Your Life

Jetojmë në një shoqëri “të ngurtë”. Nuk i shprehim ndjenjat tona hapur…

“Kam një baba që më ka dashur jashtëzakonisht shumë, por që ka pasur guximin për të ma thënë për herë të parë, kur unë isha 19 vjeç. E dija se më donte, por ta dëgjoja ta shprehte më ka bërë të përjetoja një nga emocionet më të forta të jetës sime. Unë ndërkohë nuk ka ditë që të mos ia shpreh sa e dua. E përqafoj, i them se e dua shumë, e puth. Ndoshta nuk kam qenë djali më i mirë që mund të kishte, por kam marrë shembullin më të mirë nga kushdo, dhe jam munduar t’i ngjaj babit për t’u bërë një njeri më i mirë”. Këto janë fjalët e Santiagos, djalit të Stefano de Martino për të atin e tij.

Arsyeja se pse e nisa këtë artikull me këto fjalë, është për ta vënë theksin tek një nga problemet që hasim përditë. Jetojmë në familje me prindër “të ngurtë”. Nuk e vë në dyshim aspak që na duan shumë, ama nuk e shprehin dashurinë e tyre. Mundohen ta tregojnë vetëm me vepra, ama nuk e shprehin me fjalë.

Ky fenomen besoj se është vënë re edhe nga plot persona të tjerë dhe unë mendoj se ka ardhur koha të ndryshojë disi ky realitet. Çdo fëmijë duhet t’ia shprehë sa më shumë dashurinë prindërve dhe t’u kërkojë që edhe ata ta shprehin dashurinë që kanë për fëmijët. Mjafton vetëm një herë, pasi më vonë u bëhet rutinë. Nëse ne nuk i nxisim ta shprehin, do të mbeten të ngurtë. Dhe cilat do të jenë pasojat? Fëmijët sigurisht do e kuptojnë që prindërit i duan, ama do të rriten me po të njëjtin mentalitet. Do t’i rrisin edhe fëmijët e tyre pa ua shprehur dashurinë në mënyrë të hapur, me mendimin se ata do ta ndiejnë. Ndjesia nuk mjafton.

Shoqëria jonë në vite ka treguar se është e ftohtë. Ka ardhur momenti t’i ndryshojmë disi këto mendësi të ngulitura thellë dhe të tregojmë se ne dimë të duam dhe dimë ta shprehim dashurinë. Ndoshta jo si në telenovela apo romane, por edhe ashtu thjesht dhe bukur siç dimë, ama gjithsesi edhe ajo mënyrë të shprehuri do të jetë unike.

Back to top button