MagazineMAIN

Loja e numrave

Marcus du Sautoy

Jeta mund të na ngjajë shpesh herë si një lojë shahu. Çdo skenar që ndeshim ka një sërë rregullash që përfaqësojnë një lloj pengese për të mbërritur në destinacion. Në të vërtetë, është sugjeruar që speciet njerëzore kanë filluar të luajnë lojëra, si një hapësirë e sigurt për të eksperimentuar me mënyrën më të mirë për të planifikuar një strategji, për të arritur qëllimet e veta në jetë.

Sapo filluam të kuptonim se universi ishte i qeverisur nga rregulla, ne filluam të krijojmë lojëra për t’i eksploruar ato rregulla. Shumë kafshë luajnë lojëra kur janë të vogla, por specia jonë është ndoshta unike në vazhdimin e lojërave deri në moshën madhore. Roli i lojërave në evolucionin tonë, ka shtyrë madje disa të propozojnë, që ne të quhemi Homo ludens dhe jo Homo sapiens.

Krahas lojërave që kemi krijuar për të eksploruar vendin tonë në univers, ne kemi zhvilluar gjithashtu një mjet të fuqishëm për të na çuar shpejt dhe me efikasitet drejt fitores dhe, më e rëndësishmja, përpara lojtarëve të tjerë: matematikën. Për shkak se lojërat përcaktohen nga një grup rregullash që kufizojnë mënyrën se si e luani lojën, matematika është një gjuhë shumë e natyrshme për të eksploruar implikimet logjike të këtyre rregullave dhe për të gjetur rrugën optimale për të arritur në destinacionin tuaj.

Meqenëse vetë jeta është thjesht një lojë e maskuar, të kesh disa truke matematikore nën mëngë mund të japë gjithashtu një avantazh në lojën e jetës. Ja disa prej tyre:

Si të fitosh milionat e tua

Kazinoja është zakonisht një vend ku humbet miliona. Por, nëse pajisesh me disa përllogaritje matematikore, ka gjithmonë mënyra për të dalë fitues, ose të paktën të humbasësh paratë sa më ngadalë që të jetë e mundur.

I gjithë koncepti I kazinosë bazohet në zbulimin që matematika mund të të japë një avantazh, kur vjen puna tek luajtja e lojërave të shansit, një zbulim I bërë nga Pierre de Fermat dhe Blaise pascal, në gjysmën e dytë të shekullit 17. Analiza e tyre u mundësoi kazinove të manipulonin lojërat në mënyra të tilla që, ndonëse mund të humbasin herë pas here, në terma afatgjatë dalin gjithmonë me fitime. Kështu që, marifeti më i mirë për të fituar miliona është që të zotërosh kazinonë.

Por ka gjithësesi disa gjëra që ia vlen t’i dish si lojtar, nëse ke shpresë të mundësh kazinonë. Ja një shembull i vogël për ju. Ti ke 25 dollarë. Qëllimi yt është të dyfishosh këtë shumë në tryezën e ruletës. Nëse i vendos paratë tek e kuqja dhe topi ndalet aty, atëherë i dyfishon paratë. Cila strategji ka më shumë gjasa të ndodhë? Strategjia A: Vendosi të gjitha paratë menjëherë tek e kuqja. Strategjia B: Vendos 1 dollar tek e kuqja për çdo rrotullim të ruletës. Në pamje të parë duket sikur nuk ka rëndësi, por ka një gjë që duhet ta dini: Ruleta ka 36 numra, gjysma të kuq dhe gjysma të zinj, por është dhe një numër i 37-të: zero, që është i gjelbër. Nëse topi ndalet këtu, ti i humbet paratë, kudo që t’i kesh vendosur ato. Ky është vendi ku kazinoja i mund të gjithë. Duket si e pafajshme, por kazinoja ka llogaritur që në terma afatgjatë, kjo u sjell atyre miliona.

Për atë që luan, kjo do të thotë që shanset për të fituar nuk janë 50/50, nëse i vendos paratë tek e kuqja. Janë 18/37. Do të thotë që çdo herë që ti luan, i paguan kazinosë 1/37 dollarë, ose 0.027 dollarë për çdo dollar që luan. Kazinoja ka pra një avantazh prej 2.7%. Sa më shumë luan, aq më shumë paguan.

Në strategjinë A, shansi që të dyfishosh paratë me një dorë duke i hedhur të 25 dollarët është 18/37, ose 48%, pra diçka më pak se 50/50. Por nëse luan Strategjinë B, për shkak se paguan për çdo bast 1-dollarësh që vendos, kjo do të thotë se kjo strategji po të çon gradualisht gjithnjë e më larg objektivit tënd të dyfishimit të parave. Në fakt, ka vetëm 25% shanse që kjo strategji të të çojë drejt dyfishimit të parave.

Edhe pse Strategjia A është basti më i mirë, ajo nga ana tjetër nënkupton që do të kalosh një kohë të shkurtër në kazino. Strategjia B mund të të japë një mbrëmje më argëtuese, por ti paguan për këtë argëtim.

Urtësia e turmës

Një mjet shumë i fuqishëm nëse nuk e dini përgjigjen për diçka është të pyesni turmën. Urtësia e turmës, ku grumbulloni njohuritë e grupit, është një mënyrë efikase për të ditur gjithçka, nga numri i fasuleve në një kavanoz, deri te numri i golave të shënuar në Botërorin e fundit.

Një shembull i mirë i mençurisë së turmës shfaqet në lojërat e famshme “Kush dëshiron të bëhet milioner”? Shumicën e kohës ju u përgjigjeni vetë pyetjeve, në përpjekjen tuaj të gejtur saktë 15 prej tyre dhe më pas fituar çmimin 1 milionësh. Megjithatë, ka disa linja shpëtimi tek të cilat mund të kapeni nëse nuk keni një ide. Njëra prej tyre ju lejon të telefononi një mik, ndërsa një opsion i dytë është të pyesni audiencën.

Një ekip akademikësh nga Zvicra mblodhi të dhëna për versionin gjerman të emisionit, i cili zbuloi se në 1337 herë që u pyet audienca, ata kishin gabuar vetëm 147 herë. Kjo është një normë e jashtëzakonshme e gjetjes së përgjigjes, prej 89%. Krahasojeni atë me statistikën ku i telefononi një shoku, ku nuk arrihet të merret përgjigja e duhur në 46% të rasteve. / Me shkurtime nga Guardian – bota.al

Back to top button