Magazine

Princesha Kate i rikthehet filantropisë. Por anglezët e kanë një “merak”

Shpresa dhe vullneti për të jetuar që preku botën. Kthimi i matur në jetë i Princeshës Kate pas përfundimit të ciklit të parë të kimioterapisë, i shpallur me një video më 9 shtator, u kristalizua në një foto shumë të ëmbël të bërë në Kështjellën Windsor disa ditë më parë: aty shfaqen Kate dhe e reja Liz Hutton, 16 vjeç nga Yorkshire, në një përqafim emocional.

Liz zbuloi Krishtlindjet e kaluara se ajo vuante nga një formë e rrallë kanceri për të cilin iu dhanë 6 muaj deri në 2 vjet jetë: William e ftoi në kështjellë me familjen e saj për të marrë pjesë në një ceremoni të kryesuar nga ai.

Përveç betejës së përbashkët që po bëjnë, Kate dhe Liz, të cilat u takuan privatisht para ceremonisë, gjetën një tjetër tipar (dhe më të gëzueshëm) të përbashkët në pasionin e tyre për fotografinë: edhe vajza, si princesha, ka një dashuri të madhe për fotografinë. Për këtë arsye, princi dhe princesha i besuan asaj detyrën që të bënte foto nga ceremonia në pallat dhe më pas t’i publikonte në kanalet zyrtare. “Ishte kënaqësi të takoja këtë fotografe të re dhe shumë të talentuar, kreativiteti dhe forca e të cilës na frymëzoi të dyve. Faleminderit që ndave historinë dhe fotot me ne”, shkruan ata pas takimit, duke e shoqëruar mesazhin me një emoji zemre.

MESAZHI PAS SOLIDARITETIT

Kësaj ngrohtësie, vajza iu përgjigj me një story në Instagram ku i quajti princin dhe princeshën e Uellsit si “njerëz të vërtetë, të adhurueshëm dhe të sjellshëm”. Edhe pse ishte një takim me dyer të mbyllura, ata vendosën të publikojnë fotot e përqafimit mes Kate dhe Liz (të realizuara nga vetë William) jo vetëm për të bërë të ditur historinë e vajzës, por edhe për të dërguar një sinjal të fortë në lidhje me gjendjen shëndetësore e princeshës.

Larg skenës që nga Krishtlindjet e vitit të kaluar, Kate ka ende një rrugë të vështirë përpara, megjithëse plot me qëllime të mira dhe dëshirë për të filluar përsëri. Pas takimit me pacienten e re me kancer, princesha, e veshur me një kostum burgundy të Roland Mouret, dukej në formë dhe të qetë.

Syri i vëzhguesve u fokusua tek flokët, të cilët janë bërë sërish shumë të trashë, ndoshta edhe falë ndihmës së zgjatimeve që i japin vëllim dhe përdoren nga pacientët me kancer edhe pas përfundimit të kimioterapisë. Dhe më pas, tek vetullat: të trasha, të errëta dhe të kufizuara nga një vijë e saktë që i bën ato jashtëzakonisht të harkuara, efekt, ndoshta, i një tatuazhi.

Pas përfundimit të kimioterapisë, Kate po përpiqet dalëngadalë t’i rikthehet jetës së zakonshme. Pak angazhime dhe shumë simbolike, e kanë parë të përfshirë javët e fundit: më 17 shtator ajo organizoi, përsëri me dyer të mbyllura, një takim në Windsor për të folur për programin kushtuar viteve të para të jetës së fëmijëve, projektin personal për të cilin po kujdeset më tepër; në fund të shtatorit ajo u pa në makinë në Balmoral me burrin e saj pas meshës në Crathie Kirk (pa fëmijët, të cilët mbetën në Berkshire me gjyshërit Middleton); më 27 ndoqi një shfaqje nga Baleti Kombëtar Anglez. Shpresa është që ta shohim edhe më 10 nëntor me rastin e të Dielës së Përkujtimit, kur britanikët përkujtojnë të rënët e Luftës së Parë Botërore. / bota.al

Back to top button