BotaMAIN

Kina dhe Rusia në alarm: Bota e rrezikuar nga një luftë biologjike

Nga Federico Giuliani

“Il Giornale”

Misteri mbi origjinën e pandemisë së Covid-19 dhe akuzat e ndërsjella, pak a shumë pa bazë shkencore, midis Kinës dhe Shteteve të Bashkuara, kanë rikthyer në qendër të vëmendjes rreziqet e një lufte të mundshme biologjike.

Deri më tani, ai që dukej si një skenar i imagjinueshëm vetëm në filmat fantastiko-shkencorë, me departamentet speciale të populluara nga njerëz të veshur me kostume të padepërtueshme, gati për të dalë në terren kundër patogjenëve të padukshëm, dhe qytetarëve të fshehur pas maskave mbrojtëse, është bërë papritur një kontekst shumë i mundshëm.

Në valën e gjatë të teorisë së pakonfirmuar deri tani, sipas së cilës Sars-CoV-2 ka dalë aksidentalisht nga Instituti i Virologjisë në Vuhan të Kinës, opinioni publik ka filluar që të pyesë se çfarë mund të ndodhë kur në një të ardhme jo shumë të largët, dhe pavarësisht nga laboratori kinez, një vend vendos vullnetarisht të bëjë kërdinë duke përhapur një virus shumë infektiv dhe vdekjeprurës.

Emergjenca e Covid-19, i ka nxitur qeveritë në të gjithë botën që të rishikojnë sistemet e tyre përkatëse të shëndetit publik, të veprimit dhe parandalimit, duke analizuar nivelin aktual të mbrojtjes përballë një lufte hipotetike biologjike; një luftë kjo e bazuar tek një agjent biologjik i përdorur si një armë e shkatërrimit në masë.

Kërkesat e Kinës dhe Rusisë

Kina dhe Rusia i kanë kërkuar OKB-së që të monitorojë aftësinë e Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve për të zhvilluar luftëra biologjike. Një deklaratë e përbashkët, e nënshkruar nga Pekini dhe Moska, nxori në pah një aspekt që nuk duhet nënvlerësuar, pra që përparimet shkencore dhe teknologjike, e rrisin rrezikun që agjentët biologjikë të mund të përdoren si armë.

Geng Shuang, zëvendës/përfaqësues i përhershëm i Kinës në OKB, i ka kërkuar Uashingtonit që të pranojë një mekanizëm monitorimi të aftë për të kontrolluar statusin e armëve biologjike. Duke iu referuar Konventës për Ndalimin e Zhvillimit, Prodhimit dhe Magazinimit të Armëve Bakteriologjike dhe Toksike dhe Për Shkatërrimin e Tyre (BWC) si një shtyllë e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare, aksi Kinë-Rusi ripohoi dëshirën e tij për të mbrojtur efektivitetin e këtyre konventave.

Arsyeja është e qartë:synimi i BWC është të përjashtojë mundësinë që agjentët biologjikë të mund të përdoren si armë gjatë një konflikti. Por të dyja vendet shprehën gjithashtu shqetësimin se disa shtete palë në BWC,kanë dështuar të arrijnë ndonjë marrëveshje mbi këtë çështje.

Dhe një situatë të tillë i jep mundësi dyshes Moskë-Pekin që të drejtojë gishtin e akuzës tek aktivitetet ushtarake biologjike të Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj, sidomos në lidhje me “mbi 200 laboratorë biologjikë amerikanë, të vendosur jashtë territorit të saj kombëtar, që funksionojnë në mënyrë jo transparente”.

Rreziqe që s’duhen nënvlerësuar

Pozicioni i Rusisë dhe Kinës,që po bëhet gjithnjë e më kritik, është vetëm maja e ajsbergut:“Duke pasur parasysh faktin që Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj nuk japin ndonjë informacion domethënës mbi ato aktivitete ushtarake biologjike që mund t’i japin fund shqetësimeve të bashkësisë ndërkombëtare, Federata Rusia dhe Kina i bëjnë thirrje Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të tyre që të veprojnë në mënyrë të hapur, transparente dhe të përgjegjshme, duke siguruar informacionin e duhur mbi aktivitetet e saj ushtarake biologjike të kryera jashtë dhe në territorin e saj kombëtar”.

Por cila është baza e kësaj kritike?Para së gjithash, është çështja e imazhit. Kina është akuzuar vazhdimisht nga SHBA se ka kontribuar në shpërthimin e pandemisë së Covid-19 pas një incidenti laboratorik. Nga ana tjetër, pa pasur ende asnjë dëshmi shkencore, Pekini i ka mohuar akuzat dhe pretendon se koronavirusit ka dalë nga baza amerikane “Fort Detrick”. Kështu ne vijmë tek arsyeja e dytë që e nxiti dyshen Kinë-Rusi të ankohet në OKB:Moska dhe Pekini synojnë që të parandalojë që një vend të mbështetet tek aftësitë e tij biologjike për të fituar një luftë të mundshme.

Muajt ​​e fundit është folur shumë për bazën “Fort Detrick”. Në fakt, do të ishte më e saktë të flitej për Institutin e Kërkimeve Mjekësore të Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara për Sëmundjet Infektive, apo Institutin e Kërkimeve Mjekësore të Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara për Sëmundjet Infektive (USAMRIID).

E kontrolluar nga ushtria amerikane, ajo është qendra më e rëndësishme amerikane për kërkime mbi kundërmasat që do të zbatohen në rastin enjë lufte biologjike. Pranë USAMRIID, bie në sy prania e Komandës së Kërkimit dhe Zhvillimit Mjekësor të Ushtrisë Amerikane (USAMRDC), Instituti Kombëtar i Kancerit-Frederick (NCI-Frederick), Konfederata Kombëtare Ndërinstitucionale për Kërkime Biologjike (NICBR) dhe Kampusi Kombëtar Ndërinstitucional i Mbrojtjes Biologjike (NIBC).

Kina dhe Rusia mund të mbështeten tek strukturat e tyre. Por në këtë rast synimi ishte të zhvendosej vëmendja tek Uashingtoni. Në mesin e gjithë kësaj, midis tensioneve të brendshme dhe të jashtme, ne nuk duhet të harrojmë fokusin kryesor:rrezikun e një lufte të mundshme biologjike në shkallë të gjerë.

Back to top button
Close
Close