dikur ekspozonte objekte nga koha e fashizmit rumun në një dyqan antik, tani përmban fotografi të ikonave të komunitetit gay.

Rumania e dekriminalizoi homoseksualitetin vetëm në vitin 2001. “Asnjë muze shtetëror nuk do t’i pranonte këto dhurime,” thotë Florini, ndaj ai dhe partneri i tij i ekspozojnë në shtëpi për të ftuar të përzgjedhur. Si një aktivist i njohur i komunitetit LGBT, ai ka marrë aq shumë kërcënime gjatë fushatës zgjedhore, saqë shërbimet e sigurisë e kanë paralajmëruar të jetë i kujdesshëm.

Edhe pse Georgescu u zhduk po aq shpejt sa u shfaq, atmosfera mbetet e tensionuar. George Simion, tani i konsideruar si kandidati kryesor, është hetuar pasi bëri thirrje që zyrtarët zgjedhorë të “zgjidheshin të gjallë” për ndalimin e Georgescu-t nga gara.

Ai e përshkruan partinë e tij nacionaliste AUR si një “parti patriotike me thelb konservator”, shtyllat e së cilës janë “Besimi, Kombi, Familja dhe Liria”.

Grupi i të drejtave LGBT “Mozaiq” ka paralajmëruar për një valë retorike antisemite, raciste dhe homofobike javët e fundit. Ata u detyruan të njoftojnë policinë pas mesazheve në rrjetet sociale që nxisnin sulme ndaj zyrës së tyre.

Florin Buhuceanu tani ka frikë se vendi i tij po kthehet pas në kohë. “Para vitit 2001, ishte absolutisht e pamundur për ne të merrnim frymë. Tani dëgjojmë sërish të njëjtën retorikë, përsëri dhe përsëri,” thotë ai.

Edhe më keq, SHBA-të, Rusia dhe e djathta ekstreme rumune tani duken në të njëjtën linjë. “Është e qartë që të drejtat tona janë të brishta dhe bota po riformohet, ndaj ne duhet ta vazhdojmë këtë betejë,” paralajmëron aktivisti. “Nuk është vetëm për komunitetin tonë. Është për shpirtin e demokracisë rumune.” / BBC – Bota.al

Back to top button