Të kesh një stil jetese minimaliste përfshin reduktimin në minimum të asaj që ke dhe, në një farë mënyre, të bësh pa gjëra materiale. Po flasim për një filozofi të jetuar dhe mbrojtur gjatë historisë, nga filozofë të lashtë grekë apo mësues zen budistë.
Në ditët e sotme stili minimalist i jetesës është tërheqës sepse përfaqëson një lloj largimi nga cikli punë-para-konsum. Nga ana tjetër, sipas Art Markman, profesor i psikologjisë dhe marketingut në Universitetin e Teksasit: çdo brez rinovon atë të mëparshmin, dhe minimalizmi duket si një bast i përhershëm për një pjesë të mirë të brezave të rinj. Gjeneratat e reja duket se po reagojnë ndaj epokës së konsumit të tepruar të dekadave të fundit.
“Shumë gjëra janë të disponueshme dhe ka shumë mediume që nxisin konsumin, prandaj njerëzit po reagojnë kundër kësaj,” shpjegon Markman. Për shumicën e brezit të ri, të bëjnë të njëjtat zgjedhje si prindërit e tyre thjesht nuk është një opsion.
Minimalizmi është interesant për shkak të dimensionit të tij shpirtëror. Ka shpresë se do të jetë pozitiv për anën tonë shpirtërore (ajo që ka mbetur disi jetime pas ndikimit më të vogël të fesë në shoqëri). Për më tepër, jeta minimaliste është e lidhur me ndërgjegjen sociale. Përzgjedhja e asaj që blejmë nënkupton ndëshkimin e atyre kompanive që nuk respektojnë kushte të mira pune për punëtorët e tyre; konsum më i ulët i burimeve natyrore; më pak ndotje; konsum më i ulët i energjisë, etj. Të gjitha këto janë ideale në përputhje me shqetësimet e brezave të rinj.
Pse është jeta kaq e çrregullt?
Është e vërtetë se bota në të cilën jetojmë është, sa kaotike, aq edhe e paparashikueshme. Është një mungesë rregulli për të cilin ne shpesh kontribuojmë me mënyrën tonë të jetesës.
Shumë njerëz nuk janë të kënaqur me punën e tyre, ata e perceptojnë çdo gjë që reklamat i bëjnë popullore si të nevojshme, hanë ushqime jo të shëndetshme, kalojnë kohë me njerëz me të cilët nuk duan të jenë. … Dhe kjo ndodh, jo sepse dikush na detyron, por sepse vendosim ta bëjmë.
Ne vendosim që nuk kemi mundësi të tjera, ose se kjo është më e mira për ne. Megjithatë, nuk jemi plotësisht fajtorë për këtë. Që në moshë të re shoqëria dhe konteksti në të cilin jetojmë na “shtyjnë” të jetojmë në këtë mënyrë. Reklama që shtrihet kudo, indoktrinimi i marrë në shkollë, në familje dhe në kontekste të tjera ndikimi, rrethi ynë i miqve…
Prandaj nuk është aq e habitshme që jeta duket si një stërmundim. Por ne mund të ndërhyjmë në mënyrë të dobishme. Mund të lëmë hapësira boshe ku qartësia mund të depërtojë. Mund të krijojmë një jetë më pak të komplikuar dhe më kuptimplote duke ndjekur një stil jetese minimalist.
Jetesa minimaliste: më pak ndërlikime, më shumë kuptim
Ideja kryesore e minimalizmit është të heqim qafe ato që nuk i shtojnë vlerë jetës sonë, për të lënë vend për ato që e bëjnë. Për shembull, eliminoni rrëmujën, shpërqendrimet dhe marrëdhëniet jo të shëndetshme dhe lini më shumë hapësirë për gjërat që janë thelbësore për mirëqenien, si kreativiteti, dashuria dhe loja.
Minimalizmi ose jeta minimaliste ju inkurajon të përqendroheni me qëllim në atë që është me të vërtetë e rëndësishme dhe të lini mënjanë pjesën tjetër. Me fjalë të tjera, ka të bëjë me të shijuarit e jetës më shumë, ndërsa të zotërosh më pak. Më poshtë, ne shpjegojmë se si i bëhet:
Lini mënjanë gjithçka që nuk ju bën të ndiheni mirë: hiqni qafe gjithçka që ju pengon, gjithçka që ju shpërqendron, që ju bën të humbni përqendrimin. Hiqni qafe gjithçka që ju heq qetësinë dhe qartësinë. Në vend të kësaj, mbani atë që vërtet kontribuon në mirëqenien tuaj.
