Speciale

Ngjitja e Asadëve

asadet

Konflikti në Siri ka tërhequr fuqitë e mëdha globale, disa prej të cilave e mbështesin dhe të tjera e kundërshtojnë presidentin Bashar al Asad. Familja Asad ka sunduar Sirinë për më shumë se katër dekada, por si u ngjitën në pushtet?

Hafez al Asad ka qenë arkitekti i Sirisë moderne. Pas disa dekadash grushte shteti dhe kundërgrushtesh shteti në Siri, Hafezi përdori rrjetin që kishte ndërtuar në postet e Komandantit të forcave ajrore siriane dhe Ministrit të Mbrojtjes, për të marrë pushtetin në vitin 1970.

Për të ruajtur pozicionin e tij, Hafezi krijoi një sistem përça e sundo dhe personalizoi pushtetin e tij në një masë të tillë, sa që tashmë ishte ai vetëm që e mbante në këmbë shtetin. Pasardhësi i tij do të trashëgonte një qeveri dhe institucione shtetërorë të dobët.

Ishte djali më i madh i Hafezit, Basseli që ishte përgatitur për të marrë pushtetin. Por vdekja e Basselit në një aksident rrugor në vitin 1994, nxorri në resht të parë vëllanë e tij, Basharin. Kur Bashar al Assadi mori presidencën në vitin 2000, pas vdekjes së Hafezit, të gjithë menduan se ai do të ishte një lloj “bëmë baba të të ngjaj”, por nuk rezultoi aspak kështu.

Kur mori pushtetin, fillimisht Bashari u detyrua që të punojë me tarafin e babait të tij, udhëheqës revolucionarë – shumë prej të cilëve kishin udhëhequr institucione shtetërorë kyçë, si shërbimi i sigurisë dhe ushtria, për dekada të tëra. Por, që të theksonte pavarësinë e tij, ai dalëngadalë i largoi, duke afruar grupin e tij të këshilltarëve.

Në shumicën e rasteve, ministra kyçë dhe institucione shtetërore kishin qenë nën fushëveprimin e aleatëve të besuar të Hafezit, që nga viti 1970.

Ndonëse këta institucione ishin politikisht të dobët, ata kishin shërbyer si mjete të rëndësishëm patronazhi dhe kishin ofruar një lidhje të rëndësishme, mes presidencës dhe bazës së saj të mbështetjes. Si të tillë, institucionet shtetërorë sillnin një ndjenjë të fortë besnikërie mes punonjësve, duke u bërë kështu kolona të fuqishme mbajtëse të shtetit.

Duke larguar njerëzit e rrethit të babait të tij, Bashari imponoi elitën e tij urbane mbi shoqërinë dhe dëmtoi integritetin e institucioneve kyçe.

Hafezi u ngjit në pushtet me një brez udhëheqësish që kishin ardhur kryesisht prej provincave rurale dhe kishte mbajtur lidhje të forta me zgjedhësit. Rrethi i ngushtë i Basharit, nga ana tjetër, përbëhet kryesisht nga fëmijë të elitës – një brez i rritur në qytet, me bazë vetëm rrathët e vet koncentrikë të influencës.

Shtrirja e kontrollit të Basharit ishte temë e debateve të fortë deri në fillimin e kryengritjeve në mars 2011. Ngriheshin pyetje, nëse Bashari i ishte nënshtruar ndikimit të “baronëve” të fuqishëm dhe pjesëtarëve të familjes, duke përfshirë motrën e tij, Bushra, të shoqin e saj të ndjerë, Asef Shavkat dhe vëllanë e tij Maher.

Të shumtë ishin ata që konkluduan se Bashari ishte një reformator dhe kishte për qëllim të hapte Sirinë, por ishte i shtrënguar prej klikës së babait të tij.

Ky ishte një vlerësim thjeshtësues i karakterit të Basharit; Bashari kultivoi me kujdes një numër gazetarësh, akademikësh dhe politikëbërësish perëndimorë për ta ndihmuar që të shfaqet i afrueshëm, simpatik dhe një njeri që mendon para se të veprojë.

Katër vjet më vonë, një debat i tillë është i dyshimtë. /BBC News – Bota.al

Leave a Reply

Back to top button