Motivuese

Krahasimi i veçantë i miqve me pemën. Ja cilët janë miqtë, që qëndrojnë më gjatë në jetën tonë…

Ne të gjithë kemi kaluar nëpër situata, në të cilat kemi kuptuar se cilët miq ia vlejnë t’i mbajmë në jetën tonë e cilët jo. Ekziston një poemë e bukur që tregon se si miqtë në jetën tonë janë si pjesët e një peme. Një pemë ka gjethet, kërcirin, trungun dhe rrënjët. Miqtë që janë si gjethet e një peme, largohen shpejt prej nesh. Ata hyjnë si fillim në jetën tonë për të ndenjur shumë pak kohë. Miqësia me njerëz të tillë, nis me një intensitet të fuqishëm, e përfundon po me të njëjtin intensitet, por në drejtimin e kundërt të ndjesive që na falin. Nëse fillimi është plot kënaqësi, fundi është me trishtim. Sapo një situatë e vështirë na paraqitet në jetë, ata largohen prej nesh duke na lënë plotësisht të zhgënjyer.

Miqtë që janë si kërciri në një pemë, hyjnë në jetën tonë me synimin për të qëndruar gjatë me ne. Dhe kështu veprojnë, derisa na shfaqet një situatë e vështirë. Ata nuk janë në gjendje ta mbajnë dot peshën e një situate të rëndë dhe na braktisin, duke na lënë të vetëm të përballemi me vështirësitë tona, edhe pse dikur na kanë thënë: “Jam këtu për ty dhe do të jem përherë pranë teje”.

Njerëzit që janë si trungu qëndrojnë më gjatë në jetën tonë. Me ta mund të ndërtojmë miqësi të vërteta, por edhe këto miqësi, edhe pse zgjasin gjatë, sërish e kanë një ditë kur përfundojnë. Nuk janë miqësi të përjetshme, por që lëkunden më pak nga vështirësitë se ato të mësipërmet. Miq të tillë mund t’i kemi për një periudhë shumë të gjatë, edhe me vite të tëra dhe ndahemi prej tyre për arsye tepër të forta, apo për ngjarje që jeta i rezervon në mënyrë të papritur.

Ndërsa ata që janë si pemët, janë miqtë më të mirë që kemi. Për ta duhet të bëjmë çdo gjë në mënyrë që të tregohemi mirënjohës dhe falenderues për çdo mbështetje dhe këshillë që na kanë ofruar. Miq të tillë janë aty për ne në çdo vështirësi dhe kurrë nuk do të na lënë në baltë. Edhe nëse jeta do të mundohet të na i largojë, ata sërish do ta gjejnë një mënyrë për të qenë në kontakt me ne dhe të na mbështesin e të na ndihmojnë, ashtu siç e bënin dikur. Miq të tillë s’mund të quhen as miq. Janë familje!

Leave a Reply

Back to top button