Psikologji

Nuk mund të kthehesh pas në kohë, por mund ta ndërtosh të ardhmen tënde!

Çdo ditë është një ditë e ndryshme. Rrjedha e aktiviteteve mund të jetë e njëjta, por mënyra se si ato zhvillohen, apo kontakti me njerëzit e tjerë normalisht do të jenë ndryshe. Kjo do të thotë me pak fjalë, se ajo që ndodhi ditën e djeshme nuk mund të kthehet dhe të bëhet sërish më mirë në ditën e sotme, apo ajo që ndodhi sot, të bëhet më mirë ditën e nesërme. Koha vrapon, nuk pret asnjë nga ne dhe është paksa “e pamëshirshme” në këtë aspekt. Ajo ecën pa u kthyer pas.

Mirëpo ky fakt nuk duhet parë me pesimizëm, pasi mund të ndodhë që sot të trishtohesh dhe nesër të lumturohesh. Nëse sot nuk ke dhënë rezultatet e duhura në punë, nesër mund t’i provosh të gjithëve se mund të jesh më i mirë se ta. Pra, ecja para e kohës është dhe një mundësi për t’i përmirësuar gjërat e shkuara. Ato nuk mund të zhbëhen, por mund të përmirësohen me diçka të re që do e sjellë një ditë e re.

Binde veten se nesër do ta rindërtosh jetën tënde me më tepër përkushtim, sepse çdo gjë është e mundur. Vetëm ti mund ta ndihmosh veten të rritesh. Nëse përkushtohesh sa duhet, gjithmonë duke e kalitur vullnetin tënd, mund të arrish çdo gjë që synon. Provo, përballu me çdo gjë të mundshme dhe ec përpara me sigurinë që të paktën e ke provuar atë gjë. Nëse ti bën, apo thua ato që i mendon të arsyeshme, askush nuk mund të të gjykojë për to. Askush. Ti je një qenie njerëzore dhe në një pikë të caktuar, edhe ti gabon, por ajo që ka rëndësi është të vetëpërmirësohesh dhe të mos e përsërisësh të njëjtin gabim.

Në asnjë moment mos harro, se fjalët negative të njerëzve vrasin më tepër se plumbi. Ata le të flasin, ti ec përpara me jetën tënde. Mos u kushto vëmendje, sepse duke u përqëndruar në fjalë të tilla harron të përqëndrohesh në objektivat e tua.

Hidhe të shkuarën pas krahëve, shih vetëm drejt objektivave të tua dhe shumëzoji me zero gjithë gjërat e tjera  që të shpërqëndrojnë. Nëse ke gabuar në të shkuarën, dije se ti nuk përkufizohesh nga gabimet e tua, por nga fakti që mëson nga to për të mos bërë sërish të njëjtat gabime dhe i përdor për të ecur përpara në jetën tënde. Nuk është e thënë që e ardhmja jote është e shkruar, pasi një pjesë të saj e përcakton edhe vetë, ndaj përpiqu të bësh më të mirën për të pasur një të ardhme më të mirë. / bota.al

Leave a Reply

Back to top button