Ekonomi

BRICS dhe ndryshimi i shpejtë i rendit global

Një nga sfidat më të mëdha me të cilat përballet tani është ndryshimi i shpejtë i rendit global, që ka bërë anëtarët e BRICS, veçanërisht Rusinë, Kinën dhe Indinë, aktorë shumë të rëndësishëm në çështjet rajonale dhe globale. Kjo ka ndodhur për shkak të paaftësisë së SHBA për të qëndruar e angazhuar në mënyrë konstruktive në çështje të ndryshme globale dhe rajonale, dhe gjithashtu për shkak se anëtarët e BRICS-it fitojnë më shumë rëndësi gjeo-ekonomike dhe politike, me kalimin e kohës

Nga Amitendu Palit*

Samiti i 9-të BRICS në Xiamen shënon udhëtimin e vendeve të BRICS, gjatë një periudhe të trazuar në ekonominë botërore. Ai gjithashtu sinjalizon edhe mbërritjen në një fazë pjekurie të grupit, dhe sfidat me të cilat ai të ballafaqohet në të ardhmen.

Vendet e BRICS u takuan për herë të parë në vitin 2009 dhe janë mbledhur çdo vit që atëherë. Përbërja e grupit që nga takimi i tij i parë është zgjeruar, duke përfshirë Afrikën e Jugut, përveç anëtarëve fillestarë, Brazili, Kina, India dhe Rusia. Më shumë vende mund të bashkohen me grupin BRICS në të ardhmen, duke u zhvilluar në një forum të madh për ekonominë botërore të modeluar sipas interesave të ekonomive të tregut në zhvillim.

Fakti që vendet e BRICS u bënë bashkë për herë të parë, pas krizës ekonomike botërore të vitit 2008, zor se mund të neglizhohet. Kriza financiare e vitit 2008 vuri në dukje dobësitë e sistemit financiar botëror, të dominuar nga bankat dhe institucionet financiare të SHBA dhe Evropës. Zbulimi masiv i kredive me probleme dhe borxheve të këqija tërhoqi vëmendjen tek fakti që, SHBA dhe Evropa do ta kishin të vështirë të vepronin si motorë të rritjes globale nga ai moment. Kjo gjithashtu nënkuptonte që tregjet e mëdha në zhvillim në botë, duhej të pranonin pashmangshmërinë e udhëheqjes së tyre për ekonominë botërore. Kjo është një gjë që BRICS e ka bërë në mënyrë të shkëlqyeshme edhe gjatë viteve të fundit. Pavarësisht skepticizmit që BRICS ishte thjesht një grupim i cili u bë bashkë shkak ‘volie’ dhe jo me një axhendë të përbashkët konstruktive, BRICS ka mbijetuar me sukses dhe ka prodhuar institucione. Banka e Re për Zhvillim është shembulli më i madh.

Ndërsa shkonte përpara, BRICS do të përjetonte sfida më të mëdha. Një nga sfidat më të mëdha me të cilat përballet tani është ndryshimi i shpejtë i rendit global, që ka bërë anëtarët e BRICS, veçanërisht Rusinë, Kinën dhe Indinë, aktorë shumë të rëndësishëm në çështjet rajonale dhe globale. Kjo ka ndodhur për shkak të paaftësisë së SHBA për të qëndruar e angazhuar në mënyrë konstruktive në çështje të ndryshme globale dhe rajonale, dhe gjithashtu për shkak se anëtarët e BRICS-it fitojnë më shumë rëndësi gjeo-ekonomike dhe politike, me kalimin e kohës.

Fuqizimi i tripalëshit, Rusi-Kinë-Indi në drejtimin e BRICS është gjithashtu një reflektim i rëndësisë që tregjet në zhvillim të Azisë shohin tek BRICS. Në të vërtetë, kjo ka qenë një tjetër sfidë për BRICS. Për t’u bërë një përfaqësuese e vërtetë e tregjeve të mëdha në zhvillim në të gjithë botën, BRICS duhet të bëhet pan-kontinentale. Anëtarësia e saj duhet të përfshijë më shumë vende nga rajonet dhe kontinentet e tjera. Dhe pikërisht këtu, komunikimi i ndërsjellë midis Rusisë, Kinës dhe Indisë bëhet thelbësor. Kompleksiteti i gjeopolitikës moderne krijon situata ku miqtë dhe aleatët e një vendi nuk janë domosdoshmërisht të tillë për tjetrin. Që të tre vendet do të ishin tepër të kujdesshëm në caktimin e anëtarëve të rinj, duke pasur parasysh llogaritjet strategjike që ata bëjnë në lidhje me këta anëtarë. Dhe kjo mund të jetë një nga arsyet pse zgjerimi i anëtarësisë së BRICS mund të jetë një detyrë mjaft e vështirë.

Është gjithashtu një sfidë e rëndësishme për vendet e BRICS që të vendosin për axhendën e ardhshme. Që tani, dy çështje të rëndësishme kanë dominuar punimet. Këto janë ndryshimet klimatike dhe financimi i zhvillimit, që synojnë ndërtimin e infrastrukturës. Herët a vonë, BRICS do të duhet të zgjerojë axhendën e vet, për rritjen e rëndësisë së vet në rendin global. Ka disa shqetësime të përbashkëta globale ku mund të kontribuojë pa pengesa nga ndonjë prej anëtarëve aktualë. Këto përfshijnë menaxhimin e fatkeqësive natyrore, çështjet shëndetësore që janë shqetësime të përbashkëta për të gjithë anëtarët e BRICS, si dhe çështje të tregtisë dhe financave globale me interes të përbashkët. Në fakt, mund të jetë një ide e mirë të përfytyrohet një “pikëpamje e BRICS” ose një “dokument i BRICS” në forume si OBT, ku Kina dhe India tashmë po punojnë së bashku për të ulur subvencionet e fermave bujqësore që shtrembërojnë tregun, në ekonomitë e përparuara. Sfida përfundimtare për BRICS, natyrisht, do të ishte të vendoste se deri në ç’masë mund të jetësojnë axhendën aktuale të zhvillimit, në një axhendë politike apo strategjike. Kjo, megjithatë, do të ishte një marrëveshje shumë e vështirë për t’u arritur.

* Autori është Drejtues Studimesh në Institutin e Studimeve të Azisë Jugore në Universitetin Kombëtar të Singaporit

Leave a Reply

Back to top button