Letersi

“Mbi dashurinë”, nga Khalil Gibran. Askush nuk e ka përshkruar më bukur

Atëherë Almitra tha: “Fol ti, Dashuri”. Dhe ajo u ngrit e pa popullin, dhe ky ra në qetësi të plotë. Me zë të prerë, ajo tha: “Kur Dashuria ju thërret, ndiqeni, Edhe nëse rrugët e saj janë të ashpra e të thikëta. Dhe kur flatrat e saj t’ju pushtojnë, besojini asaj. Edhe nëse shpata e tij, fshehur midis puplave, mund t’ju plagosë.

Dhe kur t’ju flasë, kini besim te ajo, edhe pse zëri i saj mund t’jua shkatërrojë ëndrrat, sikurse era e veriut shkatërron kopshtin. Sepse dashuria siç ju kurorëzon, ashtu edhe ju kryqëzon. Dhe siç ju bën të lulëzoni, ashtu edhe ju këput nga lëndina. Siç ngjitet në majën tuaj më të lartë e përkëdhel filizat më të njomë që drithërojnë në diell,  ashtu do të zbresë edhe në rrënjët tuaja dhe do t’i tundë derisa të dalin mbi tokë.

Si duaj gruri ajo iu mbledh. Ju godet fort deri në pikën e fundit. Ju kokrron për t’ua hequr egjrën. Ju bluan për t’ju bërë borë. Ju bën brumë derisa të jeni ende të butë. Dhe ju vë në furrën e saj që të bëheni buka e shenjtë e sofrës së Zotit. Të gjitha këto jua bën dashuria, që të mund të njihni sekretet e zemrës suaj dhe këtë njohje ta bëni fragment të zemrës së jetës.

Por nëse nga frika kërkonin tek dashuria vetëm paqe dhe kënaqësi, atëherë më mirë do të ishte për ju të fshihni lakuriqësinë tuaj dhe të dilni nga lëmi i dashurisë. Në botën pa stinë, ku qeshni por nuk e shteroni gjithë qeshjen tuaj e qani, por nuk i shteroni gjithë lotët tuaj.

Dashuria nuk jep asgjë veç vetes dhe nuk del kurrë jashtë vetvetes. Dashuria nuk përvetësohet dhe nuk do që të përvetësojë; sepse dashurisë i mjafton dashuria. Kur dashuroni, mos thoni: “E kam Zotin në zemër“, por thoni: “Unë jam në zemrën e Zotit”. E mos besoni se e udhëhiqni dashurinë, sepse po të jeni të denjë është ajo që ju udhëheq.

Dashuria nuk dëshiron t’ju japë detyra. Por nëse dashuroni e nëse është e pashmangshme që të kini dëshira, dëshirat tuaja do të ishin këto: “Të shpërbëheni dhe të imitoni rrjedhën e rrëkesë që këndon melodinë e saj natën. Ta njihni vuajtjen me shumë çiltërsi. Të jeni të therur nga i njëjti mirëkuptim i juaj i dashurisë dhe të rridhni gjak dëshirëplotë dhe të gëzuar. Të zgjoheni në mëngjes me zemrën plot flatra dhe të jeni mirënjohës për një ditë tjetër dashurie; Të pushoni në orët e mesditës e të meditoni për dehjet e dashurisë”.

Të lumtur, rifitojeni mbrëmjen; dhe bini në gjumë me një lutje në zemër për të dashurën dhe një këngë lavdi mbi buzët”.

Back to top button