Njerëzit kanë debatuar prej kohësh, nëse qeniet njerëzore mund të digjen ose shpërthejnë në flakë në mënyrë spontane, pa një burim të jashtëm nxehtësie. Por gjatë 300 viteve të fundit, ka pasur më shumë se 200 raporte të incidenteve të tilla.
Kjo dukuri quhet djegia spontane e njeriut (SHC), dhe ndodh kur një person digjet deri në vdekje nga një zjarr që besohet se ka filluar nga brenda trupit të këtij personi. Nga qindra dëshmi të regjistruara, duket se ekziston një model i ngjashëm.
Një viktimë e vetmuar shpesh konsumohet nga flaka, zakonisht brenda shtëpisë së tij ose të saj. Gjithsesi, ekstremitetet e trupit, si duart, këmbët ose pjesë të këmbës, shpesh mbeten të paprekura. Pjesa e bustit dhe koka digjen përtej njohjes, dhe në raste të rralla, organet e brendshme të një viktime mbeten të padëmtuara.
Dhoma në të cilën ndodhej viktima, tregon zakonisht pak ose aspak shenja të ndonjë zjarri, përveç një mbetje të yndyrshme të lënë nëpër mobilie dhe mure. Shpesh ka një aromë tymi të ëmbël në dhomën ku ka ndodhur incidenti.
Historia e kësaj dukurie mund të gjurmohet që nga letërsia mesjetare. Madje disa besojnë se në Bibël ka disa fragmente që i referohen asaj. Në vitin 1641, mjeku danez Tomas Bartholin (1616-1680), e përshkroi vdekjen e Polonus Vorstius në librin e tij “Historiarum Anatomicarum Rariorum”, si një koleksion dukurish mjekësore të çuditshme mjekësore. Vorstius ishte një kalorës italian , i cili ndërsa ndodhej në shtëpinë e tij në Milano të Italisë në vitin 1470, piu një verë të fortë dhe më pas nisi të vjellë flakë nga goja, para se të shpërthente plotësisht në zjarr.
Kjo konsiderohet të jetë dëshmia e parë e regjistruar e djegies spontane në histori. Në vitin 1673, autori francez Xhonas Dypon, botoi një libër me titull “De Incendiis Corporis Humani Spontaneis”, që përmban një koleksion rastesh dhe studimesh mbi çështjen e djegies spontane të trupit të njeriut.
Një incident i famshëm nga Franca daton që në vitin 1725, kur një pronar i një bari në Paris, u zgjua nga aroma e tymit dhe zbuloi se gruaja e tij, Nikol Mile, ishte bërë hi teksa ishte shtrirë në një shtrojë prej kashte, e cila vetë nuk ishte prekur nga flakët.
Ajo çka kishte mbetur nga Zonja Mile, një alkoolike kronike, ishte kafka e saj, disa kocka nga shpina dhe pjesa e poshtme e këmbëve. Të gjitha objektet prej druri të gjetura rreth saj ishin të padëmtuara. Burri i saj u akuzua për vrasje, dhe u shpall fajtor.
Por në apel, gjykatësit ranë dakord me alibinë e tij të “djegies njerëzore spontane”, pjesërisht falë dëshmisë së kirurgut dr.Klod -Nikolas Lë Kat. Ky ishte në han kur aroma e tymit zgjoi të gjithë në banesë dhe kur u zbulua trupi i Nikol. Vdekja e saj u deklarua më vonë të ishte pasojë e “një vizite të Zotit”.
Djegia spontane e njerëzve, u popullarizua në shekullin XIX-të, kur shkrimtari i famshëm anglez Çarls Dikens e përdori, atë për të vrarë një nga personazhet e tij në romanin “Bleak House”. Kur kritikët e akuzuan Dikens se ishte përpjekur të vërtetonte diçka që nuk ekzistonte, ai thjesht vuri në dukje studime e kohës që tregonin të paktën 30 raste historike.
Kjo temë u trajtua gjerësisht në “Gazetën Mjekësore Britanike” në vitin 1938, kur një artikull nga L.A Parri citoi një libër të botuar në vitin 1823 me titull “Jurisprudenca Mjekësore”.
Ai deklaroi se rastet e djegies spontane të njeriut kishin disa tema të përbashkëta, përfshirë: viktimat ishin alkoolistë kronikë; ato zakonisht ishin gra të moshuara; trupi ishte djegur spontanisht, por edhe ndonjë substancë e ndezur që kishte rënë në kontakt me të; duart dhe këmbët zakonisht shpëtonin; zjarri shkaktonte shumë pak dëme tek objektet e tjera në kontakt me trupin; djegia e trupit linte një mbetje hiri të yndyrshme dhe të hollë, me aromë shumë të fortë.
Alkoolizmi duket se ka luajtur një rol të madh në referencat e hershme mbi dukurinë e djegies spontane, pjesërisht pasi disa mjekë dhe shkrimtarë të epokës viktoriane, besonin se djegia shkaktohej nga alkooli. Por ekzistojnë disa teori të tjera se çfarë e shkakton SHC.
Këtu përfshihet dhjami i ndezshëm që ka trupi i njeriut, grumbullimi në masë të madhe i acetonit, elektriciteti statik, metanina, bakteret, stresi, madje edhe ndërhyrja hyjnore.
Teoria që është e aprovuar nga shkenca quhet “efekti i fitilit’. Ajo krahason trupin e një viktime nga SHC me një qiri. Një qiri përbëhet nga një fitil, që nga brenda përmban një dyll të përbërë nga acide yndyrore të ndezshme. Zjarri ndez fitilin dhe dylli yndyror garanton djegien.
Në trupin e njeriut, dhjami i trupit vepron si një substancë e ndezshme, ndërsa veshja ose flokët e viktimës janë fitili. Djegia vazhdon për aq kohë sa ka “karburant” në dispozicion. Ithtarët e kësaj teorie thonë se kjo shpjegon se përse trupat e viktimave shkatërrohen, ndërsa ekstremitet e tyre jo.
Por profesori i biologjisë Brajan J.Ford ofron një shpjegim tjetër. Ai thotë se një grumbullim i madh acetoni në trup, ka të ngjarë të jetë rrënja e këtij fenomeni të çuditshëm: “Kur një person është i sëmurë, trupi i tij prodhon ndonjëherë natyrshëm aceton, një lëndë shumë e ndezshme.
Unë kam eksperimentuar duke përdorur mish derri që ishte marinuar në aceton; ai merr flakë si një bombë. Alkoolizmi mund të bëjë që trupi i njerëzve të prodhojë aceton, ashtu si edhe shumë sëmundje të tjera. Përfundimi im është që një individ i sëmurë prodhon nivele të larta të acetonit, që grumbullohet në indet yndyrore dhe mund të ndizet, mbase nga një shkëndijë statike ose një cigare”.
Por shumë ekspertë të tjerë hedhin dyshime mbi të gjitha hipotezat e deritanishme. Rasti më i fundit i djegies spontane ka ndodhur në Irlandë në vitin 2010. Trupi i djegur i një të moshuari u gjet i shtrirë me kokën pranë oxhakut të banesës së tij, në një dhomë që praktikisht nuk kishte dëmtime nga zjarri. Një hetues do të përcaktonte më vonë se djegia spontane ishte shkaku i vdekjes së 76-vjeçarit Majkëll Faherti.
Shumë njerëz besojnë se ka shumë gjëra që ende nuk dihen mbi trupin e njeriut, çka e bën atë unik midis qenieve të tjera. Një tipar i tillë është fenomeni i djegies spontane, që mbetet ende një mister i pazgjidhur. / ancient origins – bota.al