Kulture

Dante dhe klasa e mesme në zhvillim, një zë kundër degradimit moral

dante

Me “Komedinë” e tij nuk u kufizua vetëm në themelimin e një gjuhe të re, por revolucionarizoi qëllimin e poezisë:me të lindi zemërata civile

Nga Franco Manzoni “Corriere”

Ndryshe nga të gjitha letërsitë e botës, ajo që bën përshtypje tek ajo italiane, është se kulmi u arrit shpejt në një kuptim kronologjik. Dante strukturon një udhëtim alegorik, në një vizion apokaliptik të qytetërimit mesjetar në krizë, realitetin që po jeton. Me një konceptim të pashembullt stilistik, autori arriti sublimen, duke trajtuar tema në lidhje me njerëzit e zakonshëm dhe të përditshmen, aq sa e përjetësoi Komedinë.

Një poet i vetëdijshëm për zotërimin e aftësive superiore, të përftuara nga ushtrimi i vazhdueshëm përmes aktiviteteve të tij laboratorike, të cilat reflektohen tek njohuritë e tij të pashtershme, në alkiminë e pluralitetit dhe zhanreve të përdorura. Ai do të donte, dhe kjo mund të ndjehet, që poema e tij të mos lexohej si një tregim argëtues, një trill letrar, por si një ngjarje që kishte ndodhur vërtet.

Etaloni mbetet Bibla, libri i diktuar nga Perëndia. Asnjë autor tjetër nuk ka arritur të krijojë një kryevepër kaq të ngjeshur në vlera epike, fetare, etike, civile, politike, njerëzore, profetike, dhe subjekt i mundësive të ndryshme të interpretimit. Për rrjedhojë edhe sot disa pjesë të Komedisë mbeten enigmatike dhe objekt i shqyrtimit të mëtejshëm nga ana e studiuesve:një korpus në lëvizje të vazhdueshme.

Dante nuk është vetëm babai i gjuhës italiane, ai që e shenjtëroi vulgaren në dinjitetin e gjuhës dhe kulturës. Teoria e ‘De Vulgari Eloquentia’, vjen nga eksperienca e shkuar e poetit lirik, i cili po e kuptonte brishtësinë dhe pamjaftueshmërinë e trajtimit vetëm të temës së dashurisë në tekstet e tij. Ai refuzon të errësojë elementin femëror, nëpërmjet një kodi që do të kërkonte përkushtimin e përjetshëm të kalorësit ndaj zonjës së tij.

E gjitha kjo, Dantes, një burri tanimë të pjekur, nuk i intereson më. Beatriçja e Komedisë, është zgjedhur për të përfaqësuar një mekanizëm të vlefshëm, për t’u ngritur drejt shpirtërores. Ajo është gjithçka, përveçse një gruaje që zotëron armën e joshjes. E shoqëruar fillimisht nga Arsyeja e përsonifikuar në figurën e Virgjilit, më pas protagonistja mbështetet tek Teologjia, si një udhëzues për takimin me Zotin, si vizioni i drejtpërdrejtë i Subjektit Suprem. Vështrimi, mjeti i dashurisë në traditën poetike mesjetare, shndërrohet në një dimension transhendent.

I djegur nga dëshira për dije, personazhi Dante përjeton një përvojë të pakrahasueshme vizuale. Komunikimi bëhet vetëm nëpërmjes dritës, asnjëherë verbal. Zgjat shumë pak në kujtesë zgjidhja për të mbajtur mend. Dante e përqëndron vështrimin tek rrezja hyjnore, burim i jetës dhe urtësisë:kush e shikon rrit fuqinë e vet për të njohur. Nëse do shkëpuste shikimin nga drita, do të binte pre e errësirës dhe mëkatit.

Ai nuk bie në ekstazë, nuk heq dorë nga dëshira për të kuptuar. Në fakt, rrit aftësinë e tij për t’u bashkuar me absoluten dhe pafundësinë e së përjetshmes. E gjitha kjo transmetohet në pak fjalë, në mënyrë thelbësore, pasi është me të vërtetë e papërshkrueshme. Por Dante është mbi të gjitha zëri politik i klasës së re të mesme, që hidhet kundër kundër epshit dhe degradimit etik të fisnikërisë dhe klerit, të zënë me ndarjen mes tyre e parave të mbledhura nga taksat, donacionet apo pagesat e indulgjencave.

Bashkëkohori ynë në çdo kuptim, poeti denoncon pa frikë korrupsionin e shfrenuar. Viktimë e sistemit, guxon të sulmojë pushtetin dhe për këtë arsye është i detyruar të mërgojë. Me një tension të vazhdueshëm dinamik, tregimi vazhdon me shprehjen e pikëpamjeve të tij, me shtimin e efektit të jashtëzakonshëm të pritjeve të papritura gjithë ankth.

Në kontrast me Danten, intelektuali kozmopolit Petrarka, biri i Humanizmit dhe liriku më i madh i letërsisë sonë, një modeli i pashoq ndër shekuj, e koncepton dashurinë si diçka tokësore, burimi të pasionit, perversionit, vuajtjes dhe dhimbjes. Konflikti i nënkuptuar mes Dantes dhe Petrarkës, krijoi dy linja të ndryshme të qasjes ndaj gjuhës në historinë e letërsisë italiane.

Po kështu ndodh sot në poezinë bashkëkohore:njëri një ingranazh “i fortë”, që angazhohet në formë poematike, shpesh me një zemëratë qytetare, tjetri “i dobët”, që nxjerr në pah elementin ditaristik, një farë kënaqësie tek vuajtja, që pëlqen intimitetin dhe që është i aftë në përshkrimin e torturës që shkakton një dashuri e papërmbushur.
Në rast se do të gjenim shembuj në botën e sotme të muzikës, Dante mund të ishte një yll ndërkombëtar i rrokut si Brus Springstin apo Bob Dilan, ndërsa Petrarka një yll i popit italian si Baljoni, Pauzini apo Ramacoti. Përtej kuptimeve filozofike, metafizike, morale, dhe analizave vizuale, shumëgjuhësore dhe strukturore, Komedia mbetet vepra e vetme që mund të prekë zemrën e të gjithë lexuesve, edhe atyre më të thjeshtë.

Ekzistojnë dëshmi të shumta të njerëzve, që e njohin përmendësh të tërë Komedinë, pa ditur kuptimin e vargjeve. Një shfaqje e vërtetë, një shembull për të rinjtë është ai që lexon me zë të lartë vetëm për bukurinë e tingullit, i joshur thuajse në një përmasë mistike nga muzika danteske. Dante është zëri i klasës së mesme, një zë kundër degradimit moral.

Mundësoi në shqip Bota.al

Leave a Reply

Back to top button