Magazine

Kulti i përsosmërisë është i destinuar të dështojë

Oliver Burkeman

Eshtë gjithmonë dëfryese të vësh në lojë ndjekësit e “ateizmit të ri”, duke thënë se e kanë transformuar vetë ateizmin në një fe. Por pasi kam lexuar librin e ri të David Zahl, “Seculosity”, kam kuptuar se arsyeja përse nuk duhet ta bëjmë nuk është sepse nuk është e vërtetë. Askush nuk shkon më në kishë, por mbetet impulsi fetar, nevoja për atë që Zahl e quan “enoughness” (mjaftueshmëri): ndjesia që zgjedhjet që ne bëjmë në jetë, miratohen. Vetëm se tani, këtë ndjesi mjaftueshmëria shkojmë dhe e kërkojmë gjetkë: në punë, në politikë, në teknologji, në dashuri.

Duke qenë se është drejtor i faqes së internetit me prirje kristiane, Mockingbird, pritej që Zahl të ankohej për karriket boshe të Kishës. Por sipas tij, kriza e vërtetë e fesë është e pasojë e faktit që “nuk jemi asnjëherë jo në kishë”. Problemi ynë është se nuk kërkojmë thjesht që të punojmë mirë, të ndërtojmë një familje të mirë apo zgjedhim një politikan të mirë: përmes këtyre gjërave, thellë-thellë, është gjithmonë shpëtimi që jemi duke kërkuar.

Në bazë të kësaj feje laike, që ai e quan “seculosity”, është ideja që ne jemi të përcaktuar prej asaj që bëjmë. Si pasojë, nëse duam të kemi mjaftueshmëri, duhet të arrijmë një lloj objektivi, dhe libri i Zahl është një listë tejet interesante e mënyrave se si përpiqemi ta bëjmë këtë. Punojmë deri vonë jo vetëm për të fituar më shumë para, por për të justifikuar ekzistencën tonë. Lexojmë libra për prindër të rinj në kërkim të mënyrës “së duhur” për të rritur fëmijë, sikur të donim të mësonim si të bëheshim të rritur të përsosur. I japim vlerë ekzistenciale të ngrënit në mënyrë korrekte (apo ta themi me një term më moralist, “të pastër”).

Dhe i luftojmë betejat politike, apo luftërat kulturore, me një zell dukshëm fetar.

Nuk jam i pari, dhe as i fundit, që vërej se trumpizmi, corbynizmi, brexitizmi, dhe pjesërisht edhe lëvizja në favor të drejtësisë sociale, mbajnë të gjitha shenjën e fesë, janë “shtatë”, për ta thënë në terma më brutalë. Sfida që lëshon libri i Zahl është që të pyesim veten, nëse edhe ne jemi të tillë.

Problemi është se “seculosity” (feja laike) nuk funksionon. Nuk do ta kemi kurrë mjaftueshmërinë. Mund të kërkojmë shpëtimin tek Zoti, ose të pushojmë së kërkuari, por përpjekja për të shpikur llojin tonë të shpëtimit, është e destinuar të dështojë. Jemi të papërsosur dhe të fundëm, kështu që nuk mund ta arrijmë përsosmërinë duke punuar, rritur fëmijët apo dashuruar. Nëse e provojmë, do të përfundojmë vetëm duke kërkuar që të ushtrojmë gjithnjë e më shumë kontroll mbi jetën tonë, ndërkohë që marrëdhëniet e thella, dhe të gjithë eksperiencat e tjera domethënëse, kërkojnë heqjen dorë nga kontrolli. Ah, pastaj është edhe miku ynë kapitalizëm, që na premton një realizim, të cilin e bën pastaj gjithnjë dhe më të paarritshëm.

Siç vë në dukje Zahl, njerëzit fetarë kanë prirje drejt “seculosity”-t si gjithë të tjerët. Por në bazë të fesë me F të madhe, në më të mirën e saj, është falja dhe ajo që të krishterët e quajnë mirësia: ndjesia e mjaftueshmërisë na jepet, nuk mund ta arrijmë, dhe nuk është e domosdoshme të arrijmë asnjë nivel të caktuar zotësie apo virtyti, për të patur të drejtë. Për ata prej nesh që jemi fetarë, është e vështirë të kuptojmë se si të sillemi, sepse e sigurt është që nuk mund të imponohemi sikur jemi besimtarë. Por në fund të fundit, nëse nuk kemi gjetur ende atë që po kërkojmë, ndoshta një mënyrë e mirë për të filluar, është të pushojmë së kërkuari në vendet e gabuara.

The Guardian – Bota.al

Leave a Reply

Back to top button