Nga Avery Hurt
Nuk ka dyshime se viti 2020, do të hyjë në histori si viti më i keq, të paktën për ata nga ne që e përjetuan atë. Ai nisi me Australinë e përfshirë nga flakët. Deri në mars, mbi 12 milionë hektarë pyje, një zonë gati sa Siria, u shkrumbuan plotësisht duke shkatërruar habitatet e më shumë se 800 specieve vertebrore.
Zjarret shkatërruan shumë shtëpitë dhe jetën e shumë njerëzve. Më pas në SHBA shpërthyen trazirat racore, kur një oficer i bardhë i policisë së Mineapolisit vrau afro-amerikanin George Floyd. Edhe sezoni i uraganeve theu disa rekorde.
Pastaj, një pandemi shpërtheu në të gjithë planetin, duke vrarë më shumë se 1.7 milionë njerëz në të gjithë botën (deri më tani), dhe më shumë se 300.000 vetëm në SHBA, që ka shkaktuar gjithashtu një recesion ekonomik, duke lënë më shumë se 10 milion njerëz të pa punë.
Për këto arsye, 2020-a ishte një vit i tmerrshëm, shumë i keq. Por a ishte ky viti më i keq që është parë ndonjëherë? Mos u nxitoni. Bota ka parë disa vite edhe më të tmerrshme. Ato janë shumë për t’u përmbledhur në një artikull, po ja disa prej tyre:
Viti 536
2020-a ishte vërtet shumë tronditës, por të paktën kemi pasur Diellin. Në vitin 536, një shpërthim vullkanik në Islandë hodhi aq shumë hi në atmosferë, saqë pjesa më e madhe e botës u mbështoll me një mjegull që e bllokoi Diellin. Dhe kriza nuk mbaroi vetëm brenda një viti.
Errësira zgjati plot 18 muaj. Ajo ngjarje nuk ishte e keqe vetëm për gjendjen shpirtërore të njerëzve. Temperaturat ranë, të korrat u shkatërruan, ndërsa shumë vende nisën të vuanin nga uria. Si të mos mjaftonte kjo, u shfaq edhe Murtaja Bubonike që zhduku 25-50 për qind të popullsisë së Perandorisë Romake. Prandaj 536 ishte shumë më i keq sesa viti që po mbyllet.
Vitit 1520
Nuk është e nevojshme të kthehemi aq prapa në kohë për të gjetur një vit vërtet të keq. Viti 1520 nuk ishte aq i keq në Evropë, por në Amerikë ishte një tmerr. Viti 1520 shënoi fillimin e katastrofës. Kur eksploruesit spanjollë zbarkuan në atë që është tani Verakruz në Meksikë, në prillin e vitit 1520, ata bartën me vete një sëmundje infektive të rrezikshme:linë.
Përgjatë epidemive të përsëritura të lisë, shumica e popullatës evropiane kishte fituar imunitet ndaj sëmundjes. Por ashtu si të gjithë sot ndaj COVID-19, popullatat vendase kishin imunitet zero ndaj sëmundjes. Nga mesi i tetorit 1520, virusi u përhap me shpejtësi nëpër qytete, duke vrarë gati gjysmën e banorëve.
Lija u përhap në të gjithë Botën e Re, ndërsa kolonizimi evropian vazhdonte të zgjerohej. Sipas disa studiuesve, 90 për qind e popullsisë vendase të dy Amerikave, u zhduk pikërisht për shkak të sëmundjes së lisë. Më shumë amerikanë vendas u vranë nga ky mikrob evropian sesa nga ndonjë armë evropiane.
Viti 1918
Ndërsa Lufta e Parë Botërore po mbaronte, një virus i ri i gripit të shpendëve,shkaktoi një pandemi vdekjeprurëse që zgjati për më shumë se një vit. Ndryshe nga pandemia aktuale, gripi i vitit 1918, goditi veçanërisht fëmijët nën 5-vjeç dhe të rriturit midis 20-40 vjeç.
