Bota

Një krizë e re energjetike pritet të godasë Evropën

Nga Susanne Mundschenk

“The Spectator”

Pas pandemisë së Covid-19, a është ajo energjitike, kriza e radhës që do ta godasë Evropën? Çmimet e gazit kanë shënuar rekorde të reja, duke arritur në 180 dollarë për fuçi në Holandë, që përbën një rritje prej 5 herësh, vetëm gjatë 6 muajve të fundit.

Kjo rritje është nxitur nga lajmet se Rusia ka devijuar linjat e furnizimit me gazit nga gazsjellësi i saj kryesor evropian, në atë që shkon drejt lindjes nëpërmjet Polonisë. Ekspertët po diskutojnë mbi arsyet e kësaj krize, qoftë ky tregimi i muskujve gjeopolitikë apo fakti që Rusia është goditur nga një valë e të ftohtit, me temperatura që kanë rënë në minus 20 gradë.

Rezultatet janë të njëjta: Vladimir Putin premtoi më shumë gaz për Evropën, por kjo sasi shtesë nuk po vjen ende. Ndërkohë, perspektiva e një pushtimi rus të Ukrainës, vetëm sa e shton pasigurinë dhe presionet ndaj tregjeve.

Evropa ende varet nga gazi rus, që përbën deri në 35 për qind të nevojave të kontinentit. A do të ketë gaz të mjaftueshëm për të kaluar dimrin? Blerësit evropianë të shumicës, e mbajnë sekret sasinë e gazit që po blejnë aktualisht.

A do të ketë grumbullime të gazit nga Rusia, dhe taktika të tjera imponuese ndaj vendeve evropiane, pikërisht në këtë kohë mungesash të dukshme? A do të shkaktojë kjo një procedurë të përbashkët blerjeje të gazit të ngjashme me vaksinat anti-Covid? A do të përçahet Evropa mbi çështjen e energjisë?

Shumë pyetje, të cilat nuk kanë ende një përgjigje të qartë. Edhe në Francë, vendi i energjisë bërthamore, po shfaqen mungesa të papritura. Nga 56 reaktorët e saj bërthamorë, 15 janë aktualisht jashtë funksionit për shkak të procedurave të remontit.

Franca është zakonisht një eksportuese e energjisë elektrike, por tani është e detyruar që të importojë energji elektrike, dhe madje të djegë edhe naftë në termocentralet e saj. Kriza vjen pasi EDF njoftoi se do të ndalonte punën e 4 reaktorëve të mëdhenj, që përbëjnë 10 për qind të kapacitetit bërthamor të vendit.

Mëngjesin e të martës ishin në punë vetëm 6 reaktorë me naftë. Po të martën vetëm 5 për qind e energjisë elektrike u shpërnda nga stacionet e energjisë bërthamore, ndërsa 13 gigavat u importuan nga vendet fqinje.

Gati 1/3 e kapacitetit bërthamor të Francës, do të jetë jashtë funksionit deri në fillim të janarit.

Edhe Gjermania do të nxjerrë jashtë funksionit gati 50 për qind të kapacitetit të saj bërthamor përpara fundit të vitit 2022. Kjo lëvizje, do ta lërë tregun evropian të energjisë në mëshirën e motit dhe të gazit rus.

Çfarë ndodhi me premtimin e Emanuel Makron për më shumë termocentrale bërthamore,

të cilat janë të kushtueshme, dhe nuk do të ndihmojnë aspak në zbutjen e mungesave energjitike? Aktualisht po bëhen disa përpjekje për të zbutur këtë krizë.

Ministri i Energjisë në Francë, është zotuar të vërë më herët në punë reaktorët bërthamorë. Po ashtu Franca ka nënshkruar kontrata me disa kompani për të garantuar prodhimin e energjisë elektrike, dhe për të cilat shteti do të paguajë para shtesë.

Kjo krizë energjetike do të jetë e kushtueshme si për kompanitë energjetike, ashtu edhe për shtetin francez. Qeveria franceze është e angazhuar të kufizojë në vetëm 4 për qind rritjen e çmimeve për konsumatorët, dhe të paguajë vetë diferencën.

Ashpërsia e kësaj krize varet nga Rusia, dhe nga sa i ashpër do të jetë ky dimër. Vetëm disa gradë mund të bëjnë një ndryshim të madh. Janari dhe shkurti janë 2 muajt që duhen parë me shumë kujdes.

Back to top button