Thenie

Hakmarrja më e mirë është të jemi të lumtur

Hakmarrja më e mirë është ajo që nuk kryhet. Revanshi më i mirë është t’i buzëqeshësh urrejtjes, të mbysësh zemërimin dhe t’u tregojmë të tjerëve se mund të jemi të lumtur. Sepse nuk ka strategji më të mirë se sa ajo e të vepruarit me qetësi dhe urtësi, të ecurit përpara me shikim të vendosur dhe zemër të qetë, me vetëdijen se ka pesha që nuk duhet t’i mbajmë mbi vete për shumë kohë.

Konfuci thoshte se përpara se t’i hysh rrugës së hakmarrjes, duhet të hapësh dy varre. Tëndin dhe të kundërshtarit. Filozofia na ka ofruar gjithmonë sisteme referimi për të reflektuar mbi hakmarrjen, dhe pasojat morale të kësaj praktike sa popullore, aq edhe “tërheqëse”.


“Të hakmerresh është njerëzore, të falësh është hyjnore”

Walter Scott


Ka një arsye përse themi “tërheqëse”. Gjendemi përballë një sjelljeje njerëzore që ka tërhequr gjithmonë vëmendjen tonë, nuk mund ta mohojmë. Shkrimtarët dhe regjisorët e dijnë mirë se hakmarrja na magjeps. Ka nga ata që thonë që është pothuaj një ilaç: me doza të vogla na lehtëson, por në sasi të mëdha mund të jetë vdekjeprurës.

SI mund të mos kujtojmë këtu, rastin e Edmond Dantes tek Konti i Monte Kristos? Personazhi i paharrueshëm i Aleksandër Dyma na mëson se hakmarrja më e mirë duhet shërbyer e ftohtë, pa nxitim dhe e llogaritur në përsosmëri. Agatha Christie, nga ana e saj, na bën pjesëmarrës në një dramë komplekse dhe shumë të dhunshme në romanin e saj “Dhjetë indianë të vegjël”, për të na treguar se e keqja apo veprimet e liga duhet që të hakmerren në mënyrën e duhur.

Hakmarrja na tërheq, dhe ndonjëherë mundet edhe ta justifikojmë. Po mbi cilët procese psikologjike ngrihet ky akt?

Hakmarrja: një dëshirë njerëzore

Shumica prej nesh në një moment të jetës, jemi ndjerë të fyer, të lënduar aq sa na ka shkuar nëpër mendje hija e asaj figure të hidhur, por shumë joshëse: hakmarrja. Busullat tona morale humbasin Veriun dhe imagjinojmë forma, mënyra dhe situata ku ajo dhimbje që ndjejmë, kthehet tek personi që e ka shkaktuar.

Por një gjë që duhet të sqarohet që në fillim, dhe që kujtohet nga psikologu Gordon Finley, ekspert i madh i sjelljeve kriminale, është se hakmarrja ka shumë pak të bëjë me moralin. Hakmarrja është impuls, dhe është katarsisi i zemërimit dhe urrejtjes. Për të marrë një tjetër shembull, siç zbulon një punim i kryer nga profesor Ernst Fehr i Universitetit të Zyrihut, më shumë se 40% e vendimeve që merren në botën e biznesit, kanë objektiv të përbashkët “hakmarrjen’ ndaj një rivali.

Po kjo gjë ndodh me krimet, më shumë se gjysma kryhen për shkak të zemërimit si dhe dëshirës për hakmarrje. E gjithë kjo na detyron që të vetëdijësohemi se hakmarrja më e mirë nuk ekziston, sepse përtej rezultateve që mund të arrijmë me të, transformohemi në agresorë dhe, në këtë mënyrë, marrim të njëjtat cilësi morale të atyre që na e kanë bërë dëmin.

Hakmarrja më e mirë

Mund të themi se hakmarrja më e mirë është ajo që nuk kryhet, sepse e thonë ndjesitë e përbashkëta dhe morale, teoritë fetare, spirituale e madje filozofike të cilave u besojmë shumë shpesh. Por le ta analizojmë edhe nga një pikëpamje filozofike.

Për shembull, a kemi pyetur ndonjëherë se çfarë i shtyn disa njerëz që të përdorin hakmarrjen?

Tipare të personave hakmarrës:

* Një person që reagon ndaj çdo fyerjeje, të madhe a të vogël, në formë hakmarrëse, shfaq një menaxhim të keq të emocioneve si dhe një aftësi të vogël për t’i njohur ata.

* Bëhet fjalë për profile që besojnë se zotërojnë të vërtetën absolute apo universale. Ata janë ligji dhe drejtësia, shembulli i qartë i asaj që duhet të jetë çdo njeri.

* Shfaqin një mendim dikotomik: o je me mua, o kundër meje, gjërat bëhen ose mirë, ose keq.

* Zakonisht kanë një shkallë shumë të ulët të empatisë.

* Nuk falin dhe nuk harrojnë, jetojnë në të shkuarën.

Siç shihet pra, nga pikëpamja psikologjike dhe emocionale, hakmarrja apo dëshira për të nuk i sjell mirë askujt. Ky impuls, kjo dëshirë pra, konsumon integritetin dhe eleminon çdo gjykim të favorshëm, por edhe kufizon tërësisht shansin për të përparuar si njeri, si dhe ndërtuar një realitet optimal e të lumtur.

Ndoshta ndihemi të tërhequr nga këta lloje personazhesh, si Edmond Dantes. Megjithatë, ata fshehin vuajtjen dhe vetminë. Pra, hakmarrja më e mirë, do të mbetet gjithmonë ajo që nuk kryhet, ose më saktë, të jetojmë mirë dhe nëse të tjerët na shohin të lumtur: kjo është hakmarrja më e mirë e të gjithave. / bota.al

Leave a Reply

Back to top button