Psikologji

Nga libri “Magjia” i Rhonda Byrne: “Zgjidhja e çdo problemi është mirënjohja”

Ky është ndoshta një nga fragmentet më të bukur në librin “Magjia” të autores së librit të mirënjohur “Sekreti”, Rhonda Byrne. Ju ftojmë ta lexoni dhe pse jo, të mbani edhe shënime për t’i vënë më pas në zbatim në jetën tuaj:

“Mirënjohja është kura më e mirë për të përmirësuar marrëdhëniet e vështira ose të prishura, shëndetin e dobët, gjendjen e vështirë financiare dhe trishtimin. Mirënjohja heq frikën, zhduk shqetësimet, plagët shpirtërore e depresionin dhe u jep njerëzve lumturi, qartësi mendimi, durim, mirësi, dashuri, mirëkuptim dhe qetësi shpirtërore. Mirënjohja iu jep zgjidhje problemeve dhe ju jep mundësi të realizoni ëndrrat tuaja.

Mirënjohja është ajo që bën të mundur çdo sukses. Ajo u hap dyert ideve dhe zbulimeve të reja; dhe provë për këtë janë shkencëtarët gjenialë, Njutoni dhe Ajnshtajni. Imagjinoni sikur të gjithë shkencëtarët të kishin ecur në gjurmët e tyre. Përpara njerëzimit do të ishin shfaqur mundësi të jashtëzakonshme për mirëkuptim, zhvillim dhe përparim. Kufizimet që ekzistojnë tani do të ishin tejkaluar me kohë. Në teknologji, në fizikë, në mjekësi, në psikologji, në astronomi dhe në çdo shkencë tjetër do të ishin bërë zbulime që do t’i kishin dhënë njerëzimit një pamje krejt të ndryshme nga ajo që ka sot.

Sikur mirënjohja të bëhej një lëndë e detyrueshme në shkollë, ne do të kishim një brez tjetër fëmijësh, që do ta çonte qytetërimin e sotëm drejt arritjesh e zbulimesh të papara e të padëgjuara ndonjëherë. Një brez i tillë do t’i bënte pluhur e hi mosmarrëveshjet midis njerëzve, shteteve, kombeve dhe etnive të ndryshme, nuk do të kishte më luftëra dhe bota më në fund do të jetonte në paqe të përhershme.

Udhëheqësit dhe popujt e atyre kombeve që në të ardhmen do të jenë në pararojë, do të jenë më mirënjohësit. Mirënjohja e popujve të atyre kombeve do të bëjë që ekonomitë e tyre të lulëzojnë e të pasurohen në mënyrë të paparë. Sëmundshmëria do të ulet në mënyrë të konsiderueshme, prodhimtaria dhe bizneset do të arrijnë majat e zhvillimit, paqja dhe lumturia do të mbretërojë në të gjithë vendin. Varfëria do të zhduket e nuk do të ketë më njeri të uritur, sepse një komb mirënjohës nuk do ta lejonte kurrë një gjë të tillë.

Sa më shumë njerëz ta zbulojnë e ta përdorin forcën magjike të mirënjohjes, aq më shpejt do ta pushtojë ajo botën. Për herë të parë bota do të njohë një revolucion me emrin MIRËNJOHJE”. / bota.al

Leave a Reply

Back to top button