Flitet shpesh për efektivitetin e vaksinave në mbrojtjen nga format simptomatike të Covid-19, por shumë më pak për garancitë e tyre themelore. E para është shmangia e shtrimit në spital. Të gjitha vaksinat në qarkullim, janë plotësisht efektive kundër shtrimeve në spital dhe vdekjes nga koronavirusi.
E dyta është mbrojtja që ofrojnë vaksinat në rast se sëmureni, pasi e keni përfunduar ciklin e plotë të vaksinimit. Një ngjarje e rrallë, por jo e pamundur, pasi sistemi imunitar nuk funksionon njëlloj për të gjithë, dhe sepse asnjë vaksinë nuk siguron një mbrojtje 100 për qind.
Të mbrojtur edhe për skenarin më të keq
Një studim i botuar në “New England Journal of Medicine”, merret pikërisht me këto përfitime dytësore nga vaksinave mARN. Dhe e bën këtë duke u përqendruar mbi një grup njerëzish veçanërisht të rrezikuar nga infektimi, pasi ata janë shpesh në kontakt me pacientët e sëmurë me Covid-19:punonjësit në sektorin e shëndetësisë.
Sipas studimit të koordinuar nga Mark Thompson i CDC në Atlanta të SHBA-së, nëse sëmureni sërish dhe pas vaksinimit me vaksinat e Pfizer dhe Moderna, ju do të keni një ngarkesë të zvogëluar virale, me një rrezik më shumë se sa të përgjysmuar nga të pasurit ethe, dhe me mundësinë e një shërimi më të shpejtë.
Testet pozitive
Ekipi i studimit vëzhgoi 3.975 njerëz, kryesisht punonjës në sektorin e kujdesit shëndetësor. Nga 14 dhjetori 2020 deri më 10 prill 2021, pjesëmarrësit iu nënshtruan testeve javore ndaj SARS-CoV-2. Virusi u zbulua në 204 persona, 5 prej të cilëve ishin vaksinuar plotësisht (më shumë se 14 ditë pas dozës së dytë), 11 pjesërisht të vaksinuar (më shumë se 14 ditë pas dozës së parë, ose më pak se 14 ditë pas dozës së dytë), dhe 156 të pa vaksinuar. 32 persona me një status të pasigurt të vaksinimit u përjashtuan nga studimi.
Më pak infektime të reja, dhe më pak raste të rënda
Vaksinat kanë konfirmuar, madje edhe në botën reale dhe në individë shumë të ekspozuar ndaj virusit, një efikasitet prej 91 për qind pas dy dozave, dhe 81 për qind pas vetëm njërës. Megjithatë tek të vaksinuarit që u prekën nga infeksioni, ngarkesa virale (pra numri i kopjeve të ARN-së së virusit të pranishme në një mililitër material biologjik) ishte 40 për qind më i ulët se ai i gjetur tek të pa vaksinuarit.
Një lajm ky i shkëlqyer, pasi kjo vlerë është treguese e probabilitetit që kanë të prekurit për ta përhapur më tej patogjenin. Tek të vaksinuarit e infektuar, rreziku i simptomave në formën e etheve ishte 58 për qind më i ulët, sesa tek ata që nuk kishin marrë asnjë nga vaksinat.
Dhe kohëzgjatja e sëmundjes ishte më e shkurtër, me 2.3 ditë më pak të kaluara në shtrat.
Siç e shpjegon shkencëtari Erik Topol në një postim në Twitter, ky studimi është i rëndësishëm, pasi është vlerësimi më i madh deri tani i infeksioneve që ndodhin tek njerëzit e vaksinuar.
Për më tepër, frekuenca e këtyre infeksioneve është shumë e ulët, dhe madje edhe kur ndodhin, ato shkaktojnë shumë më pak simptoma, dhe zgjasin më pak në kohë. Dhe e gjithë kjo ka të bëjë me njerëz që janë përditë shumë të ekspozuar ndaj virusit. Në mjedise më të sigurta, rezultati duhet të jetë edhe më i mirë. / Focus – Bota.al