Nunc est Bibendum

Gratë që i dhanë formë Bordosë

 

Le ta fillojmë këtë vit me zonjat. Pak me vonesë ndoshta duke konsideruar datën e sotme, por për Nunc est Bibendum kanë qenë ditë impenjimi me ngritjen e një “strehe”, për lexuesin e rubrikës, të cilës do t’i rikthehemi së shpejti.

E pra për gjininë më të ndjeshme janë rreshtat që pasojnë. Por jo vetëm për figurat e larta, që ndoshta më shumë njihen e admirohen si Baroneshë Philippine de Rothschild (Mouton), Corinne Mentzelopoulos (Chateaux Margaux), May-Eliane de Lencquesaing (Pichon Longueville Comtesse de Lalande), Florence Cathiard (Smith Haut Lafitte), të gjitha gra të shkëlqyera që kanë drejtuar pasuritë më të mëdha me vokacion verëtar, e kanë influencuar zhvillimet e zonës së Bordosë në shekujt XX dhe XXI.

Jo për këto kësaj here, por të tjera, më pak të njohura që me intuitën, pasionin, përkushtimin dhe këmbënguljen e tyre, lanë gjurmë në rrjedhën e historisë së rajonit verëtar me famë, shkruan Jane Anson.

Eleanor e Akitanjës, padyshim

E dimë që nuk po themi ndonjë të re – e në Nunc Est Bibendum e kemi përmendur tashmë, por nuk mund të mos përmendet gjithësesi, kur mendon se pa të nuk do kishte Bordo, siç e njohim sot.

Eleanor ishte vajza e Guillaume X, Duka i fundit i Akitanjës, i cili u martua me Henry Plantagenet të Anglisë më 18 maj 1152, tetë javë pas anullimit të martesës së saj të parë me mbretin Louis le Jeune të Francës.

Ajo ishte praktikisht zonja më e pasur në Francë, dhe solli me vete tokat e Akitanjës si pjesë e pajës së saj.
Henry dhe Eleanor patën pesë djem dhe tre vajza dhe pasaardhësit e tyre do të mbanin Bordonë në duar angleze për tre shekuj me rradhë.

Në kohën kur rajoni iu rikthye Francës, në vitin 1453, ndikimi i tregut dhe i sitemit anglez të shitjes përmes ndërmjetësuesish e tregtarësh, ishte ngulitur fort.

Jeanne de Bellon

Château Haut-Brion besohet të ketë qenë prona e parë në rajon që ka shitur verë me emrin e vendit ku kultivohej (më parë, vera ishte shitur nën identitetin e saj rajonal si Bordeaux ose ndoshta si Graves), dhe gratë kanë qenë kyçe gjatë gjithë historisë së saj.

Mund të konsiderohet, një grua e quajtur Johana Monadey si Seigneur (zonja që gëzonte titullin e feudalit) në kohën e regjistrimit të parë të 29 rreshtave të rrushit, në një vend të njohur si Aubrion, në vitin 1436. Por ishte Jeanne de Bellon, vajza e kryetarit të Bashkisë së Libourne, e cila luajti rolin më të madh, nëpërmjet martesës së saj me Jean de Pontac, njeriu që i dha udhë pronës, siç e njohim sot.

E përsëri përmes një prike, ashtu si edhe në rastin e Eleanorës së Akuitanjës – në kohën e martesës së saj Jeanne kishte në pronësi parcelat e tokës rreth Aubrion. Me t’u martuar, çifti e bindi feudalin e atëhershëm, Jean Duhalde, t’u shiste krejt titullin dhe të drejtat mbi Aubrion, në vitin 1533, për 2,640 franga.

Jeanne mund të ketë qenë vetëm e para e tre grave të Zhanit (me të cilat ai pati 15 fëmijë), por dhurata e saj e martesës filloi ngjitjen drejt suksesit të brandit të parë të verës në botë.