Mos blini gjëra që nuk ju nevojiten: mos u mashtroni nga reklamat, moda dhe mendimet e njerëzve të tjerë. Të kesh më shumë gjëra nuk të bën më të lumtur. E vërteta është se kur kemi mjaftueshëm për të plotësuar nevojat tona bazë, pasuritë materiale nuk mund të përmirësojnë mirëqenien tonë në asnjë mënyrë. Ato mund të na japin vetëm kënaqësi momentale që zhduket shumë shpejt, duke na futur në një gjendje më të keqe psikologjike.
Vlerësoni atë që keni: Fokusohuni në atë që keni në vend të asaj që ju mungon. Përndryshe do të ndiheni gjithmonë të paplotësuar, të pakënaqur dhe të burgosur të dëshirës suaj.
Minimizoni shpërqendrimet dixhitale: email, mesazhe të çastit, rrjetet sociale, shfletim argëtues…
Të gjitha këto ju shpërqendrojnë dhe ju bëjnë të humbni vëmendjen në momentin aktual. Përdorni mediat dixhitale me vetëdije dhe monitoroni ndërveprimet tuaja me njerëzit e tjerë.
Përmirësoni marrëdhëniet ndërpersonale: në epokën e internetit, që lehtëson ndërlidhjen, ne jemi gjithnjë e më të shkëputur nga të tjerët. Na mungojnë marrëdhëniet e vërteta njerëzore, ato reale.
Bëni gjërat me radhë: Një jetë minimaliste në thelb do të thotë të jetosh i fokusuar. Me fjalë të tjera, shijoni çdo moment në maksimum. Nëse jemi gjithmonë të hutuar dhe/ose të lidhur me shumë detyra, nuk është e mundur t’i realizojmë të gjitha.
Përqendrohuni në qëllime të rëndësishme: Shumica e njerëzve në përgjithësi kanë një numër të madh qëllimesh që duan të arrijnë. Një jetë minimaliste ka një qëllim të qartë. Për ta bërë këtë, duhet të zbuloni ato pak gjëra që ju interesojnë më shumë dhe t’u përkushtoheni atyre.
Kujdesuni për trupin dhe mendjen: shëndeti është pika fillestare për t’u ndjerë mirë. Prandaj, është thelbësore të kujdeseni për veten në dy nivele: fizik dhe mendor. Aktiviteti fizik, ushqimi dhe gjumi janë tre elementët kryesorë në këtë kuptim.
Kultivoni vëmendje të plotë: jeta minimaliste kërkon një mendje të qetë dhe kjo do të thotë pa mendime kontradiktore dhe në harmoni me momentin aktual. Praktikimi i vëmendjes ose meditimit për vëmendje të plotë ndihmon për të rikuperuar një gjendje të vetëdijes paqësore. Ju do të jeni në gjendje t’i vëzhgoni mendimet dhe ndjenjat tuaja pa i gjykuar, pa iu rezistuar ose duke i ushqyer ato, dhe do t’i përgjigjeni me vetëdije situatave, në vend që të reagoni me tepri, ose t’i lini ato t’ju lodhin.
Fumio Sasaki thotë se “minimalizmi është një mënyrë jetese në të cilën ju reduktoni zotërimet tuaja në minimumin e mundshëm”. Për Sasakin, “të jetuarit vetëm me gjërat elementare jo vetëm që më ka ofruar përfitime sipërfaqësore, si kënaqësia e një shtëpie të rregullt ose lehtësia gjatë pastrimit, por gjithashtu më ka çuar drejt ndryshimeve më thelbësore”.
Duke zgjedhur një mënyrë jetese minimaliste, Sasaki u përpoq të gjente përkufizimin e tij të lumturisë. Kjo rrugë na tregon se sa më shumë gjëra të kemi, aq më shumë fuqi kanë ato mbi ne. Sa më shumë të varemi nga diçka, aq më shumë kjo “diçka” ndikon në aftësinë tonë për të qenë të lumtur, për të shijuar vërtetë jetën. Ne mendojmë se lumturia jonë varet nga ajo dhe gjithmonë përpiqemi të kemi më shumë, duke u frikësuar se herët a vonë do të na mungojë. Por përfundojmë të jemi skllevër … / bota.al