“Magjistari i Kremlinit”, ose Rasputini i kohëve moderne

Magjistari i Kremlinit

Paul Dano dhe Jude Law luajnë në filmin “Magjistari i Kremlinit”, mbi ngjitjen në pushtet të Vladimir Putinit dhe një versioni të krijuar, të njeriut të tij më të afërt.

Historia është e mbushur me rrëfime për njeriun që qëndron prapa njeriut: atë që tërhiqte fijet, orkestronte lëvizjet dhe i shihte të gjitha të ndodhnin nga prapaskena. Edhe pse një tekst në fillim të “Magjistari i Kremlinit”, me regji të Olivier Assayas, na kujton se filmi është “një vepër artistike me karakter fiksional”, ai bazohet pjesërisht në historinë e një njeriu të tillë: Vladislav Surkov, politikan dhe biznesmen rus, i cili ishte një nga ndihmësit më të afërt të presidentit rus Vladimir Putin, deri sa u shkarkua papritur në vitin 2020. 

Për disa, Surkov ishte një eminencë gri në Kremlin, por edhe një mjeshtër i propagandës politike, që manipulonte mediat për të ruajtur kontrollin.

Në film, alter egoja e tij është Vadim Baranov (Paul Dano), një burrë me sjellje të qetë dhe shije të rafinuar për artin dhe letërsinë. Skenari, i shkruar nga Assayas së bashku me Emmanuel Carrère, bazohet në romanin e vitit 2022 të Giuliano da Empolit.

Filmi na prezanton me Baranovin përmes një gazetari dhe studiuesi amerikan të Rusisë, Lawrence Rowland (Jeffrey Wright). Rowland ka botuar në revistën Foreign Affairs një artikull me titull “Vadim Baranov dhe shpikja e demokracisë së rreme”, i cili duket se ka tërhequr vëmendjen e vetë Baranovit. Gjatë një qëndrimi në Moskë në vitin 2019, Rowland shkëmben mesazhe në rrjetet sociale për romanin proto-oruellian të vitit 1924 “Ne”, të shkrimtarit bolshevik Yevgeny Zamyatin, me një person të panjohur. Kur pranon ftesën për t’u takuar në shtëpinë e këtij personi në fshat, zbulon se bëhet fjalë pikërisht për Baranovin.

Që prej këtij momenti, “Magjistari i Kremlinit” merr formën e një historie brenda historisë. Baranovi e udhëheq Rowland-in nëpër jetën e tij, duke i treguar se çfarë kishte kuptuar drejt dhe çfarë gabim në artikullin e tij. Por në të vërtetë duket sikur Baranovi po rikthehet në kujtimet e veta në kërkim të përgjigjes së një pyetjeje që as ai vetë nuk arrin ta formulojë plotësisht.

Rrëfimi nis me jetën e tij si student në fillim të viteve 1990, në Rusinë e re, menjëherë pas shembjes së komunizmit sovjetik. Gjithçka dukej e mundur dhe paratë qarkullonin pa kufi. Në kujtimet e Baranovit, ajo periudhë ishte si një festë e pafundme, ose ndoshta një orgji, ku në një festë private mund të shihje një burrë lakuriq me zinxhir që ndiqte një këngëtare punk. 

Si student e më pas regjisor i teatrit avangardë, ai jetonte mes artit dhe poezisë bashkë me të dashurën e tij, Ksenia (Alicia Vikander). Kur në jetën e tyre hyn Dmitri Sidorov (Tom Sturridge), një biznesmen vulgar, por argëtues dhe themelues i bankës së parë tregtare ruse, gjithçka fillimisht bëhet më e ndritshme, e më pas më e errët.

Më vonë Baranovi kalon në një punë në prodhimin e televizioneve të reality show-ve, dhe pikërisht aty historia fillon të marrë formën që njohim.

“Magjistari i Kremlinit”, nga entuziasmi tek oligarkët dhe Putini

Në thelb, “Magjistari i Kremlinit” është një film mbi mënyrën se si Rusia kaloi nga entuziazmi i viteve të para pas Bashkimit Sovjetik, te ngritja e oligarkëve dhe, më pas, te vendosja e Vladimir Putinit (një Jude Law pothuajse rrëqethës në interpretim) në krye të shtetit. Ish-oficeri i KGB-së e vlerësonte pushtetin më shumë sesa paranë. Oligarkët që e zgjodhën Putinin si pasues të Boris Yeltsinit e kuptojnë shumë vonë se ai nuk do të ishte kukulla e tyre.

“Ajo që më intereson është rikthimi i integritetit të Federatës Ruse,” i thotë ai Baranovit.

Dhe kjo nënkupton një gjë: përqendrimin e pushtetit tek vetja.

Baranovi, falë talentit të tij për të ndërtuar rrëfime bindëse, bëhet i dobishëm për Putinin. Në këtë pikë, ai ka humbur pothuajse çdo idealizëm. Teksa bëhet gjithnjë e më nihilist, duke besuar se e vërteta është çfarëdo që ai vendos të jetë, edhe vendi i tij merr të njëjtin drejtim. Përvoja në teatër dhe televizion rezulton ideale: ai shndërrohet në një gjeni të komunikimit politik, duke kuptuar se si teatri politik mund të mos pasqyrojë realitetin, por ta krijojë atë. Për këtë arsye, njerëzit fillojnë ta quajnë “Rasputini i Ri.”

Siç mund ta keni kuptuar edhe nga aktorët, “Magjistari i Kremlinit” nuk është në gjuhën ruse. Aktorët flasin anglisht, çka sugjeron se filmi është menduar si një interpretim i historisë ruse për publikun ndërkombëtar. Edhe pse zgjat 136 minuta, ai mbulon një periudhë shumë të gjerë historike me një ritëm të shpejtë. Kjo krijon një efekt interesant dramatik: historia rrjedh përmes syve të Baranovit në linja të mëdha, ndërsa figura si Putini, që zakonisht i shohim çdo ditë në lajme, fillojnë të duken si personazhe të një drame teatrore.

Edhe pse kjo qasje mund të thjeshtojë një figurë komplekse, ajo ndihmon për të kuptuar motivet që e shtyjnë një njeri të veprojë. Në teatër apo në kinema, personazhet kanë role, tipare psikologjike dhe motive që i çojnë drejt zhvillimit të tyre. Në këtë film, versioni pjesërisht i trilluar i autoritarit nuk udhëhiqet nga dëshira për para, si oligarkët, por nga etja për pushtet. Ndërtimi i një imazhi force është pjesë e këtij qëllimi; propaganda është instrumenti që e bën të mundur.

Është një mënyrë e dobishme për të kuptuar liderët në mbarë botën. Baranovi shërben si figura ideale për këtë analizë, sepse ai e kupton nga afër sa lehtë mund të ndikohen dhe të formësohen mendjet e njerëzve.

Ky vështrim pas perdes është njëkohësisht forca më e madhe dhe elementi më i frikshëm i “Magjistarit të Kremlinit”: ideja se, në një epokë ku e vërteta mund të prodhohet artificialisht, ata që e prodhojnë atë mbajnë në duart e tyre një pjesë të madhe të vetë realitetit.

Por edhe ata mund të hidhen tutje sapo të mos jenë më të dobishëm për të pushtetshmit.

Dhe atëherë lind pyetja e fundit: Për çfarë vlejti gjithë ajo magji? / bota.al

Back to top button