Histori

Skandali Uotergejt: Kriza që ndryshoi politikën amerikane

Nga Faith Karimi

Më shumë se 4 dekada më parë, 5 burra hynë në selinë e Komitetit Kombëtar të Partisë  Demokratike (DNC) në Uashington, duke i hapur rrugë një sërë veprimeve që rrëzuan presidentin republikan Riçard Nikson.

Ai që u bë i njohur si skandali i Uotergejtit, zbuloi një gjurmë të një morie shkeljesh antiligjore, zgjatimet e së cilës shtriheshin deri në Shtëpinë e Bardhë. Buja dhe skandali që çoi në dorëheqjen e vetme të një presidenti amerikan, ndryshoi përgjithmonë politikën amerikane, dhe u bë sinonim i korrupsionit qeveritar.

 

Shpërthimi i skandalit

 

Më 17 qershor 1972, policia arrestoi 5 persona që po përpiqeshin të vendosnin përgjues, dhe vidhnin dokumentet nga selia e DNC-së në kompleksin Uotergejt në Uashington. Një nga ata burra, Xhejms Mekord Xhunior, ishte shefi i sigurisë i komisionit për rizgjedhjen e presidentit.

Të dyshuarve iu gjetën me një serë materialesh kompromentuese, duke përfshirë, kartmonedha 100 dollarëshe me numrat serialë të veçantë, dhe një radiomarrëse me valë të shkurtra, që mund të interceptonte komunikimet e policisë, njoftoi asokohe “The Washington Post”.

Shtëpia e Bardhë u distancua nga të ndaluarit, dhe fillimisht skandali nuk e preku Niksonin. Ai u rizgjodh në zgjedhjet e nëntorit të atij viti, duke mposhtur rivalin e tij demokrat, senatorin Xhorxh Mekgavërn. Por disa muaj pas inaugurimit të tij, hetimet e gazetarëve dhe Kongresit filluan të nxirrnin gradualisht në dritë detajet e skandalit, që flisnin për përfshirjen e Shtëpisë së Bardhë.

 

“Gryka e Thellë”

Gazetarët e “The Washington Post”, Karl Bernshtajn dhe Bob Uduard nisën një investigim të thelluar mbi këtë ngjarje. Me ndihmën e një burimi të njohur si “Gryka e Thellë”, dhe i identifikuar më vonë si zyrtari i FBI-së, Mark Fellt, ata shkruan një seri artikujsh me shumë detaje të reja lidhur me skandalin Uotergejt.

”Nuk ishte fjala vetëm për një shkelje”- tha Bernshtajn në një intervistë për CNN në vitin 2003. “Ishte një model veprimesh të paligjshme, që përfshinte mposhtjen fizike të anëtarëve të opozitës politike, duke vjedhur memot e tyre, përgjuar kundërshtarët politikë, duke hyrë në zyrat e psikiatërve, dhe duke sabotuar aktivitetin e think-tankeve të tyre”. Disa muaj pas arresitmit të 5 personave, disa prej tyre u shpallën fajtorë, dhe u dënuan për komplot dhe akuza të tjera të rënda.

 

Letra

 

Por disa gazetarë, së bashku me gjyqtarin Xhon Sirika, i cili drejtoi gjyqet ndaj ndërhyrësve në selinë e PD, ndjenë se historia ishte shumë më e thellë se sa dukej. Në marsin e vitit 1973, gjykatësi publikoi një letër të shkruar nga Mekord në të cilën ai thoshte se zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë, u kishin bërë presion të pandehurve për t’u vetëdeklaruar fajtorë.

Teksa shpërtheu skandali, Nikson dhe ndihmësit e tij dyshoheshin për pengim të drejtësisë, duke planifikuar përdorimin e CIA-s, për të ndalur hetimin e FBI-së. Disa zyrtarë të administratës Nikson, u dënuan më vonë për akuza që lidheshin me Uotergejtin, përfshirë Xhon Miçëll, kryetarin e fushatës së Niksonit dhe prokurorin e përgjithshëm; ish-shefin e kabinetit të Shtëpisë së Bardhë, H.R.Heldeman; Xhon Din, këshilltarin e Shtëpisë së Bardhë; dhe Xhon Erlihman, këshilltar i tij i politikës së brendshme.

