Psikologji

Një mesazh me vlerë për çdo adoleshent dhe për çdo prind…

Nuk e di nëse të kujtohet periudha përpara tri vitesh, por dua të ta rifreskoj kujtesën. Ka qenë viti 2015 kur kemi parë një postim masiv të fotove selfie nëpër rrjetet sociale, aq sa në atë kohë u bënë paksa bezdisëse për shpeshtësinë e shpërndarjes së tyre. Mirëpo tani që gjendja na duket më e pranueshme, pasi jemi mësuar me to, dua të të them se adoleshentët po zhvillojnë një trend të ri. Ata kanë kaluar një hap më tej nga selfie. Tashmë preferojnë sexting, pra të dërgojnë me mesazhe nëpër rrjetet sociale foto të trupit të tyre nudo, ose gjysëm nudo. Sexting është një formë e të parit të vetes si një objekt seksi , duke iu bindur dëshirave erotike të dikujt që po i shkruan adoleshentit.

Ky fenomen nuk vihet re vetëm në Shqipëri, por në mbarë botën. Kjo gjë nuk do të bënte një problem nëse shkëmbimi i fotove do të bëhej nga dikush në moshën 25 apo 30 vjeçare, kur personaliteti i një personi është i formuar. Mirëpo sipas të dhënave, sexting është vënë re tek adoleshentë të moshave 14-18 vjeç, të cilët shpesh nuk e dinë se në çfarë problemesh mund të futen në të ardhmen.

Ne kemi mësuar nga të parët tanë, se fjalët i merr era. Dhe kjo gjë është mëse e vërtetë. Mund ta thuash diçka dhe me paturpësinë më të madhe ta mohosh në një moment tjetër. Ama ndryshon puna kur kjo gjë është e shkruar. Nëse diçka e shkruan dhe dikush tjetër e sheh, ti nuk je më “pronar” i asaj që ke shkruar. Kështu ndodh edhe me të tilla mesazhe. Mund të nisin për shkaqe të ndryshme, por pasoja është e njëjta, ato mund të shihen nga shumë persona të tjerë pasi ia ke dërguar dikujt. Askush nuk do ta garantojë të kundërtën.

Psikologët thonë se mungesa e kulturës së një vendi, si dhe trysnia dhe stresi i shoqërisë tek një individ janë dy ndër faktorët më madhorë që i shtyjnë adoleshentët të dërgojnë fotot e tyre erotike në chat me dikë tjetër. Më të rrezikuara janë vajzat, mbi të cilat presioni shoqëror është më i lartë. Djemtë më së shumti mbledhin imazhe dhe më pas i ndajnë ato me personat e tjerë. Sepse, le ta pranojmë. Një lidhje midis dy adoleshentëve me shumë gjasa nuk do të zgjasë gjatë. Pikërisht një gjë e tillë ndryshon rrjedhën e gjithçkaje, sepse askush nuk ta garanton se fotot e tua tepër intime nuk do të shihen edhe nga persona të tjerë. Rasti më i mirë për t’u vënë në dukje është ai i Philip Alpert nga Neë York. Në moshën 18 vjeçare ai ishte i lidhur me një adoleshente 16 vjeçare dhe pas ndarjes me të, i publikoi online fotot e saj intime. Pavarësisht se ligjet amerikane e dënuan për diçka të tillë, pasojat tek shëndeti mendor i adoleshentes askush nuk i mori parasysh.

Por imagjinoni pak një adoleshent apo adoleshente, fotot intime të së cilit/ës publikohen online dhe shihen edhe nga persona të tjerë. Ata ende nuk kanë formuar një personalitet të tyre dhe gjithë reagimet që mund të shohin nga pedofilët online (sepse ata normalë do të reagonin që fotoja të fshihej), kanë për të ndikuar jo vetëm duke ulur reputacionin e tyre, por do të ndikojnë edhe në shëndetin e tyre mendor, duke I bërë të ndiejnë përbuzje për veten, e cila shpesh mund të çoje edhe në raste më të rënda, siç është depresioni.

Adoleshentët duhet të kuptojnë se jo çdokush është duke bërë sexting dhe ju do të jeni dikush më shumë, i cili nuk ka pse të hasë probleme në të ardhmen. Asnjë nuk mund të jetë i sigurt për këtë gjë.

Për fat të keq, rrjetet sociale janë shumë pak të kontrolluara. Ja të të jap një shembull se çfarë mund të bëjë dikush dhe ti të mos e kesh idenë se ai po të gënjen. Sot unë mund të hyj në një qendër interneti, të hap një adresë të rreme dhe të hyj në muhabet me një adoleshente pa i treguar identitetin tim të vërtetë. Mbështes përditë të njëjtat gjëra dhe të gënjej në të njëjtën mënyrë. Pas njëfarë kohe kur të kem fituar disi besimin e saj, unë mund t’i kërkoj foto nudo dhe në këmbim t’i dërgoj “fotot e mia” të cilat mund t’ia kem marrë dikujt tjetër dhe në fund, unë zotëroj edhe fotot e tua dhe mund t’i shpërndaj ato në çdo moment.

Kjo është ajo që bën një pedofil në rrjetet sociale. Ndaj, adoleshent kudo ku jeton, ji i ndërgjegjshëm për veprimet dhe zgjedhjet e tua. Asgjë nuk të përket më ty, po e ndave në rrjetet sociale, sepse siguria është thuajse zero në to, nëse nuk merr masa vetë për sigurinë tënde.

Prindërit janë ndoshta ata që duhet të reagojnë më së shumti në këto raste. Komunikoni me fëmijët tuaj, sepse ata janë ende fëmijë dhe bota po merr për mbrapsht në ditët e sotme. Bëjini ata të kuptojnë se duhet të mos besojnë shumë, si dhe të kuptojnë se dashuria për dikë nuk forcohet duke parë fotot nudo të tij/saj. Dashuria është shumë më ndryshe se një koncept kaq i përciptë.

 

Leave a Reply

Back to top button