HistoriMagazine

Letrat e pabotuara: Ja si Alois Hitler e nxiti djalin e tij të bëhej përbindëshi që e njohin të gjithë

Figura e Adolf Hitlerit, vazhdon të mbetet një temë e rëndësishme e diskutimeve në mjedisin e sotëm akademik. Në fillim të këtij viti, historiani austriak Roman Sandgruber publikoi biografinë e parë të Alois Hitlerit, babait të diktatorit gjerman, e cila bazohet kryesisht tek 31 letra të pabotuara dhe të zbuluara vetëm 3 vjet më parë.

Rezulton se për më shumë se një shekull, letërkëmbimi i Alois Hitlerit gjatë një viti me njeriun që i kishte shitur një shtëpi në fshat në Austrinë e Epërme, qëndronte i harruar në një papafingo, përpara se të zbulohej rastësisht nga stërmbesa e marrësit të letrave të Alois.

Ky zbulim përshkruan ngjarjet para lindjes dhe gjatë fëmijërinë së njeriut që do të udhëhiqte më vonë Gjermaninë. Sandgruber e përkufizon Alois Hitlerin si një njeri autodidakt, që i besonte vetes shumë më tepër sesa tek të tjerëve, dhe kjo dëshmohet nga të dhënat e reja nga studimi i tij.

Në këtë kuptim, ky informacion i ri mbi babanë e Adolf Hiler, ndikon direkt mbi biografinë e nacional-socialistit, pasi ekzistojnë për herë të parë paralele midis të dyve. Për shkak të karakterit të Adolf Hitlerit, shumë pak dihet mbi fëmijërinë dhe të kaluarën para karrierës së tij politike.

Austriaku preferonte të mos fliste për çështjet e tij personale, dhe për vite me radhë janë hedhur hipoteza të ndryshme mbi origjinën e tij. “Kur nazistët filluar ngjitjen, dhe kur Adolf Hitleri u shfaq si një figurë politike kombëtare, pati disa spekulime rreth idesë se gjyshi i panjohur i Adolfit ishte hebre, por nuk pati asnjëherë ndonjë provë të besueshme që t’i konfirmonte këto zëra”- shkruan historiani Tomas Çajlders në librin e tij “Rajhu i Tretë: Një histori e Gjermanisë Naziste”.

I lindur më 20 prill 1889, në kufirin austro-gjerman, Alois ishte një zyrtar i doganave me pikëpamje liberale. Sidoqoftë, Roman Sandgruber pohon se i riu Adolf dëgjoi për herë të parë fjalë plot urrejtje ndaj popullatës sllave, dhe të një nacionalizmi të hekurt gjerman, pikërisht nga goja e babait të tij.

Ai priste që Adolf i ri të ndiqte gjurmët e tij në shërbimin qeveritar, dhe nuk i mbështeste aspiratat e tij artistike. Nga ana tjetër, nëse babai i tij nuk arriti të çonte idetë e tij përtej teorisë, djali i tij do t’i vinte ato në praktikë. Ngjashmëritë mes të dyve janë të shumta, madje edhe firma e Hitlerit ishte identike me atë babait të tij.

Sidoqoftë, marrëdhënia mes të dyve nuk përjashtoi dhunën, pre e të cilës ranë si gruaja ashtu edhe djali i Alois. Siç e thekson gazeta “Times”, Alois ishte një baba autoritar që “ushtroi një dhunë të konsiderueshme ndaj djalit të tij, dhe e trajtoi gruan e tij në mënyrë agresive”.

Letrat që autori ekspozon në librin e ri datojnë në vitin 1895, kur diktatori i ardhshëm ishte vetëm 6-vjeç dhe ato tregojnë vështirësitë ekonomike që përjetoi familja në fundin e shekullit XIX-të. Një mit tjetër që bie falë këtij zbulimi historik, është ai personalitetit të brishtë të nënës së Hitlerit, Klara.

Shkrimtari i referohet njërës prej letrave, ku Alois shpjegon se si gruaja e tij organizonte ekonominë e brendshme të familjes, ku ai vetë ishte i lëkundur. Sikur të mos mjaftonte, familja përdori një pjesë të parave të Klarës për të blerë shtëpinë në fshat, të cilën më vonë do ta shisnin për shkak të vështirësive financiare.

Alois Hitler vdiq në 1903, kur udhëheqësi i ardhshëm i Rajhut ishte vetëm 14 vjeç. Vdekja e tij çliroi nga presioni Adolfin dhe Klarën, megjithëse rrugët e të dyve do të ndaheshin së shpejti, për shkak të vdekjes së saj nga kanceri i gjirit.

Diagnoza e dhënë nga mjeku hebre Eduard Blok, ishte dëshpëruese për Adolfin. “Shqetësimet kryesore të Hitlerit pas largimit nga shkolla ishin siguria e tij financiare, jeta e tij intime, karriera si piktor dhe shëndeti i nënës së tij”- thotë profesori Brendan Sims në librin e tij “Hitleri:Atij i mjaftonte vetëm bota”.

Klara vdiq më 21 dhjetor 1907, dhe duhet theksuar se Adolfi jetim nuk e fajësoi kurrë mjekun hebre për vdekjen e nënës së tij. Antisemitizmi i tij do të zhvillohej vite më vonë, dhe pak nga pak Adolf Hitleri u shndërrua në monstrën që e njohin të gjithë.

Në librin e tij “Mein Kampf” (Lufta ime), ku kujton disa momente nga fëmijëria e tij, ai shkruan se e admironte babanë e tij, por donte më shumë nënën. Biografia e botuar në gjermanisht nga Roman Sandgruber, sjell jo vetëm informacion të ri mbi prindërit e tij, por ndihmon për të zgjidhur misterin mbi njeriun që u përpoq të dominojë Evropën dhe botën. Për momentin, 31 letrat të ruajtura mirë me zarfat dhe vulat e tyre, do t’u shiten në ankand muzeumeve, në mënyrë që ato të mund të shihen nga të gjithë.

Back to top button