Më shumë se gjysma e hardhive aktuale të Haut-Brion ishin mbjellë nën sundimin e de Pontac, pjesë të château-së të tanishme ishin ndërtuar po ashtu nga ai. Në kohën e vdekjes së tij, Haut-Brion kishte hyrë tashmë në rrugën e saj të krijimit të një kategorie të re vere cilësore.

Caroline de Villeneuve

Klasifikimi i vitit 1855 njihet gjerësisht si klasifikimi më i rëndësishëm i verës në botë, por asokohe nuk përbënte ende një risi me peshë, pasi kishte pasur disa renditje paraprakisht, e të tjera pritej të pasonin. Shumë verëtarë nuk u shqetësuan madje as për dërgimin e shisheve deri në Paris, për t’i ekspozuar.

Kishte, megjithatë, një përjashtim të dallueshëm, dhe kjo ishte Caroline de Villeneuve.

Pronare e Château Cantemerle, ajo ishte gruaja në sajë të së cilës prona kishte zënë vend në klasifikimin e vitit 1855. Për shumë vite Villeneuve kishte operuar me shitje të drejtpërdrejta, kryesisht në Hollandë, por në vitin 1854, ajo ia kishte kaluar të drejtat tregtare Place de Bordeaux.

Kur vetëm 12 muaj më vonë, ajo zbuloi se e kishin lënë jashtë klasifimit të Parisit, e inatosur insistoi të takonte ndërmjetësit përgjegjës për vendimet që pranonin apo linin jashtë liste chateaux të ndryshme.

Takimi u zhvillua në Shtator të vitit 1855, e menjëherë më pas Cantemerle iu shtua listës si nivel i pestë i klasifikimit apo Cinquièmes Crus. (Mund të shihet edhe sot e shtuar me shkrim dore në fundin e dokumentit origjinal).

Madame Marie-Louise Labat

Gjithnjë e njohur thjesht si Madame Labat, kjo grua na dha Petrus-in (ndoshta merloti më i famshëm në botë) siç e njohim ne sot – dhe duke vepruar në këtë mënyrë, që nuk është absolutisht pak, i dha tërë emërtimit Pomerol ballinën dhe shtysën drejt lavdisë. Vera tashmë kishte fituar një çmim e pak në fund të shekullit të 19-të në Paris, por ishte përpjekja e palodhshme e Madame Labat, arsyeja pse ajo mori me të vërtetë vendin e saj, si një legjendë e Bordo.

Që prej blerjes së kuotave të para në Petrus në vitin 1923 deri sa ajo bleu të gjithë pronën në vitin 1929, e më tej gjer afër fundit të jetës së saj në vitin 1929, kur ishte 85 vjeçare, u sigurua që vera e saj të pihej nga të gjithë njerëzit e duhur, e në të gjitha vendet e duhura.

Në librin e tij brilant, “Zonja më e sofistikuar në Bordo”, i cili nuk duhet humbur, Alain Raynaud shkruan: “Ajo ishte gjithnjë e veshur shumë mirë, me flokët e bëra çdo javë e nuk i mungonte asnjëherë make-up dhe kapelet e saj të bukura … Ajo ishte personaliteti i Pomerolit dhe e para që marketonte verën e saj Pomerol. Sa herë do të kishte një martesë mbretërorë në Europë, ajo do të dërgonte kutitë e saj me Petrus si dhuratë e do të merrte pjesë në ceremoni”.

Padyshim që ishte kontrata e firmosur me Pierre Moueix për shpërndarjen e verërave, në vitin 1940 ajo që i dha hovin final, por Madame Labat duhet konsideruar me të drejta të plota, shenjtorja mbrojtëse e zonës Pomerol.

Gaby Faux

Gratë në të gjithë Bordonë, ishin sigurisht të rëndësishme për mbarëvajtjen e vreshtave gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Por Gaby Faux, llogaritare në Château Lafite-Rothschild, ka bërë shumë më tepër se kaq. Si tregojnë Don dhe Petie Kladstrup, Madame Gaby – sepse ashtu njihej ajo – jetonte në Lafite dhe për pjesën më të madhe të luftës, ruajti disa nga objektet më të shenjta të Sinagogës së Madhe të Parisit nën shtratin dhe në banjën e saj, për t’i mbrojtur ato nga trupat gjermane, të cilat u vendosën në château.

