MAIN

Britania mund të “shkelë frenat”, me kufizime për të gjithë të ardhurit nga jashtë

Pushuesit janë paralajmëruar se qeveria britanike mund të vendosë “shkelë frenat e kufizimeve” për më shumë vende përtej Spanjës, në mënyrë që të ndalojë përhapjen e koronavirusit – dhe udhëtarët nuk ka gjasa të paralajmërohen shumë përpara, nëse duhet të zbatohen masa të tjera karantinimi.

Kufizimet për udhëtarët që kthehen nga Spanja pasi masat u njoftuan brenda natës, prishën planet e pushimeve verore për turistët britanikë dhe do të ngjallin frikën midis atyre që udhëtojnë në vendet e tjera evropiane, se edhe ata mund të përballen me një kthesë të ngjashme me njoftim në çastet e fundit.

Burime qeveritare thanë që janë të gatshëm të veprojnë shpejt për të imponuar rregullat e reja, nëse është e nevojshme, për vendet e tjera – por thanë se nuk kishte plane që “urat ajrore” të anuloheshin me vendet e tjera evropiane.

Vendimi i beftë për të ndryshuar këshillat për udhëtarët është kritikuar nga laburistët, që thanë se njoftimi i befasishëm do t’u shkaktojë turistëve “një ndjenjë paniku dhe humbjeje të kontrollit”. Partia Laburiste ka bërë thirrje që qeveria të ndihmojë punonjësit, të cilët tani duhet t’u tregojnë punëdhënësve të tyre se duhet të izolohen, duke paralajmëruar se njerëzit mund të përballen me vështirësi financiare.

Ndër ata që ndodhen aktualisht në Spanjë janë të paktën dy ministra të qeverisë, përfshirë sekretarin e transportit, Grant Shapps, departamenti i të cilit vendosi kufizimet e reja të befta në skemën e tij të “urave ajrore”, të cilat kishin këshilluar turistët se mund të udhëtojnë të sigurt në një numër vendesh evropiane.

Paul Scully, ministër për Londrën dhe biznesin e vogël, postoi një fotografi në Instagram të vetes së tij, me pushime në Playa Dorada, Lanzarote, me titullin: “Unë do të jem akoma në gjendje të punoj. Thjesht asnjë blerje apo vrapim dhe besoj, karantinë”.

Dominic Raab, sekretari i jashtëm, tha që qeveria duhej të ndërmerrte “veprim të shpejtë, të vendosur” kur të dhënat nga Spanja treguan një rritje të infeksioneve në të gjithë vendin.

“Përndryshe, ne rrezikojmë të rikrijojmë në Mbretërinë e Bashkuar, potencialisht një valë të dytë dhe më pas një bllokim tjetër,” tha ai. “Pra, po, e kuptoj se është shqetësuese për ata që janë në Spanjë ose që kanë menduar të shkojnë, por na duhet të jemi në gjendje të ndërmarrim një veprim të shpejtë, vendimtar për të mbrojtur Mbretërinë e Bashkuar”.

Raab tha që qeveria nuk mund të rrezikojë të japë “këshilla të paqarta” për pushuesit. “Ka një problem, sigurisht, me ndryshimet në rregulla dhe këshilla që ne japim, kështu që vlerësoj që është e vështirë dhe mund të jetë shqetësuese. Por do të ishte shumë më keq nëse ne turbullonim ujërat dhe vonohemi në marrjen e masave në momentin kur duhet. Arsyeja pse u mor vendim i menjëhershëm ishte rritja e rasteve në Spanjë, të cilës iu përgjigjëm në kohë reale”. / Guardian – Bota.al

Leave a Reply

Back to top button