Na duhet një heshtje që të lindë pyetje të tjera

heshtje

Nga MICHELA MARZANO

Nuk kemi folur kurrë kaq shumë sa sot. Fjalët janë kudo. Rrëshqasin në ekranet tona, mbushin bisedat, pushtojnë debatet publike, talk-show-t, rrjetet sociale, madje edhe intimitetin e marrëdhënieve. Të gjithë flasin. Të gjithë reagojnë. Të gjithë komentojnë. Por, mes këtij shumimi të vazhdueshëm të gjuhës, duket sikur diçka është prishur: aftësia për të dëgjuar vërtet.

Nuk bëhet fjalë vetëm për një krizë komunikimi. Nuk është pasojë e thjeshtë e përshpejtimit teknologjik. Ka diçka më të thellë. Sepse të dëgjosh dikë nuk do të thotë thjesht të dëgjosh atë që thotë. Nuk mjafton t’i lësh tjetrit kohën për të folur. Dëgjimi autentik përfshin gjithmonë një formë ekspozimi. Do të thotë të pranosh që prania e tjetrit mund të tronditë imazhin që kemi për veten dhe sigurinë tonë. Dhe pikërisht kjo duket se po bëhet gjithnjë e më e vështirë sot.

Jetojmë në një botë që na shtyn vazhdimisht të mbrohemi nga tjetërsia. Kemi nevojë të përcaktojmë shpejt kë kemi përballë: mik apo armik, viktimë apo fajtor, i brishtë apo i privilegjuar, kompetent apo i paditur. Çdo nuancë krijon shqetësim. Çdo ambivalencë destabilizon. Sepse ambivalenca na detyron të qëndrojmë në pasiguri, ndërsa koha jonë kërkon përgjigje të menjëhershme, identitete të qarta, pozicione të prera.

Por tjetri nuk mund të reduktohet kurrë në kategoritë me të cilat përpiqemi ta përmbajmë. Dhe kjo është arsyeja pse të dëgjosh vërtet është bërë kaq e rrallë. Sepse të dëgjosh do të thotë të pranosh se diçka të shpëton. Se fjalimi i tjetrit hap një çarje brenda nesh. Se na detyron të përballemi me zona të pazgjidhura të ekzistencës sonë. Nuk dëgjon vërtet nëse mbetesh i pandryshuar. Kur një fjalë arrin thellë në ne, diçka lëviz. Ndonjëherë një plagë e vjetër rihapet. Ndonjëherë një dëshirë që kishim mësuar ta heshtnim del sërish në sipërfaqe.

Për këtë arsye shumë njerëz preferojnë të flasin sesa të dëgjojnë: të flasësh të lejon të ruash kontrollin. Të dëgjosh, përkundrazi, të ekspozon.

Ndoshta edhe për këtë arsye po përballemi sot me një paradoks të çuditshëm: marrëdhëniet shumëfishohen, por shpesh mbeten sipërfaqësore; shkëmbejmë vazhdimisht informacione, por përjetojmë gjithnjë e më pak përvojë njerëzore. Përgjigjemi para se të kemi kuptuar. Dhe mbi të gjitha kemi frikë nga heshtja, e cila, nga vetë natyra e saj, na detyron të përballemi me atë që nuk arrijmë ta kontrollojmë.

Në heshtje dalin në sipërfaqe pyetjet që përpiqemi vazhdimisht t’i mpijmë: kush jam? Çfarë dëshiroj? Pse e kam kaq të vështirë të dua? Pse ndihem vetëm edhe kur jam i rrethuar nga të tjerët?

Çfarë bëjmë për të shmangur mbushjen e çdo boshllëku? Nuk është rastësi që shumë njerëz kanë nevojë të mbushin vazhdimisht çdo hapësirë mendore: muzikë, podkaste, njoftime, seriale televizive, mesazhe, zhurma në sfond. Megjithatë, vetëm duke kaluar përmes kësaj hapësire të brendshme bëhet e mundur të mirëpresim vërtet tjetrin.

Sepse ai që ikën vazhdimisht nga vetja përfundon pashmangshmërisht duke ikur edhe nga tjetri. Tjetri, atëherë, rrezikon të reduktohet në një “funksion”: dikush që duhet të na sigurojë, të konfirmojë identitetin tonë, të plotësojë nevojat tona, të pasqyrojë imazhin që duam të kemi për veten. Por kur pushon së përmbushuri këtë funksion, kur bëhet i paqartë, i largët, i pakuptueshëm, i cenueshëm ose thjesht i ndryshëm, lidhja hyn në krizë.

Të mirëpresësh tjetrin do të thotë, përkundrazi, të pranosh që ai nuk të përket. Do të thotë të kuptosh se do të mbetet gjithmonë një pjesë e tjetrit që do të jetë e huaj për ne. Dhe pikërisht kjo pakapshmëri e bën të mundur takimin.

Sepse një marrëdhënie autentike nuk lind nga shkrirja, por nga aftësia për të qenë në një distancë pa dashur ta fshish atë.

Kjo vlen për çdo marrëdhënie njerëzore, por ndoshta edhe më shumë në marrëdhëniet me të rinjtë. Prej vitesh edukatorë, psikologë dhe gazetarë po pyesin veten mbi shqetësimin e adoleshentëve: ankthin, depresionin, çrregullimet e të ushqyerit, vetëlëndimin, izolimin, varësitë.

Kërkohen shpjegime të menjëhershme, shpesh edhe qetësuese: faji i rrjeteve sociale, pandemia, shkolla, familjet. Sigurisht që të gjithë këta faktorë luajnë një rol. Por rreziku është që, në përpjekjen për të shpjeguar shqetësimin, të përfundojmë pa e dëgjuar më.

Ajo që shumë adoleshentë duket se shprehin sot është mbi të gjitha një vështirësi gjithnjë e më e madhe për të gjetur një hapësirë ku mund të ekzistojnë pa u vlerësuar, matur dhe gjykuar vazhdimisht. Ata rriten brenda një shoqërie të fiksuar pas dukkjes, efikasitetit dhe suksesit personal. Një shoqëri që kërkon vazhdimisht të tregohesh, të përkufizohesh, të dish kush je.

Por si mund ta dish kush je kur ende je duke u formuar? Si mund ta përballosh qetësisht brishtësinë në një botë që e shndërron çdo dobësi në dështim?

Ndoshta pikërisht këtu dëgjimi bëhet thelbësor. Sepse shpesh ajo që një person ka nevojë nuk është një përgjigje, por dikush i gatshëm të qëndrojë pranë tij aq gjatë sa të dalë në sipërfaqe diçka e vërtetë. Një hapësirë ku të mos përkthehesh menjëherë në diagnoza, përkufizime apo etiketa.

Një hapësirë ku heshtja të mos perceptohet si dështim i komunikimit, por si vendi i brishtë ku një fjalë mund të lindë më në fund.

Të dëgjosh vërtet dikë do të thotë gjithashtu të pranosh pafuqinë tënde. Të pranosh se nuk do ta kuptosh kurrë plotësisht përvojën e tjetrit. Se do të ekzistojë gjithmonë një zonë errësire, misteri dhe tjetërsie të pakthyeshme.

Por pikërisht aty, në atë hapësirë që i shpëton kontrollit dhe në aftësinë për të qëndruar të pranishëm përballë asaj që nuk mund ta zotërojmë, mund të lindë një marrëdhënie autentike.

Na duhet një heshtje që të lindë pyetje të reja. / La Repubblica. – Bota.al

Back to top button