Ajo fshehu gjithashtu shumë nga shishet më të çmuara, përfshirë edhe famëkeqen e vitit 1797, në bodrumet e châteaux-ve fqinjë. Dhe në mënyrë akoma më të rrezikshme, nisi të kujdesej për dokumentacionin, duke arritur me kujdes të transferonte titullin e pronësisë së shisheve Lafite prej brezit më të vjetër të Rothschild-ëve, që ishin arratisur nga Franca, tek vëllezërit Alain dhe Elie që ishin të burgosur lufte, sepse e dinte që prona e tyre do të ishte mbrojtur nga Konventa e Gjenevës e nuk do të mund të prekej nga gjermanët.

Prandaj, meqë Lafitë do të festojë këtë vit 150 vjet pronësi Rothschild, le të shpresojmë se këta të fundit (si edhe kushdo tjetër që ka blerë një shishe Lafite të vjetër në ankand) të ngrejë një dolli për Gaby Faux.

Diala Younes-Lavenu

Dany Rolland mund të jetë profili më i lartë enologjik femëror në Bordeaux, ndoshta së bashku me Valérie Lavigne, autore e një studimi tejet inovativ mbi oksidimin e parakohshëm në verërat e bardha.

Por së fundmi, vetëm dy javë më parë, Diala Younges-Lavenu është bërë gruaja e parë që zgjidhet presidente e Shoqatës së Enologëve të Bordosë, një grup që numëron 450 anëtarë.

Younes-Lavenu me origjinë nga Libani, filloi karrierën e saj në Chateau Kefraya në Luginën Bekaa para se të lëvizte në Francë në vitin 2008. Ajo shpreson të përdorë të kaluarën e saj për të forcuar lidhje sa më të ngushta mes shkollave të enologjisë në Bordo dhe institucioneve ndërkombëtare.

 

Laure de Lambert Campeyrot

Cila është sfida më e vështirë në Bordeaux sot? Mund të jetë vetëm vera Sauternes, dikur fort e dashur nga mbretërorë e carë, tani anashkaluar nga shumë e shumë. Pronare dhe drejtore teknike në Château Sigalas RABAUD, Laure de Lambert Campeyrot, shpreson ta ndryshojë këtë duke e lidhur gjithashtu me sfidën tjetër bashkëkohore të Bordosë, që është mbështetja e “partisë” së ndërhyrjes sa më të ulët, që po përfshin tashmë gjithë botën e verës.

Ajo e bën këtë duke mbajtur të pandryshuara parcelat e saj më të mira për një prodhim të reduktuar të verës së ëmbël klasike, teksa po vazhdon zgjerimin prodhimin e verës së bardhë të thatë La Demoiselle de Sigalas dhe asaj 100% Semillon ‘The Sémillante’, dhe futjen e stileve të reja: të tilla si squfur zero No 5 de Sigalas RABAUD (që në fakt do të pësojë së shpejti një ndryshim të emrit, sepse një shoqëri e vogël parfumesh ka ngritur kundërshtime ndaj të parit …).

Kjo verë është vetëm pak e ëmbël (rreth 60 g / l të sheqerit të mbetur Krahasuar me 120g / l për Sauternes kryesore) me vetëm pak e CO2 të shtuar për të dhënë një efekt të butë Spritz.

Në këtë mëyrë ajo i bashkohet Berenice Lurton, e cila gjithashtu po ri-imazhon verën e ëmbël të Bordosë, me verërat e saj të mahnitshme, biodinamike me ndërhyrje të ulët, në fqinjën Château Climens në Barsac. / Andi Qinami / Bota.al

 

Leave a Reply

Back to top button