Në atë kohë nuk kishte asnjë vaksinë anti-virale, dhe përpjekjet për të kufizuar grumbullimet dhe për të inkurajuar praktika më të mira higjienike, si dhe mbajtjen e maskave,sollën rezultate të përziera. Në një artikull të botuar në revistën “Nature” në vitin 2009 , historiani John M. Barry shkruan:“Kur vala pandemike e plotë dhe vdekjeprurëse mbërriti në Shtetet e Bashkuara në shtatorin e 1918, presidenti Wilson nuk bëri kurrë një deklaratë të vetme rreth pandemisë”.
Gripi i vitit 1918 vrau të paktën 50 milion njerëz në të gjithë botën, dhe 675.000 në SHBA. Por në atë kohë mbajtja e regjistrit demografik nuk ishte aq e saktë, ndaj numri i të vdekurve mund të ketë qenë më i lartë. Gjithsesi edhe kjo shifër tregon se numri ishte shumë më i madh se numri i ushtarëve të vdekur në të dyja Luftërat Botërore, dhe shumë më tepër se koronavirusi i ri, të paktën deri më tani.
Viti 1933
Shumë nga periudhat më të errëta në historinë njerëzore, nuk u nxitën nga një virus i ri, apo nga ndonjë katastrofë natyrore tepër e rëndë. Ngjitja e Adolf Hitlerit në pushtet në Gjermani, dhe tmerri i pa mendueshëm që e pasoi atë moment, është ndoshta shembulli më emblematik në këtë aspekt.
Në vitin 1933, Hitleri e shfrytëzoi një zjarr të dyshimtë që ra në godinën e parlamentit gjerman, për të arrestuar armiqtë e tij politikë dhe për të marrë të tjera kompetenca emergjente. Zjarri besohet gjerësisht se u shkaktuar qëllimisht nga Partia Naziste.
Më pas,Hitleri vazhdoi të shkatërronte institucionet demokratike të vendit, dhe të ngrinte veten në pozitën e një autoriteti suprem. Rruga e tij drejt pushtetit, u lehtësua nga fakti që bota ishte në mesin e një kolapsi ekonomik shumëvjeçar, Depresionit të Madh, që shkaktoi dhe rënie e tregut të aksioneve në SHBA, në tetorin e vitit 1929.
Pasi mori drejtimin e Gjermanisë, Fyhrer nisi zbatimin e planit të tij për të sunduar pjesën tjetër të botës. Këto plane u penguan nga Lufta e Dytë Botërore, e cila përfshiu 30 vende dhe vrau rreth 75-80 milion njerëz, shumica e prej të cilëve civilë.
Përveç këtyre viktimave, regjimi nazist shfarosi sistematikisht 11 milion njerëz, një gjenocid i njohur si Holokaust. Kjo fushatë vrasjesh masive synonte hebrenjtë, njerëzit e komunitetit LGBT, sllavët, dhe këdo tjetër që ata e konsideronin si të padenjë për të jetuar. Lufta përfundoi në 1945, por trauma vazhdoi për dekada të tëra.
Viti i panjohur
Sigurisht, në historinë e Tokës ka pasur shumë vite të këqija edhe kur njerëzit nuk ekzistonin ende. Ndoshta pretendenti më i fortë për vitin më të keq ndonjëherë në Tokë, është një vit ende i papërcaktuar rreth 65 milion vjet më parë, kur një asteroid i madh u përplas mbi atë që tani është Gadishulli i Jukatanit në Meksikë, duke çuar në një zinxhir ngjarjesh që zhdukën 75 për qind të jetës në Tokë, përfshirë të gjithë dinozaurët. Prandaj, ndoshta duhet t`a konsiderojmë veten me fat që 2020-ja na solli një virus dhe jo një asteroid. / “Discover Magazine”