Psikologji

Dhjetë sekrete të gjuhës së trupit, që do t’ju bëjnë më të suksesshëm

Nga Juliana La Bianca

1. Suksesi varet shumë nga përshtypja e parë që lini tek tjetri

Një nga mënyrat më të lehta për të pasur një gjuhë trupi miqësore, është të hyni diku në mënyrë miqësore. “Përpara se sa të takoni dikë, imagjinoni se ju pëlqen vërtet ai person”- thotë avokatja dhe sipërmarrësja Elena Leduks.

“Pastaj, kur të nisni takimin, përpiquni që të gjeni arsyet pse ju pëlqen sinqerisht ai ose ajo. Kjo gjë çon në një pikëpamje miqësore, në një qëndrim të relaksuar të trupit, dhe sjell më shumë buzëqeshje”- shton ajo. Dhe kur e bëni dikë që të ndihet i veçantë, ai ka më shumë gjasa të kërkojë të mbajë kontakte me ju në të ardhmen.

2. Përsosni qëndrimin tuaj trupor

Baza e një gjuhe të mirë të trupit është qëndrimi i mirë. Ndaj drejtojeni shtyllën kurrizore, relaksoni shpatullat dhe mbajeni mjekrën paralel me dyshemenë. Po ashtu mbajini në një pozicion që nuk izolon gjoksin tuaj. “Mbajeni trupin tuaj të hapur ose të çlirët. Ne priremi të mbulojmë gjoksin kur ndihemi të shqetësuar ose të kërcënuar. Kur e lëmë të hapur do të dukemi para tjetrit si më të sinqertë dhe të ndershëm”- thotë Xhon P.Gerrison, psikolog dhe ekspert i gjuhës së trupit.

3. Buzëqeshni

Të gjithë e dinë se buzëqeshja prodhon energji pozitive, dhe u tregon njerëzve që kenoi përballë se jeni të hapur për të biseduar me ta. Por jo çdo lloj buzëqeshje do ta bëjë këtë. Në fakt, një buzëqeshje shtirur mund të japë efektin e kundërt. “Emocionet e sinqerta shfaqen në të dyja anët e fytyrës. Prandaj, sigurohuni që nëse do të buzëqeshni, ajo që të jetë një buzëqeshje e plotë dhe e vërtetë. Një buzëqeshje me njërën anë të fytyrës interpretohet në mënyrë të pandërgjegjshme si përbuzje”- thotë Gerrison.

4. Koha e buzëqeshjes është gjithçka

“Dhurojini një buzëqeshje dikujt, por ruajeni atë për një ose dy momente”- thotë Mishell Tajerberg, bashkëthemeluese e grupit të rrjeteve “Twin Cities Wedding & Event Professionals”. “Pastaj, lëreni buzëqeshje që të përhapet në fytyrën tuaj. Kjo i komunikon atij që keni përballë se buzëqeshja është për shkak të asaj që ata janë, dhe se ju nuk i buzëqeshni çdokujt që ju afrohet”- shton ajo.

5. Ruani kontaktin me sy

Kontakti i fortë me sy është çelësi për t’u dukur miqësor dhe i sigurt. “Të shikosh dikë vazhdimisht në sy është shumë frikësuese”- thotë ekspertja e gjuhës së trupit Lilian Glas për CNBC. “Prandaj, në vend të kësaj shikojeni në fytyrën për 1 sekondë, tek sytë një sekondë, tek hunda për një sekondë, dhe tek goja për një sekondë.” Natyrisht, ju do të dëshironi të shmangni shikimin në ambientin përreth apo të kontrolloni telefonit tuaj.

6. Drejtojini këmbët në anën e atij me të cilin po bisedoni

Tregojini personit me të cilin po bisedoni se ai ka vëmendjen tuaj të plotë duke drejtuar trupin përballë tij. “Kjo do të thotë që ju po lidheni me atë person”- tha Glass për CNBC. Për më tepër, duhet të përkuleni pak nga personi për të treguar se jeni angazhuar seriozisht me të.

7. Një shtërngim i fortë duarsh

Ky gjest krijon një përshtypje të parë shumë të fortë. “Mos u përpiqni të dominoni dhe mos jini të nënshtruar në pozicionin e dorës tuaj. Lëvizeni dorën përpara dhe me njëfarë fortësie. Kjo nuk është koha për duart si “peshk i ngordhur”, dhe nëse dora juaj është e djersitur, fshijeni atë”- thotë Mark Anderson, drejtor i trajnimit dhe zhvillimit në “Anderson Investigative Associates”.

8. Jini të vetëdijshëm për këtë lojë pushteti

Në disa raste, lojërat e pushtetit janë të dobishme. Por në raste të tjera, për shembull gjatë një intervistë pune, është më mirë që të dukeni të përulur. Garrison thotë se një gjest i zakonshëm i dorës, duke i bashkuar majat e gishtave të të dyja duarve për të krijuar një formë trekëndore, mund të japë efekte pozitive dhe negative.

“Ky gjest i bën shpesh individët më të besueshëm kur ata janë ekspertë në një fushë, dhe përdoret rregullisht nga individë të fuqishëm, siç janë drejtuesit e kompanive. Por përdorimi i tij kur dikush nuk po flet si ekspert apo drejtues, ka të ngjarë të perceptohet si arrogancë dhe mund të acarojë të tjerët”- thotë ai.

9. Përdorni gjestet e duarve

Pasi të keni filluar bisedën, do të dëshironit që ta lini trupin tuaj të lëvizë natyrshëm. “Për shkak se ngrijmë kur ndihemi të kërcënuar, edhe lëvizja minimale e trupit mund të shihet si një përpjekje për të qenë të pandershëm. Studimet tregojnë se njerëzit që flasin me më shumë gjeste duarsh besohet se janë më të ndershëm sesa ata që nuk përdorin duart kur flasin”- thotë Gerrison.

10. Bëni këtë me duart tuaja

Një nga gjërat më të sigurta për të bërë me duart dhe krahët është absolutisht asgjë. Lërini ato siç janë. Por ne e kuptojmë se krijimi i ndjenjës së besimit në atë pozicion mund të kërkojë vite. Opsione të tjera përfshijnë mbajtjen e një gote me ujë apo çantë në njërën dorë dhe lënien e tjetrës të lirë apo thjesht shtrëngimin e duarve pas shpine. Asnjëherë mos i kryqëzoni krahët para gjoksit nëse po përpiqeni që të angazhoheni me dikë. Mos harroni: këto truke të gjuhës së trupit, mund t’ju ndihmojnë të arrini pikërisht atë që dëshironi nga jeta. / “Readers Digest” – Bota.al

Back to top button