Angela Lansbury na rrëfen mesazhet që jeta i ka mësuar
Aktorja britaniko-amerikane, Angela Lansbury, na rrëfen mesazhet që jeta i ka mësuar në 96 vitet e saj të jetës.
“Jeta më ka mësuar se familja vjen e para dhe, pavarësisht punës, mundohem të mos i humbas momentet më të rëndësishme. Më pëlqen të kaloj kohë në shtëpi, me fëmijët dhe nipërit; të jem prezente në vendimet e tyre, apo në ndryshimet që pësojnë me moshën. Janë ato ndryshime të vogla, por që kur kthehesh pas në mendime, kupton se sa shumë ka kaluar koha. Këtë e vë re tek nipërit e mi, të cilët më duket sikur rriten dita ditës.
Jeta më ka mësuar se nuk ia vlen të kapesh pas problemeve të vogla. Çfarë ka ndodhur, ka ndodhur. Nuk mund ta zhbësh dot, ndaj unë gjithmonë jam munduar t’i ndreq gabimet e mia apo të të tjerëve, pa u kapur shumë në debate (edhe pse e dija se shumë gabime mund të shmangeshin në kohë). Kur më kanë kërkuar falje, i kam falur. Njësoj kam kërkuar edhe unë falje. Jemi njerëz dhe gabojmë, nuk ka mësues më të mirë se gabimet që bën.
Jëta më ka mësuar të jem falenderuese. Po, të falenderoj këdo që më ka qëndruar pranë. Kam kaluar dekada të tëra jete dhe normalisht kam pasur momente të vështira. Kam pasur fatin të kem pranë njerëz fantastikë që nuk kam hezituar në asnjë moment së i falenderuari.
Jeta më ka mësuar se për të qenë njeri i madh, duhet t’i trajtosh të tjerët, siç do të doje të të trajtonin ty. Unë përherë jam munduar të jem empatike dhe ta vendos veten në vendin e të tjerëve. Mendoj se bota do të ishte shumë më e mirë, nëse të gjithë do t’i trajtonim të tjerët me respekt dhe mirësjellje.
Jeta më ka mësuar edhe se për të ecur përpara dhe për të qenë e suksesshme, duhet të lexosh shumë. Për fat të keq, sot po lexohet pak. Në këto kushte, ne s’mund të pretendojmë të kemi rini mjaftueshëm të aftë, por unë gjithsesi jam shpresëplot se gjërat do të ndryshojnë për mirë.
Jeta më ka mësuar të mos i trembem moshës. Rrudhat në fytyrën time dhe thinjat në flokët e mi më pëlqejnë pamasë, kur e shoh veten në pasqyrë. Uroj që njësoj si unë, të ndihen dhe gjithë të moshuarit anembanë botës.
Unë e trajtoj veten mirë, mundohem të jem e lumtur dhe pi shumë çaj. Jam shumë irlandeze.”.