Your Life

Histori personale: “Disa njerëz thjesht nuk ndryshojnë as me kohën…”

“Pasi më tradhëtoi, sigurisht që i kërkova ndarjen. Nëse ka diçka që nuk e toleroj dot në një marrëdhënie, ajo është tradhëtia. Do pyesni me siguri nëse e kisha të lehtë. Sigurisht që jo, mbi të gjitha sepse në mes ishte dhe djali ynë. Duhet të mendoja më tepër për të, pasi për veten e kisha vendosur çfarë të bëja. Ama në ato momente isha tërësisht e zhgënjyer nga çfarë kishte ndodhur dhe nuk doja të mendoja asgjë tjetër, veçse ta kisha sa më lart atë person.

Por çfarë ndodhi? Ai gjeti një avokat shumë të aftë, përgënjeshtroi çdo gjë që rrëfeva në gjyq dhe duke qenë se në atë kohë nuk isha në punë, mori dhe kujdestarinë e djalit tonë. U bë një person aq i huaj për mua, sa nuk di ta shpjegoj. Ndihesha tërësisht e zhgënjyer nga veprimet e tij, pasi mendova se do të ndahesha nga ai, ama do të kujdesesha si një nënë dhe baba për djalin tonë. Kisha bërë plot plane në mendje, ama kurrë nuk e prisja të merrte edhe kujdestarinë e djalit.

U desh shumë kohë ta pranoja këtë fakt dhe nëse kishte diçka që kuptova nga kjo histori, është se disa persona thjesht nuk ndryshojnë as me kohën. Ai më tradhëtoi, sigurisht nuk ndjente mjaftueshëm për mua (në të kundërt nuk do më tradhëtonte), më ofendoi pamasë në gjyq dhe ende më ofendon si të paaftë në ditët e sotme. Takohemi rrallë për të diskutuar mbi ecurinë e djalit dhe planet për të ardhmen e tij, por ka mbetur po i njëjti. Vazhdon të ironizojë çdo zgjedhje dhe veprim timin, sikur ai të ishte perfekt. Harron që tabloja e një personi perfekt që kisha në fillim për të, është komplet e njollosur nga çfarë bëri.

Disa njerëz thjesht nuk ndryshojnë dhe ndonjëherë është e vështirë t’i kuptosh që në fillim se çfarë karakteri kanë. Kur mendoj mbi zgjedhjet që kam bërë në të shkuarën, ndihem e lumtur që jam ndarë në kohë. Kur një mashkull nuk të vlerëson, mënyra më e mirë është të largohesh prej tij. Sa për tim bir, e takoj vazhdimisht dhe mundohem të kujdesem për gjithçka që ka lidhje me të. Sigurisht e mendoj që për një fëmijë është e vështirë të rritet nga dy prindër të ndarë, ama një marrëdhënie nuk mund të mbahet vetëm nga një person. Duhet të jenë të dy të sinqertë dhe ta duan njëri-tjetrin, në të kundërt marrëdhënia do të ishte thjesht një fasadë”.

Back to top button