PËR MATURANTËT / Nuk do të jetë nota ajo që do të mbetet

Maturantët

Hej ti, që po lexon me sy të lodhur pas një nate përsëritjeje. Ti që e ke barkun bosh nga emocionet, ndërsa tavolina është e mbushur me fletore, stilolapsa dhe shenja nervozizmi. Si gjithë maturantët…

Sot, çdo gjë duket se varet nga një numër i vetëm. Nga një notë. Nga një provim. Nga një derë shkolle që hapet dhe mbyllet.

Por le ta bëjmë një marrëveshje: le të dalim për një moment nga kjo ditë dhe të shkojmë disa vite më tutje.

Pas disa vitesh…

Imagjinoje veten pesë, gjashtë, dhjetë vjet më vonë. Je diku tjetër, në një qytet të huaj, në një zyrë, në një studio artistike, në një laborator, në një kafene universiteti, në një rrugë të mbushur me njerëz të panjohur.

Një aromë boje stilolapsi, një portë shkolle që i ngjan asaj të vjetër, një zë i lartë nxënësish që qeshin,dhe papritur mendja kthehet pas.

E para gjë që të vjen ndër mend nuk është nota në fletën e provimit. Nuk është 7, 8, 9 apo 10. Janë lëmshi në fyt tek zbrisje shkallët për në provim, korridoret plot ankth, zëra të ulët, hapa që përzihen me frymëmarrje, përqafimet jashtë shkollës, dikush që të shtrëngoi dorën dhe të tha “do ia dalësh”, drita e fortë e qershorit pasi dole nga një natë e gjatë përsëritjesh, sytë që të lageshin jo vetëm nga lodhja, por edhe nga lehtësimi.

Matura peshon shumë, sepse po e jeton tani. Kujtesa, përkundrazi, zgjedh të mbajë ato çaste ku zemra të rrahu më fort: frikë, gëzim, lot, eufori. Nota është vetëm një numër diku në sfond. Një notë vlerëson një provim, por nuk mat një jetë.

Në moshën tetëmbëdhjetëvjeçare, për maturantët gjithçka duket e madhe

Në 18 vjeç, çdo gjë zmadhohet. Një provim duket si një mur i pakapërcyeshëm. Një zgjedhje fakulteti duket si një deklaratë e përjetshme: “Ky do të jem unë, përgjithmonë.” Një mesazh që nuk vjen duket si fundi i botës. Një dashuri që mbaron duket si humbja më e madhe që ke njohur ndonjëherë.

Është normale. Është mosha kur je në kufirin mes fëmijërisë dhe rritjes, dhe gjithçka merr përmasa gjigante. Të duket sikur një notë do të vulosë se kush do të jesh. Sikur një vendim i sotëm do të mbyllë të gjitha dyert e nesërme.

Por të rritesh do të thotë të zbulosh diçka tjetër: që pothuajse asgjë nuk është aq përfundimtare sa duket; që rruga mund të ndërrohet, mund të devijojë, mund të ribëhet nga e para; që njeriu riformohet shumë herë gjatë jetës, jo vetëm një herë në moshën 18 vjeç.

Ajo që sot të duket “pika e kthesës”, pas disa vitesh do ta shohësh si një etapë mes shumë etapave. Një kapitull, jo krejt libri.

Edhe frika me kalimin e kohës zvogëlohet

Mendo pak për frikat që ke pasur në klasën e pestë, të shtatë, të nëntë. Disa prej tyre sot të duken pothuajse qesharake, apo jo? Ashtu do të ndodhë edhe me frikën nga Matura. Sot zemra të rreh fort para se të hapësh derën e klasës, të duket sikur ke në shpinë gjithë pritshmëritë e familjes, të mësuesve, të vetes tënde, të duket sikur një gabim i vogël do ta prishë gjithçka.

Por nesër, pas një farë kohe kjo frikë do të tretet në kujtime. Do ta mbash mend më shumë si një emocion të fortë, jo si një kërcënim, do të kuptosh se ajo që dukej mal, ishte thjesht një shpat i pjerrët që ti e kalove. Frika nuk zhduket krejt, por humbet madhësinë. Ngushtohet, zë vendin e vet në një raft të kujtesës, mes shumë gjërave të tjera.

Të gabosh është një e drejtë rinore

Ka një të vërtetë që shpesh nuk ta thonë me zë të lartë: Në këtë moshë ke të drejtë të gabosh. Jo vetëm mund, por duhet të gabosh, të ngatërrohesh, të lëkundesh. Mund të ndodhë të zgjedhësh një degë studimi dhe pas një viti të kuptosh se nuk është për ty, të hysh në provim i bindur për një drejtim, dhe të dalësh me dyshime, të japësh më pak nga sa mundesh një ditë, sepse je lodhur, ke fjetur pak, nuk je mirë. Kjo nuk të bën as më pak inteligjent, as më pak të zotin. Të hutohesh, të bllokohesh, të harrosh një formulë ose një datë që e dije përmendësh mbrëmjen para provimit, e gjitha kjo është njerëzore. Është pjesë e procesit të të rriturit. Asnjë gabim në një provim nuk ka fuqinë të përkufizojë vlerën tënde si njeri. Asnjë notë nuk tregon sa di të duash, sa di të luftosh, sa di të ringritesh.

Jeta nuk është vetëm një provim

Shumë vite më vonë, do të kesh të tjera pyetje për veten: jo “sa mora në maturë?”, por “a jam i lumtur aty ku jam?”; jo “a dola më mirë se shoku im?”, por “a po bëj diçka që më bën zemrën të rrahë fort?”; jo “çfarë do të thotë kjo notë për mua?”, por “çfarë kam mësuar nga gjithë kjo përvojë?”.

Çfarë do të mbetet nga kjo periudhë? Metët me sy hapur mbi libra dhe fletore, mesazhet e gjata me shokët, paniku i përbashkët që shpesh kthehej në shaka, momentet kur qeshët edhe pse ishit të lodhur, ndjenjat e forta: frikë, entuziazëm, krenari, lodhje, lehtësim. Matura është një portë e rëndësishme, po, por nuk është as e para, as e fundit. Para saj kishe shumë sfida të tjera. Pas saj do të vijnë edhe më shumë.

Ti nuk je vetëm “nxënësi i maturës”, ti je gjithë historia jote, ajo që ka qenë dhe ajo që ende nuk është shkruar.

Një letër e vogël për ty, sot

Kështu që, ti që po përballesh me maturën: po, lejoje veten të emocionohesh, lejoje veten të kesh frikë, kujdesu, përgatitu, jep maksimumin tënd. Por njëkohësisht mos harro të marrësh frymë thellë para se të hysh në sallë, mos harro të shohësh rreth e rrotull shokët e tu, edhe ata po e jetojnë të njëjtën stuhi brenda vetes, mos harro të përqafosh veten, edhe nëse gjërat nuk shkojnë fiks siç i kishe menduar.

Sepse, një ditë, kur ta kthehesh me mendje tek kjo periudhë, nuk do ta shohësh veten si një numër në një dëftesë.

Do ta mbash mend si djalin apo vajzën 18-vjeçare që, mes frikës dhe dyshimeve, pati guximin të ulej përballë një flete të bardhë dhe të shkruante çfarë dinte më mirë.

Dhe ky guxim, jo nota, është ajo që të ndërton.

Në fund të fundit, një notë vlerëson një provim, por nuk mat një jetë.

Back to top button