
Gabriella Greison
Vapa rekord e këtyre ditëve ka rikthyer në qarkullim një nga shprehjet më të qëndrueshme të viteve të fundit. Ajo i reziston valëve të të nxehtit, statistikave, hartave, madje edhe kushëririt që “i ka bërë kërkimet e veta”. Shprehja është: “Edhe dyzet vjet më parë bënte vapë.”
Është një shprehje interesante. Jo sepse është e pavërtetë. Në fakt, është e vërtetë. Edhe dyzet vjet më parë kishte vera përvëluese. Kishte rekorde temperaturash. Madje kishte edhe breshër të papritur dhe përmbytje. Problemi është një tjetër.
Kjo shprehje duket sikur ka dalë nga një tekst shkollor i shekullit XIX, ndërsa klima është një problem që i përket fizikës së shekullit XXI.
Kush e thotë këtë fjali e imagjinon klimën si një termometër gjigant: temperatura ngrihet pak, pastaj bie pak. Çdo vapë pasohet nga një periudhë e ftohtë. Nëse diçka e ngjashme ka ndodhur edhe sot, atëherë nuk ka asgjë të re.
Por klima nuk është një termometër. Është një nga sistemet më komplekse që njohim. Dhe pikërisht këtu fillon të na tradhtojë logjika e zakonshme. Dalin në skenë shprehjet e gatshme, klishetë.
Më e zakonshmja është: “Eh, gjithmonë ka bërë vapë.” Ose kushëriri i saj i afërt: “Në vitin 1983 ishte edhe më keq.” Dhe, natyrisht, kampioni olimpik i kësaj kategorie: “Dikur kishte stinë të ndërmjetme.”
Kjo e fundit, meqë ra fjala, është ndoshta e vetmja teori klimatike që ka mbijetuar për dekada pa botuar asnjëherë një artikull shkencor.
Fatmirësisht ekziston fizika. Ajo është shumë më pak spektakolare se klishetë, por e shpjegon botën shumë më mirë. Për shekuj me radhë jemi mësuar të mendojmë në mënyrë lineare. Nëse dyfishoj një forcë, pres të marr dyfishin e efektit. Nëse rris pak një shkak, pres një pasojë pak më të madhe.
Por natyra nuk e ka nënshkruar kurrë këtë marrëveshje. Sistemet komplekse funksionojnë ndryshe. Ato përbëhen nga miliona elementë që ndërveprojnë vazhdimisht: atmosfera, oqeanet, rrymat, akujt, bimësia, retë.
Asnjë prej tyre nuk vendos vetëm.
Megjithatë, të gjithë së bashku krijojnë diçka që nuk i përket asnjë elementi të veçantë.
Vapa përvëluese dhe emergjenca në Fizikë
Në fizikë ky fenomen quhet emergjencë. Dhe pikërisht këtu arsyetimi “edhe dyzet vjet më parë…” fillon të shembet. Sepse ai ngatërron një ngjarje të vetme me mënyrën se si sillet i gjithë sistemi.
Le të marrim një shembull. Imagjinoni të hidhni një palë zara. Del gjashta. E hidhni sërish. Del përsëri gjashta. Mund të ndodhë. E hidhni një mijë herë dhe gjashta vazhdon të dalë pothuajse dyfish më shpesh sesa duhet. Në këtë pikë, asnjë fizikan nuk do të thoshte: “Epo, edhe më parë doli gjashta.”
Do të thoshte diçka krejt tjetër: Ka ndryshuar shpërndarja e probabiliteteve. Dhe pikërisht kjo është ajo që po vëzhgojmë te klima. Nuk është rekordi i sotëm ai që na tregon diçka. Është fakti që rekordet po ndodhin gjithnjë e më shpesh.
Që po thyhen me diferenca gjithnjë e më të mëdha. Që zgjasin më shumë. Që shfaqen njëkohësisht në rajone të ndryshme të planetit. Shumë njerëz e imagjinojnë ngrohjen globale si një lloj ashensori.
Temperatura mesatare rritet me një ose dy gradë dhe gjithçka tjetër e ndjek me rregull. Nuk funksionon kështu. Sikur të ishte ashensor, të paktën do të kishte një buton për t’u kthyer në katin përdhes.
Mendoni për kurbën klasike në formë kambane, e cila përshkruan shumë dukuri natyrore. Shumica e ngjarjeve përqendrohen pranë mesatares. Ngjarjet ekstreme ndodhen në skajet e kurbës.
Nëse kjo kurbë zhvendoset qoftë edhe pak djathtas, fenomenet ekstreme rriten shumë më tepër sesa do ta sugjeronte vetë zhvendosja.
