Bota

“SPY CABLES” – Prapa skandalit, kriza mes SHBA dhe Izraelit

Këta dokumenta mund të jenë bërë publikë nga dikush që përpiqet të ruajë paqen në Lindjen e Mesme. Qoftë në Tokën e Shenjtë, qoftë në Iran. Ose nga dikush që po përpiqet të eleminojë Netanjahun në prag të zgjedhjeve të marsit. Ose nga vetë Obama, i lodhur prej lojërave të presidentit izraelit. Dyshime dhe pikëpyetje që do të mbeten të tillë deri sa të dalin dokumenta dhe dëshmitarë të rinj

Netanyahu obama israelSpy Cables, ose më saktë shpërndarja e materialeve top secret që mes të tjerave kishin të bënin edhe me Mossadin dhe CIA-n, rrezikon të ndikojë fort zgjedhjet izraelite që mbahen në 17 mars. Nuk është rastësi që këta dokumenta, që flasin për Mossadin por që nuk janë të Mossadit, janë bërë publikë pikërisht ndërkohë që klima elektorale ka ardhur duke u ndezur.
Haaretz, për shembull, ka publikuar një artikull interesant mbi 145 mijë dollarët që Bibi Netanjahu i ka dhënë në vitin 2002 një personi që, për momentin mbetet i panjohur. Goditje mbas goditjeje për presidentin aktual. Përse? Përse Al Jazeera, The GUardian dhe Haaretz po e sulmojnë pa mëshirë kryeministrin?
Netanjahu del nga një fushatë elektorale shumë popullore: pasi është vënë në rolin e baby sitter-it (ose më mirë, Bibi sitter) të kombit, më pas u transformua në drejtorin ekopshtit, i vendosur të vërë në radhë “fëmijët” e zhurmshëm si Naftali Bennet dhe Avigdor Lieberman. Por është videoja e fundit elektorale e Netanjahut që mund të na ndihmojë të kuptojmë arsyen përse dokumentat janë nxjerrë: fjalët e shkruajtura në hebraishte dalin mbi flamurin amerikan dhe një zë në sfond thotë: nëse Ben Gurioni nuk do të ishte përplasur me Kongresin amerikan, tani Izraeli nuk do të ekzistonte.
Ja pra një pikë e re që mund të na ndihmojë për të kuptuar Spy Cables. Marrëdhëniet mes Izraelit dhe SHBA nuk kanë qenë kurrë në gjendje kaq të keqe. Në janar, John Boehner, udhëheqës republikan, ka ftuar Netanjahun që të flasë në Kongres. Argumenti? Arsenali bërthamor i Iranit. Kryeministri pranoi me dëshirë që të merrte pjesë, por dicka shkoi keq.
Konferenca e Netanjahut, e parashikuar për në 11 shkurt, u shty për në 3 mars. Obama nuk dinte asgjë për këtë ftesë dhe sapo u vu në dijeni, u xhindos dhe refuzoi ta takojë Netanjahun. Arsye diplomatike, thuhet. Nuk është mirë që një prej kandidatëve në zgjedhjet e ardhshme të takojë presidentin amerikan. Obama e ka kaq zët Netanjahun, saqë në këtë mund të krahasohet vetëm me presidentin francez, Hollande, i cili ende nuk ka arritur të kapërdijë praninë (pothuajse me forcë) të kryeministrit izraelit gjatë marshimit të protestës për vrasjet në Charlie Hebdo.
Por t’u kthehemi marrëdhënieve mes SHBA dhe Izraelit. Ndërkohë që Netanjahu, që në vitin 2012 angazhohej për të shtyrë fajkonjtë kundër Teheranit, Mossadi ndiqte një politikë më të moderuar, sic e konfirmojnë edhe dokumentat që kanë dalë tashmë. Irani “nuk po kryen veprimtarinë e nevojshme për prodhimin e armëve”. Në atë rast, Haaretz shkruajti për sfidë të Mossadit ndaj Netanjahut. Sigurisht që ishte një përplasje ballore.
Tani mbetet të kuptohet kujt i ka volitur më shumë publikimi i këtyre dokumentave. Disa media shkruajnë se “zbulimet e Spy Cables mund t’i volisin presidentit amerikan”, pasi do të justifikonin ndërhyrjen diplomatike, dhe jo luftarake, ndaj Iranit.
Si konkluzion: këta dokumenta mund të jenë bërë publikë nga dikush që përpiqet të ruajë paqen në Lindjen e Mesme. Qoftë në Tokën e Shenjtë, qoftë në Iran. Ose nga dikush që po përpiqet të eleminojë Netanjahun në prag të zgjedhjeve të marsit. Ose nga vetë Obama, i lodhur prej lojërave të presidentit izraelit. Dyshime dhe pikëpyetje që do të mbeten të tillë deri sa të dalin dokumenta dhe dëshmitarë të rinj. /Il Giornale/
www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button