Motivuese

Gjithçka që të duhet për një ditë të bukur…

Uroj që në jetë të njohësh sa më parë një person që ia vlen, që të do, të kupton dhe të respekton. Dashuria nuk mjafton për ta çuar një marrëdhënie përpara, ndaj mos mendo se duke gjetur dashurinë e vërtetë, ke gjetur personin e duhur. Uroj edhe të mos zhgënjehesh kurrë nga dikush që do, edhe pse kjo mund të duket pjesë e jetës. Nuk është sepse çdo person është ndryshe nga tjetri dhe asnjë marrëdhënie nuk është e thënë të jetë si tjetra.

Uroj të mos e përjetosh kurrë humbjen e një personi që do. E di, është diçka e pashmangshme, por të paktën të uroj që kjo gjë të ndodhë sa më vonë të jetë e mundur, sepse ne lidhemi aq shumë shpirtërisht me ata që duam, saqë na duket e pamundur jeta pa ta.

Uroj të gjesh paqen e brendshme shpirtërore. Problemet, rutina e lodhshme, dështimet janë disa nga faktorët që na trazojnë çdo ditë nga përbrenda. Kur jemi të stresuar, ne nuk mund të jemi kurrsesi të lumtur, ndaj unë të uroj të jesh i/e qetë përbrenda, në mënyrë që të jesh një hap më afër lumturisë.

Uroj të gjesh gjithë forcën e duhur përbrenda për të përballuar ligësinë që mund të të rrethojë. Njerëzit rreth nesh mund të na bëjnë gjithçka, ndaj unë uroj që ti të gjesh forcën brenda vetes për të përballuar gjithçka. Mos u kap pas gjërave të vogla dhe lëri gjërat e mëdha të marrin gjykimin e duhur nga Zoti. Nuk të takon ty të gjykosh të tjerët, ndaj bëj vetëm aq sa ke në dorë për të bërë.

Uroj të zgjohesh përditë me një qëllim dhe të flesh përnatë, duke ditur se atë ditë ke hedhur një hap më tej drejt realizimit të qëllimit tënd. Nuk ka gjë më të bukur se t’i kesh idetë të qarta se çfarë kërkon të arrish në jetë. Këtë gjë duhet ta bëjmë të gjithë ne, por ëndrrat mbeten ëndrra. Ajo që ka rëndësi, është që t’i realizojmë ato ëndrra dhe të përpiqemi t’i bëjmë ato realitet.

Uroj që të pranosh dashuri dhe të dhurosh dashuri. Është shumë e lehtë ta mbyllësh gjithçka me një ndarje dhe të mos pranosh të biesh në dashuri, sepse mendon se do të lëndohesh. Por, unë uroj ta kuptosh se nuk mund të jetohet pa dashuri, pasi ajo është forca që vendos në lëvizje gjithçka, ndaj uroj gjithashtu ta pranosh dashurinë dhe ta dhurosh po njësoj. / bota.al

Leave a Reply

Back to top button