Mjafton një ndryshim i vogël i mesatares që probabiliteti i ngjarjeve më të rralla të rritet në mënyrë të jashtëzakonshme. Kjo është matematikë, jo ideologji.
Por ka edhe më shumë. Sepse klima nuk është vetëm statistikë. Është një sistem dinamik. Dhe në sistemet komplekse ekzistojnë mekanizmat e feedback-ut (vetëpërforcimit).
Toka nxehet. Humb lagështinë. Një tokë e thatë avullon më pak ujë. Duke avulluar më pak, ajo i heq më pak nxehtësi mjedisit. Prandaj nxehet edhe më shumë. Sa më shumë nxehet, aq më shumë thahet. Sa më shumë thahet, aq më shumë nxehet. Është një rreth vicioz që ushqen vetveten.
E njëjta gjë ndodh me qëndrueshmërinë e anticikloneve, me disa rryma atmosferike dhe me transportin e lagështisë. Kur këto ndërveprime fillojnë të përforcojnë njëra-tjetrën, sistemi nuk përgjigjet më në mënyrë proporcionale. Ai ndryshon mënyrën se si sillet. Dhe kjo është fjala kyçe: Sjellja.
Sistemi po ndryshon mënyrën e sjelljes
Sot nuk po vëzhgojmë thjesht disa gradë më shumë. Po vëzhgojmë një sistem që po ndryshon mënyrën e vet të funksionimit. Ai që vazhdon të përsërisë: “Edhe dikur bënte vapë”, në të vërtetë po përshkruan motin. Klimatologjia studion klimën. Janë dy nivele krejt të ndryshme.
Është si të vëzhgosh një molekulë të vetme uji dhe të besosh se ke kuptuar një uragan. Fizika e sistemeve komplekse na mëson se vetitë më interesante nuk u përkasin elementëve të veçantë. Ato i përkasin tërësisë.
Pikërisht për këtë arsye, mohimi i ndryshimeve klimatike shpesh duket më shumë si një gabim metodologjik sesa si një çështje opinionesh.
Është pak a shumë si të pretendosh se e ke kuptuar bursën duke ndjekur vetëm një aksion të vetëm. Ose trafikun e Milanos duke parë vetëm një makinë.
Modeli mendor rezulton i gabuar. Dhe kur modeli është i gabuar, edhe përfundimet mund të duken të arsyeshme. Por mbeten të gabuara. Për shekuj me radhë kemi menduar se klima ishte, mbi të gjitha, një çështje temperature.
Temperatura është ajo që ndiejmë mbi lëkurë. Ndërsa fizika shikon energjinë. Sepse kur ndryshon bilanci energjetik, ndryshon edhe mënyra se si evoluon sistemi. Klima nuk bën përjashtim. Valët e të nxehtit, thatësirat e zgjatura dhe fenomenet ekstreme janë simptoma.
Janë gjurma që lë një sistem i cili ka filluar të sillet ndryshe. Dhe pikërisht këtu fizika bëhet praktike. Kur një sistem i afrohet një pragu kritik, nuk vazhdohet ta ushqesh me shpresën se do të rikthehet vetvetiu në gjendjen e mëparshme. Përkundrazi, përpiqesh të zvogëlosh shkakun që vazhdon të rrisë energjinë e sistemit.
Kjo është arsyeja pse sot flasim për dekarbonizim, për efikasitet energjetik, për të gjitha teknologjitë që mund të ulin emetimet, nga energjia bërthamore e gjeneratës së re deri te burimet e rinovueshme. Jo sepse kështu e thotë ndonjë politikan. Por sepse kështu do ta thoshte një termodinamist.
Këto përfaqësojnë përpjekjen racionale dhe të matshme për të ndryshuar bilancin energjetik të sistemit.
Prandaj vazhdoj të buzëqesh kur dëgjoj të thuhet: “Edhe dyzet vjet më parë bënte vapë.” Në rregull.
Por sa më shumë energji po mban sot sistemi klimatik krahasuar me dyzet vjet më parë? Sepse është pikërisht nga ndryshorja energji që varet evolucioni i ardhshëm i sistemit. Mund të vazhdojmë të debatojmë për vapën dhe të vazhdojmë të arsyetojmë si në vitet tetëdhjetë.
Ndërkohë, Toka i përgjigjet energjisë që sistemi klimatik grumbullon, edhe falë nesh. Dhe nuk ekziston asnjë nostalgji që mund ta bindë të sillet ndryshe. / Corriere della Sera – Bota.al