BotaMAIN

Intervista / Svjetlana Cikanuskaja: Nuk tërhiqemi deri në rrëzimin e Llukashenkos, nëse Rusia na pushton…

Më 9 gusht, bjellorusët shkuan në qendrat e votimit për të zgjedhur një president të ri. Presidenti aktual Aleksandër Llukashenko triumfoi, por ai e manipuloi hapur procesin për të dalë fitimtar. Shpallja e rezultatit zyrtar, u pasua nga protestat e mëdha në rrugët e Minskut. Svjetlana Cikanuskaja, fituesja e sondazheve para ditës së votimit, bisedoi me gazetarin bjellorus Franak Viačorka nga një hotel në Vilnius të Lituanisë dhe përmes Skype me Melinda Haring, në lidhje me pritshmëritë e saj mbi protestat që po vazhdojnë të zhvillohen në kryeqytet, por edhe pjesë të tjera të vendit.

Si mund të bindet Lukashenko të lejojë një raund tjetër zgjedhor nën vëzhgimin e OSBE-së, apo një organizate ndërkombëtare legjitime?

Nuk na duhet aspak leja e Llukashenkos, pasi njerëzit nuk e konsiderojnë më atë një president të ligjshëm të vendit tonë. Prandaj, nuk kemi pse t’ia kërkojmë atij diçka të tillë.

Si do ta detyroni Llukashenkon të largohet?

Herët ose vonë, ai do të detyrohet të largohet, pasi qytetarët tanë nuk do të jenë në gjendje që ta pranojnë atë si president. Ata s’do të jenë në gjendje të punojnë me të. Ata nuk i besojnë më atij. Dhe Llukashenko nuk do të falet ndonjëherë për krimet që ka bërë. Të gjitha ato nuk do të harrohen. Vetëm protestat dhe grevat, janë garancia që ai do të largohet më shpejt sesa mund të mendohet… Ne do të luftojmë për aq kohë sa të jetë e nevojshme.

A nuk është koha në anën e Llukashenkos? Dhe në anën e rusëve?

Këtë vit njerëzit nuk do të dorëzohen kurrë. Ne do të vazhdojmë grevat, derisa ai të largohet nga pushteti.

Pse jeni kaq e sigurt?

Sepse unë e njoh popullin bjellorus.

Çfarë ka ndryshuar gjatë 10 viteve të fundit në vend?

Të rinjtë janë më të guximshëm se sa brezi i vjetër…Gjërat kanë arritur në një pikë ku nuk ka më kthim pas, dhe ne nuk do ta lejojmë kurrë që gjërat të rikthehen në gjendjen që kanë qenë për 26 vitet e fundit.

Si do t’i rezistojë opozita një tjetër shtypjeje nga regjimi?

Unë ju kërkoj të mos na quani më opozita, pasi ne jemi shumica. Ajo që unë di, është se njerëzit tanë janë të gatshëm që ta mbrojnë fitoren. Ne nuk e dimë se çfarë ka në mendje Llukashenko, por jemi të gatshëm që për gjithçka që mund të ndodhë, megjithëse nuk duam të ndodhë asgjë e keqe. Ne duam që ta zgjidhim këtë problem në mënyrë paqësore.

Çfarë komenti keni për përçarjet që raportohen se kanë ndodhur në gjirin e opozitës?

Ne jemi akoma të bashkuar, nuk do të përçahemi. Mendoj se e keni fjalën për partinë e re, apo jo? (Më 31 gusht, udhëheqësja tjetër e opozitës Maria Kolesnikova dhe ish i burgosuri politik Viktor Babariko, njoftuan se po formojnë një parti të re politike të quajtur “Së bashku”. Kolesnikova, Cikanouskaja dhe Veranika Capkala, u bënë bashkë për të mposhtur Llukashenkon në zgjedhjet e 9 gushtit).

Po…

Kjo nuk do të ndikojë në synimin tonë për të shkuar drejt zgjedhjeve të reja presidenciale.

A do të pranonit një proces tjetër me vëzhgues ndërkombëtarë?

Sigurisht. Ne kemi ftuar çdo vend që të monitorojë zgjedhjet tona.

A do të pranonit një palë zgjedhje të reja me Aleksandër Llukashenkon si kandidat?

Unë nuk mendoj se ai ka të drejtë morale që të garojë më në zgjedhje. Ai duhet ta kuptojë se bjellorusët nuk do ta pranojnë kurrë atë si president apo si kandidat.

Kur do të riktheheni në Minsk?

Do të shkoj atje sapo unë dhe fëmijët e mi të ndihemi të sigurt për jetën.

A jeni të gatshëm të bisedoni me Kremlinin?

Natyrisht, ne jemi të hapur për dialog me çdo vend.

Çfarë rezultati duan rusët në Bjellorusi? Sa gjasa ka që Moska të pushtojë ushtarakisht vendin tuaj?

Unë nuk e di në fakt se çfarë rezultati dëshirojnë ata. Ne vetëm mund të supozojmë, por ajo që ka rëndësi është rezultati që duan bjellorusët. Kjo është një çështje absolutisht e brendshme, dhe jo e jashtme… Nëse do të pushtoheshim, ky do të ishte një gabim i madh nga ana e Rusisë.

Pse presidenti rus Vladimir Putin e mbështet Llukashenkon?

Sinqerisht, nuk e di. Ndoshta ata ndajnë vlera të përbashkëta. Dhe Putini është mësuar me Llukashenkon. Ata kanë një gjuhë të përbashkët. Kam dëgjuar se Putini nuk dëshiron që Bjellorusia të bëhet demokratike. Shpresoj që ai ta kuptojë se një Bjellorusi e lirë dhe stabile, është edhe në interesin e Rusisë.

Çfarë po ndodh aktualisht me Këshillin Kombëtar të Koordinimit?

Unë e krijova Këshillin Kombëtar të Koordinimit si një platformë për zhvillimin e negociatave, në funksion të një zgjidhje paqësore të krizës politike. Sidoqoftë, Llukashenko po e tregon me të gjitha mjetet, se nuk e respekton vullnetin e qytetarëve, dhe nuk dëshiron bisedime. Por ai nuk ka asgjë zgjidhje në dorën e vet. Nëse një gjë nuk funksionon, ne do të provojmë diçka tjetër.

A do të vazhdojnë protestat?

Protestat do të vazhdojnë në çdo lloj rasti. Ato do të ndryshojnë formë. Të rinjtë do të na bashkohen. Nuk ka asnjë mundësi që njerëzit të heqin dorë nga kjo kauzë. Kjo është tashmë një çështje parimore, një kryengritje e mirëfilltë popullore. / “National Interest” – Bota.al

Leave a Reply

Back to top button