SPECIALE KUPA E BOTËS / Spektakli më i madh mbi Tokë

KUPA E BOTËS

Kupa e Botës: Momente të paharrueshme dhe futbollistë që u shndërruan në ikona, nga shfaqja më e madhe e futbollit në botë


Kur bëhet fjalë për sportin, Kupa e Botës në futboll është pa dyshim spektakli më i madh në Tokë. Me pjesëmarrjen e ekipeve më të mira nga të gjitha anët e globit, ajo është një festival njëmujor futbolli që garanton dramë të jashtëzakonshme, gola spektakolarë, yje të mëdhenj dhe shumë emocione, ndërsa shtetet e botës përplasen për t’u kurorëzuar kampione.

Bota.al nis serinë “Historia e Kupës së Botës, duke u kthyer pas në kohë në çdo Kupë Bote, që nga edicioni i parë në Uruguai në vitin 1930 e deri te Katar 2022.

Nga shpërthimi i Pelésë në vitin 1958 dhe Brazili magjik i 1970-ës, te heronjtë e Anglisë në ’66, “Total Football” i Holandës dhe performanca e pabesueshme e Lionel Messit në Katar, do të rikujtojmë momentet më të paharrueshme, lojtarët ikonë dhe skuadrat legjendare në historinë e eventit më të famshëm sportiv në planet.

Po ashtu, do të kujtojmë figurat individuale që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në Kupën e Botës, si Ronaldo, Bobby Moore dhe Franz Beckenbauer, si dhe këndvështrime interesante përmes intervistave me emra të mëdhenj si Pelé dhe Paolo Rossi.

Por nuk do ndalemi vetëm te e shkuara e lavdishme. Do të hedhim sytë edhe nga e ardhmja, drejt Kupës së Botës më të madhe në histori, që do të zhvillohet në SHBA, Kanada dhe Meksikë.

Kupa e Botës, spektakli më i madh

Ide e ish-presidentit të FIFA, Jules Rimet, mund të thuhet pa frikë se Kupa e Botës ka bërë një rrugë të gjatë që nga fillimi i saj në Uruguay në vitin 1930. Atëherë, vetëm 13 skuadra kombëtare morën pjesë në këtë garë të sapolindur, ndërsa vetëm katër ekipe europiane bënë udhëtimin e gjatë dhe të kushtueshëm përtej Atlantikut drejt Amerikës së Jugut, të bindura personalisht nga vetë Rimet se kjo ishte nisja e diçkaje vërtet të veçantë.

Tetë dekada më vonë, finalet e Kupës së Botës janë shndërruar në spektaklin më të madh sportiv në kalendar, duke bashkuar kombe nga pothuajse çdo cep i botës për të festuar një festival futbolli që është njëkohësisht magjepsës dhe unik.

Një sport vërtet global

Shifrat janë marramendëse. Sot, mbi 200 vende marrin pjesë në fazat kualifikuese, më shumë se numri i vendeve anëtare të OKB-së. Ndërsa në Kupën e Botës në Afrikën e Jugut në vitin 2010, rreth gjysma e popullsisë së botës, afro 3.2 miliardë njerëz, e ndoqën turneun në televizion.

Miliarda dollarë paguhen për të sponsorizuar eventin ose për të siguruar të drejtat televizive, ndërsa vendet pritëse përfitojnë një shtysë të konsiderueshme ekonomike gjatë katër javëve të zhvillimit të turneut.

Sot, finalet e Kupës së Botës duket se nuk njohin kufij. Megjithatë, rruga deri këtu nuk ka qenë e lehtë. Ky është një turne i fortë dhe i palëkundur, që u ka mbijetuar katastrofave natyrore, ndërhyrje politike, krizave financiare dhe madje edhe dy Luftërave Botërore.

Por jo vetëm ka mbijetuar, ka lulëzuar. Ka rritur prestigjin dhe popullaritetin e tij, ndërsa planeti përqafoi futbollin dhe, bashkë me të, edhe Kupën e Botës.

Vërtet, është një event sportiv i pakrahasueshëm.

Një garë pa rival

Kupa e Botës është vendi ku lindin heronj (dhe ndonjëherë edhe “të kèinj”), ku krijohen legjenda. Është skena ku një moment frymëzimi individual mund të ndryshojë jo vetëm fatin e një skuadre, por edhe jetën e një lojtari brenda natës.

Nga tre triumfet historike të Pelésë si lojtar, te sukseset e Franz Beckenbauerit si lojtar dhe trajner; nga gjeniu i Diego Maradona që mahniti botën në 1986, te klasi i pakrahasueshëm i Zinedine Zidane në 1998 dhe 2006, këta janë emrat që e kanë bërë këtë turne kaq të madh.

Janë lojtarët që gjithmonë ngrihen në nivelin më të lartë, pikërisht në momentet më të mëdha.

Horizonte të reja

Pas një edicioni të paharrueshëm në Rusi në 2018 dhe organizimit historik nga Katari në 2022, si vendi i parë nga Lindja e Mesme, vëmendja tani zhvendoset drejt Amerikës së Veriut.

Meksika, Kanadaja dhe SHBA do të jenë mikpritësit e radhës, duke treguar se popullariteti i këtij eventi tashmë shtrihet në çdo cep të globit.

Sot, asnjë komb nuk ka nevojë për ftesë për të marrë pjesë, çdo vend ka mundësinë të luftojë për një vend në këtë skenë madhështore.

Në serinë e bota.al, do të ndjekim historinë e këtij kompeticioni unik, nga fillimet e tij modeste dhe të pasigurta, përmes periudhave të vështira dhe bojkotimeve, deri në epokën e artë ku pothuajse çdo komb në botë preket nga magjia e tij.

Është një histori e jashtëzakonshme. / bota.al

Back to top button