Covid19 specialeMAIN

Prognoza: Pjesa më e madhe e botës do të përballet me Covid19, pa një vaksinë

“Do të ketë një valë të dytë dhe do të jetë shumë e rëndë”

Klaus Stohr u ka kërkuar qeverive për shumë vite, që të përgatiten për mundësinë e një pandemie.

Në 2003, ai luajti një rol kryesor në një hetim të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, që identifikoi shpejt një koronavirus si shkakun e SARS. Stohr gjithashtu dha alarmin mbi potencialin pandemik të gripit të shpendëve, duke bërë bashkë vende dhe kompani në një tryezë, për të rritur prodhimin e vaksinave në rast se fillonte të përhapej gjerësisht tek njerëzit.

Me Covid-19, i cili ka vrarë pothuajse 600,000 njerëz, bota përballet me krizën së cilës virologu i është trembur prej kohësh. Stohr, i cili la OBSH për t’u bashkuar me prodhuesin e medikamenteve Novartis AG në vitin 2007 dhe doli në pension disa vjet më parë, ofron një pamje të kthjellët. Më poshtë, biseda e tij me Bloomberg:

Bloomberg: Si e shihni mundësinë që pandemia të përparojë, përpara se një vaksinë të jetë e mundur të prodhohet?

Stohr: Sjellja epidemiologjike e këtij virusi nuk do të jetë aq e ndryshme nga sëmundjet e tjera të frymëmarrjes. Gjatë dimrit, ato kthehen. Do të ketë një valë tjetër, dhe do të jetë shumë e rëndë. Më shumë se 90% e popullsisë është e prekshme. Nëse nuk shtrëngohemi përsëri në një izolim serioz ose masa të ngjashme, virusi do të shkaktojë një shpërthim të konsiderueshëm. Dimri po vjen para vaksinës. Do të ketë një rritje të rasteve dhe do të ketë probleme në frenimin e pandemisë, sepse njerëzit nuk duken shumë pranues për më shumë kufizime në lëvizjen dhe lirinë e tyre.

Bloomberg: Kur parashikoni se mund të vijnë vaksinat?

Stohr: Vende si Gjermania mund të kenë një sasi të konsiderueshme vaksinash deri në fillim të vitit të ardhshëm dhe një stok, që mund të zgjasë katër, pesë, gjashtë muaj për të moshuarit. Strategjia mund të jetë e ndryshme për një vend si Brazili, Argjentina apo Kili, që mund të mos marrin kurrë qoftë edhe një dozë të vetme vaksine dhe akoma duhet të përballojnë pandeminë. Bota do të ndahet në dy grupe, ato me vaksina dhe ato pa vaksina.

Bloomberg: Si e shihni imunitetin në të gjithë botën, kur të vijnë vaksinat dhe sëmundja të vazhdojë përhapjen?

Stohr: Unë do të supozoja se nga mesi i vitit të ardhshëm një pjesë e konsiderueshme e botës do të ketë antitrupa. Kjo do të rritet gradualisht me kalimin e kohës. Atëherë do të ketë një valë të tretë, dhe kur të përfundojë kjo, unë do të mendoja se 80% e botës mund të kenë antitrupa nëse nuk vendosen izolime, gjë që e dyshoj.

Bloomberg: Çfarë do të thotë kjo për vaksinat në zhvillim?

Stohr: Jemi në një vështirësi të madhe. Ne duhet të hedhim të gjitha burimet që kemi, për zhvillimin e një vaksine. Nga ana tjetër, besoj se logjika na thotë që vaksinat nuk do të jenë në dispozicion për shumicën e botës. Mund të ketë, deri në fund të këtij viti ose fillimin e vitit të ardhshëm, gjysmë miliardë doza në dispozicion. Popullsia botërore është 7.5 miliardë. Veçanërisht në ato vende që kanë infrastrukturë të pamjaftueshme dhe luftojnë me sistemet e tyre të kujdesit shëndetësor dhe kanë një popullsi të madhe, çfarë vaksine do të kenë?

Bloomberg: Një numër grupesh, përfshirë OBSH, janë duke u përqëndruar në qasjen e barabartë. A nuk do të ndihmojnë për të zgjidhur ato shqetësime?

