Në nivel global, shtetet shpenzojnë nëntë herë më shumë për sipërmarrje luftarake, se sa për të luftuar urinë
Vitin e kaluar, shpenzimet ushtarake globale u rritën me gati 7%, duke shënuar rritjen më të madhe që nga viti 2008, sipas studiuesve në Institutin Ndërkombëtar të Kërkimeve për Paqe në Stokholm. Së bashku, qeveritë shpenzuan mbi 2.4 trilion dollarë për personelin ushtarak, pajisjet dhe armatime.
Ka shumë përdorime më të mira për burimet në këtë shkallë. Në nivel global, shtetet shpenzojnë nëntë herë më shumë për përpjekjet ushtarake sesa për të luftuar urinë. Në të vërtetë, shpenzimet ushtarake globale po i afrohen 2.5-3 trilion dollarëve që Kombet e Bashkuara vlerësojnë se do të ishin të nevojshme për të arritur të gjitha Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm. Këto synime përfshijnë zhdukjen e urisë dhe ofrimin e shërbimeve të energjisë elektrike, kanalizimeve, shëndetit dhe arsimit për të gjithë, në mbarë botën. Ne mund t’i kishim arritur të gjitha këto, por nuk arritëm, sepse i shpenzuam paratë për armë.
“Dividenti i paqes” i mirëpritur kaq ngrohtësisht në vitet 1990 pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, me rënien e Bashkimit Sovjetik, që reduktoi nevojën për shpenzime armatimesh, duket një kujtim i largët. Në vend të kësaj, pas pushtimit rus të Ukrainës dhe në përgjigje të një Kine rebele dhe irredentiste, fuqitë globale i kanë riorientuar burimet drejt sipërmarrjeve ushtarake, shpenzime që mund të kishin përmirësuar jetën e qindra milionë njerëzve.
Ky trend është global. Secila prej 10 fuqive të mëdha të botës rriti ndjeshëm buxhetet e veta ushtarake në vitin 2023. Shpenzimet ushtarake të Rusisë u rritën me 24%, duke arritur në total sa 13 herë buxheti i Programit Botëror të Ushqimit të OKB-së, i cili ndihmon ata që janë në prag të urisë. Ukraina, nga ana e saj, rriti shpenzimet ushtarake me 51%, duke arritur në 65 miliardë dollarë, trefishi i buxhetit që UNICEF-i cakton për fëmijët më të privuar në botë.
Nuk është çudi që vendet në mes të një lufte po rrisin buxhetet e tyre ushtarake. Megjithatë, konflikti midis Rusisë dhe Ukrainës ka pasur pasoja globale, duke i shtyrë qeveritë kudo që të armatosen. Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara rritën gjithashtu shpenzimet e tyre në 916 miliardë dollarë, duke zënë 38% të shpenzimeve totale ushtarake në botë.
Shpenzimet ushtarake të Kinës, megjithëse më pak se një e treta e Amerikës, me “vetëm” 296 miliardë dollarë – ekuivalente me 70 herë më shumë se shpenzimet globale për kontrollin e malaries – po rriten me shpejtësi, me një normë prej 6% në vit, krahasuar me 2.4% në SHBA. Hendeku ushtarak midis këtyre dy fuqive udhëheqëse po ngushtohet çdo vit. Se çfarë mund të ndodhë kur ai të mbyllet fare, askush nuk mund ta thotë.
Shumë argumentojnë se kjo garë armatimi u bë e pashmangshme, ditën kur Vladimir Putin vendosi të destabilizojë Evropën duke pushtuar Ukrainën. Presidenti francez Emmanuel Macron shpall me forcë se, duke pasur parasysh kërcënimin rus, Evropa nuk mund të vazhdojë të mbështetet vetëm në një Uashington që po vërtitet gjithnjë e më shumë drejt Paqësorit, në përgjigje të ambicieve të forta gjeopolitike të Kinës.
Edhe fuqitë modeste ushtarake po rrisin buxhetet e tyre ushtarake. Spanja, për shembull, rriti shpenzimet e veta të mbrojtjes me 2 miliardë dollarë vitin e kaluar – një shumë e ngjashme me atë që e gjithë bota ka premtuar, për të lehtësuar krizën humanitare të shkaktuar nga Lufta Civile në Sudan.
Vendet që u detyruan të shkojnë në pacifizëm pas humbjes së Luftës së Dytë Botërore tani po përgatiten në mënyrë aktive, për një konflikt të mundshëm të armatosur. Japonia, për shembull, po rrit me shpejtësi buxhetin e saj ushtarak dhe parashikohet të bëhet fuqia e tretë më e madhe ushtarake, deri në vitin 2027. Gjermania ka bërë një ndryshim drastik në politikën e saj ushtarake, duke blerë një flotë të shtrenjtë avionësh luftarakë F35 dhe komandë dixhitale të avancuar.
Në një botë më të rrezikshme, është e natyrshme që qeveritë të ndjejnë presion të fortë për t’u armatosur, megjithatë kjo mbetet një tragjedi. Një arsye për suksesin e jashtëzakonshëm ekonomik dhe social të Japonisë dhe Gjermanisë pas vitit 1945 është se këto vende u ndaluan të shpenzonin burimet e pakta që kishin për forcat e tyre të armatosura, duke i lejuar të forconin ekonomitë dhe shoqëritë e tyre.
E justifikuar apo jo, e nevojshme apo jo, kjo garë armatimi na bën të gjithëve më të varfër. / El Pais – Bota.al