Sport

Nëse pandemia vazhdon, edhe Lojërat Olimpike Tokio 2021 do të anullohen

Lojërat Olimpike Tokio 2020 u shtynë, por edhe Lojërat Olimpike Tokio 2021 do të anullohen nëse pandemia e koronavirusit nuk vihet nën kontroll deri vitin e ardhshëm, paralajmëroi presidenti i komitetit organizativ.

Njoftimi u bë në një intervistë të martën me një të përditshme sportive japoneze, pasi ekspertët mjekësorë dyshuan se pandemia nuk mund të përmbahet sa duhet deri vitin e ardhshëm, për të realizuar një aktivitet ku marrin pjesë spektatorë nga e gjithë bota.

Pandemia tashmë ka detyruar organizatorët të bëjnë një shtyrje një vjeçare të Lojërave, të cilat tani janë planifikuar të hapen në 23 korrik 2021.

Por presidenti i Tokios 2020, Yoshiro Mori ishte kategorik kur u pyet nga e përditshmja Nikkan Sports nëse Lojrat mund të vonoheshin deri në vitin 2022 nëse pandemia mbetet një kërcënim vitin e ardhshëm, duke u përgjigjur: “Jo”.

Mori vuri në dukje se Lojërat ishin anuluar më parë vetëm gjatë kohës së luftës, dhe krahasoi betejën kundër koronavirusit me “luftimin e një armiku të padukshëm”. Nëse virusi përmbahet me sukses, “ne do ta mbajmë Olimpiadën në paqe verën e ardhshme”, shtoi ai.

Të martën, kreu i Shoqatës Mjekësore të Japonisë paralajmëroi se do të ishte “jashtëzakonisht e vështirë” të mbahen Lojërat vitin e ardhshëm nëse nuk është gjetur një vaksinë. “Unë nuk do të thoja që ato nuk duhet të mbahen, por do të ishte jashtëzakonisht e vështirë,” u tha Yoshitake Yokokura gazetarëve.

“Shumë pesimist”

Dhe javën e kaluar një ekspert mjekësor japonez i cili ka kritikuar reagimin e vendit ndaj koronavirusit paralajmëroi se ai ishte “shumë pesimist” se Olimpiada e shtyrë mund të mbahet në vitin 2021. “Për të qenë i sinqertë me ju nuk mendoj se Olimpiada ka të ngjarë të mbahet vitin e ardhshëm,” tha Kentaro Iwata, një profesor i sëmundjeve infektive në Universitetin Kobe.

“Japonia mund të jetë në gjendje të kontrollojë këtë sëmundje deri në verën e ardhshme, unë dëshiroj që të mundemi, por nuk mendoj se do të ndodhte kudo në botë, kështu që në këtë drejtim unë jam shumë pesimist për mbajtjen e Lojrave Olimpike verën e ardhshme.”

Por zëdhënësi i Tokios 2020 Takaya kundërshtoi ekspertët mjekësorë që thanë se ishte shumë herët për të dhënë një gjykim për një mundësi të tillë.

Zyrtarët japonezë dhe IOC kanë thënë që Lojërat do të jenë një shans për të festuar fitoren kundër virusit, me disa sugjerime që lufta pandemike madje mund të përfshihet në ceremoninë e hapjes.

Shtyrja e Lojërave është një sfidë e madhe logjistike dhe financiare,  por çmimi përfundimtar për vonesën është ende i paqartë.

Në intervistë, Mori tha që organizatorët po konsideronin mbajtjen e ceremonive të përbashkëta të hapjes dhe mbylljes së Lojërave Olimpike dhe Paralimpiadës në përpjekje për të ulur kostot.

“Do të jetë një ulje e konsiderueshme e kostove dhe një mesazh i madh i fitores kundër krizës globale, por nuk është e lehtë,” tha Mori. / bota.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close
Close