Stohr: Do të ishte e papërgjegjshme të mos bëhej asgjë. Sidoqoftë, shumica e popullsisë botërore nuk do të marrë një vaksinë. Virusi do të vazhdojë të përhapet dhe mund të kalojnë dy deri në tre vjet, para se virusi të prekë një shumicë të madhe të popullatës. Nuk është vaksina që do t’i japë fund pandemisë. Virusi do t’i japë fund kësaj pandemie duke djegur çdo pjesë të drurëve të thatë që do të gjejë. Zjarri nuk do të ndalet, para se të jetë prekur personi i fundit i prekshëm. Atëherë shtrohet pyetja se çfarë roli do të luajë çdo vaksinë pas kësaj.

Bloomberg: Ju dukeni optimist, se studiuesit do të kenë sukses në prodhimin e vaksinave. Si i vlerësoni perspektivat dhe rreziqet e mundshme?

Stohr: Koronavirusi nuk është një virus veçanërisht i vështirë për t’u trajtuar. Edhe vaksinat konvencionale mund të ndryshojnë, dhe ne kemi qasje të ndryshme, vaksinat vektoriale, mRNA. Kjo është shumë premtuese.

Në të kaluarën, kur është futur një vaksinë, ka patur një rritje graduale të përdorimit të saj, në numrin e njerëzve të imunizuar, dhe nëse del diçka, madje edhe ngjarje shumë të rralla, ato do të vërehen mjaft herët. Por këtu, një vaksinë do të përdoret në sasi të mëdha, ndoshta qindra miliona doza, në një periudhë relativisht të shkurtër, gjashtë muaj deri në një vit. Pra, pyetja është nëse ka ndonjë gjë që mund të mbetet në vaksinë, e cila nuk mund të zbulohet në testimin e sigurisë në shkallë të gjerë, gjatë procesit të miratimit.

Mund të godiste shumë, shumë njerëz. Nëse imunizoni 500 milion, dhe është vetëm 1 në një milion i prekur, ende keni një numër të konsiderueshëm njerëzish që mund të kenë probleme të sigurisë, kështu që kjo është diçka që duhet të adresohet. Por duhet të balancohet shqetësimi për ndikimin e sëmundjes, kundrejt shqetësimit të ndikimit të mundshëm të përdorimit të vaksinës.

Bloomberg: Ju keni thënë që vendet duhet të përshtasin strategjitë e tyre. Cila është qasja më e mirë që qeveritë mund të adoptojnë?

Stohr: Ne duhet të gjejmë një mënyrë për të hapur komunitetet, në një mënyrë që mbështet objektivin tonë mjekësor afatgjatë, që është numri sa më i vogël i viktimave në kohë, duke e ditur që nuk mund të shmangim përhapjen e infeksionit. Nuk ka asnjë mjet tjetër në dispozicion. Nëse keni një problem mjekësor, fjala vjen, nëse shkoni për ski, thyeni këmbën, krisni ligamentin, nuk ka problem, shkoni te mjeku dhe e rregulloni. Këtu nuk ka “rregullim”.

Ne duhet të jetojmë me këtë virus dhe duhet të gjejmë mënyrën e duhur për t’u siguruar që, kur e gjithë kjo të ketë kaluar, të mund të kthejmë kokën mbrapa dhe të themi se kemi bërë më të mirën për të parandaluar vdekjen dhe sëmundjet. Por ne nuk mund të bëjmë politikën e strucit dhe të shpresojmë se do të ndodhë ndonjë mrekulli dhe virusi do të zhduket. Strategjia perfekte nuk është e disponueshme.

Bloomberg: Ju keni trajtuar viruse të tjera, nga SARS deri te gripi i shpendëve, a ka ndonjë mësim nga e kaluara që është i rëndësishëm sot?

Stohr: Që nga viti 2003 ne kemi folur për planifikimin pandemik. Disa vende i zhvilluan këto plane dhe i përdorën ato. Unë besoj se ata që kishin një plan të mirëfilltë pandemik ishin disa hapa përpara. Por ka akoma vende pa plan. Mësimi është që duhet bërë gati plani pandemik.

Mund të jetë e qartë se vetëm ata që do të kenë prodhimin e vaksinave në territorin e tyre do të kenë qasje në vaksinat gjatë pandemisë. Shpresoj se nuk do të shkojë kështu, por kam frikë se po. Kjo shpresojmë se do të rezultojë në më shumë investime në gatishmërinë ndaj pandemisë dhe gatishmërinë e vaksinave në vitet e ardhshme, në mënyrë që pandemia tjetër të adresohet më mirë se kjo. / Bloomberg – Bota.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close
Close