MagazineMAIN

Çfarë humbën të rriturit, kur fëmijët pushuan së luajturi në rrugë

Në verën e vitit 2009, Amy Rose dhe Alice Ferguson, dy nëna që jetonin në Greville Road në Bristol, një qytet i mesëm në Anglinë jugperëndimore, u gjendën në një situatë të çuditshme: Ato i kishin shumë kohë fëmijët në shtëpi, pranë vetes. “Po pyesnim, si, pse janë ata këtu?”, tha Roza. “Pse nuk janë jashtë?” Mikeshat vendosën të bënin një eksperiment. Ato aplikuan për të mbyllur rrugën e tyre për trafikun, për dy orë pas shkollës, në një pasdite qershori – jo për një festë apo një aktivitet, por thjesht për të lënë fëmijët që jetonin atje, të luanin. Me vetëdije, nuk përgatitën lojëra apo aktivitete, më tha Rose, pasi do të kishte dështuar qëllimi. Ato donin të dinin: “Me kohë, hapësirë ​​dhe leje, çfarë ndodh?”

Rezultatet ishin mbresëlënëse. Dhjetëra fëmijët që dolën, nuk e kishin hiç problem të gjenin gjëra për të bërë. Një vajzë e vogël i ra rrugës lart e poshtë, “3000 herë”, kujton Rose. “Ishte shumë e lumtur”.

Krejt papritur, qasja moderne ndaj lojës së fëmijëve, ku prindërit i çojnë në parqe lojërash apo aktivitete të tjera, dukej edhe më kot ekstravagante, edhe tërësisht e pamjaftueshme. Fëmijët nuk kishin nevojë për pajisje apo mësime të veçanta; thjesht duhej të ishin më pak të varur nga prindërit dhe koha e tyre, për të dalë jashtë.

Eksperimenti prodhoi edhe disa rezultate të papritura. Teksa fëmijët u lëshuan në rrugë, disa prej tyre takuan shokë të klasës, duke e kuptuar vetëm aty, se ishin fqinjë. Shpejt, për këdo që ndodhej aty u bë e qartë se Greville Road kishte shumë më tepër fëmijë, se sa kishin menduar më parë. Ajo seancë, dhe shumë të tjera që inkurajoi, u shndërrua edhe në një mënyrë se si të rriturit njiheshin mes tyre, gjë që çoi tek një tjetër zbulim për Ferguson dhe Rose: Në shumë drejtime, një botë e ndërtuar për makinat e ka bërë jetën shumë më të vështirë për të rriturit.

Dominimi i makinave e ka shndërruar lojën e fëmijëve në punë për prindërit, të cilët duhet të koordinojnë dhe mbikëqyrin kohën e fëmijëve dhe t’i shpien ata në kopshte lojërash apo takime me bashkëmoshatarë. Por i ka privuar të rriturit edhe nga diçka më e thellë. Me kalimin e viteve, teksa Rose dhe Ferguson e kanë shtrirë eksperimentin e tyre në pjesë të tjera të Mbretërisë së Bashkuar, lagjet në të gjithë vendin kanë zbuluar se, duke i lënë fëmijët të luajnë në ajër të pastër, banorët kanë zbuluar diçka që nuk e dinin se u kishte munguar: aftësinë për t’u lidhur me njerëzit që jetojnë shumë pranë tyre.

Në kohët moderne, njerëzit mendojnë se rrugët u shërbejnë qëllimeve të lëvizshmërisë – të çojnë makinat nga një pikë në tjetrën, në mënyrë të shpejtë dhe të rregullt. Por para shpikjes së automobilit, “rrugët kishin shumë funksione të tjera”, thotë Marcel Moran, profesor në Qendrën për Shkenca Urbane dhe Progres në Universitetin e Nju Jorkut. Rrugët ishin vende ku njerëzit shisnin mallra dhe socializoheshin. Dhe veçanërisht pasi SHBA dhe Evropa nisën të industrializoheshin, rrugët ishin vendi kryesor ku numri në rritje i fëmijëve që jetonin në qytete shkonin të luanin. Kështu vazhdoi të ndodhë edhe pasi kopshtet e lojërave u bënë shumë të përhapur në shekullin 20. Vetëm kur u rrit numri i makinave në rrugë, gjërat nisën të ndryshojnë. Shoqëria nisi t’u japë prioritet lëvizjes dhe parkimit të makinave, mbi fëmijët dhe lojës së tyre.

Zhvendosja drejt një shoqërie të fokusuar tek makinat vetëm sa e dëmtoi më tej idenë që fëmijët kanë një vend në rrugë apo pranë rrugës. Rritja e periferive, ndërtimi i shkollave larg banesave e bëri jopraktike që fëmijët të ecnin për në shkollë.

Rruga jashtë shtëpisë së një fëmije është shumë ndryshe nga një kopsht lojërash apo një oborr privat. Eshtë një hapësirë që lidh një shtëpi me tjetrën dhe përdoret nga të gjithë banorët, pavarësisht moshës apo nëse kanë fëmijë. Në rrugë fëmijët mësojnë si të gjejnë shtëpitë e të tjerëve. Takojnë gjithashtu fëmijë që nuk janë në grupmoshën e tyre. Për të rriturit, rruga e lojërave e bën më të kollajtë që të njihen me këdo, në vend se vetëm kur shkojnë të derdhin plehrat.

E vërteta është se mënyra se si fëmijët luajnë e ndryshon ndjesinë për rrugën, u jep të rriturve mundësinë që të angazhohen në gjithfarëlloj socializimi. Vetë fëmijët funksionojnë si një lloj indi ndërlidhës për të rriturit. Kur fëmijët luajnë mes tyre, edhe prindërit lidhen me njëri tjetrin.

Por fëmijët shërbejnë edhe për të thyer atë rezervimin që të rriturit e kanë natyrshëm ndaj të tjerëve. Tendenca e fëmijëve për të shkelur kufijtë socialë – ta ngulin shikimin pakëz më gjatë, të bëjnë pyetje të drejtpërdrejta, apo të shkelin në oborrin e dikujt – mund t’i nxisë edhe të rriturit që t’i shkelin ato kufij.

Ndoshta nuk është habi që këndet e lojërave janë ndër të paktat vende ku nisja e një bisede me një të huaj konsiderohet e pranueshme nga pikëpamja sociale e madje edhe e pritshme. Por, duke e kufizuar lojën vetëm atje, ne pa dashje mund të kemi eleminuar aftësinë e fëmijëve për të na bërë të lidhemi me njëri tjetrin. / Me shkurtime nga The Atlantic – Bota.al

Back to top button