 

“Masakra e të Shtunës Mbrëma”

Megjithëse gjyqi ndaj 5 personave, që u kapën brenda selisë së demokratëve kishte përfunduar, pasojat e skandalit ishin vetëm sa kishin filluar. Senati votoi për të krijuar një komision hetimor të veçantë, për të shqyrtuar me imtësi skandalin Uotergejt.

Më 13 korrik 1973, një ndihmës i Shtëpisë së Bardhë u tha anëtarëve të komitetit të Senatit se Nikson kishte regjistruar të gjitha bisedat e tij në Zyrën Ovale. U zhvillua një betejë e ashpër juridike për publikimin e kasetave të regjistruara pas skandalit. Arçibald Koks, i cili u emërua prokuror special i Uotetgejtit, kërkoi kasetat. Por Nikson nuk pranoi t’i dorëzonte.

Natën që u bë i njohur si “Masakra e së Shtunës Mbrëma”, prokurori i përgjithshëm Robert Bork, e shkarkoi Koks me urdhër të Niksonit. Bork bëri këtë pasi ish-prokurori i përgjithshëm Eliot Riçardson dhe ish-zëvendësi i tij Uilliam Rakëllhauz dhanë dorëheqjen, në vend se t’i bindeshin urdhrit të Niksonit për të shkarkuar prokurorin special.

 

Dorëheqja

 

Pas shkarkimeve të zyrtarëve, thirrjet për shkarkimin e vetë presidentti Nikson, u bënë edhe më të forta. Shtëpia e Bardhë ra më vonë dakord për publikimin e disa prej kasetave të dorëzuara, por që kishin një mungesë misterioze prej 18 minutash. Në prillin e vitit 1974, Shtëpia e Bardhë publikoi më shumë se 1.200 faqe transkripte të kasetave të Zyrës Ovale.

Por ajo nuk pranoi të bënte publike kasetat e fundit, duke cituar privilegjin e ekzekutivit. Më 24 korrik 1974, Gjykata e Lartë e SHBA-së urdhëroi Shtëpinë e Bardhë të dorëzonte regjistrimet e bisedave të saj. Nikson i dorëzoi ato për mediat, duke përfshirë edhe provat që tregonin se ai u përpoq të përdorte CIA-n, për të bllokuar hetimin e FBI mbi skandalin Uotergejt.

Kaseta e lidhte direkt Niksonin me ndërhyrjen në selinë e PD, një fakt që ai e kishte mohuar prej kohësh. Mbështetja për të në Kongres u zhduk, dhe Komisioni Gjyqësor i Kongresit miratoi 3 nene të fajësimit kundër tij. Më 9 gusht 1974, Nikson dha dorëheqjen pa pranuar asnjë faj. “Gjithmonë mbani mend diçka:Të tjerët mund t’ju urrejnë, por ata që ju urrejnë nuk fitojnë, nëse ju nuk i urreni ata, dhe pastaj shkatërroni veten”- tha ai në fjalimin e tij lamtumirës për stafin e Shtëpisë së Bardhë.

 

Falja

 

Zv/presidenti Xherëlld Ford, u betua menjëherë pas largimit të Nikson. “Makthi ynë i gjatë kombëtar ka përfunduar”- i tha ai kombit. Një muaj më vonë, presidenti i ri e fali Niksonin, i cili shprehu “keqardhje dhe dhimbje, që gabimet e mia në lidhje me Uotergejtin” i kanë shkaktuar shqetësime vendit dhe presidencës.

“Një gjë që unë mund të shoh tani qartë, është se kam gabuar kur nuk veprova më me vendosmëri, dhe më drejtpërsëdrejti në trajtimin e Uotegejt, veçanërisht kur arriti në fazën e procedimeve gjyqësore, dhe u shndërrua nga një skandal politik në një tragjedi kombëtare”- tha Nikson duke pranuar faljen. / “CNN’ – Në shqip nga Bota.al

Leave a Reply

Back to top button