Lifestyle

8 gjëra që ia vlen t’i mbani mend, kur gjithçka shkon keq

E vërteta është se lumturia nuk është mungesa e problemeve, por aftësia për t’i zgjidhur ato. Kërkoni gjithmonë që të shihni atë që keni, dhe jo atë që keni humbur. Sepse nuk ka rëndësi ajo që bota merr prej jush; rëndësi ka ajo që bëni me atë që ju ka mbetur. Mbani mend këto 8 këshilla:

1. Dhimbja është pjesë e rritjes

Ndonjëherë jeta mbyll dyert, sepse është koha për të ecur përpara. Dhe kjo është një gjë e mirë, sepse ne shpesh nuk lëvizim, nëse rrethanat nuk na detyrojnë. Kur jeta bëhet e vështirë, kujtojini vetes se nuk ka dhimbje që vjen pa një qëllim. Lini pas atë që ju ka lënduar, por kurrë mos harroni mësimin që keni nxjerrë prej saj. Vetëm fakti që po luftoni mes vështirësish, nuk do të thotë që ju jeni duke dështuar. Çdo sukses i madh kërkon një lloj lufte që vlen, për të arritur atje. Gjërat e mira marrin kohë. Jini të durueshëm dhe mbesni pozitivë. Çdo gjë do të vijë aty ku duhet: ndoshta jo menjëherë, por në fund do të ndodhë. Mos harroni se ka dy lloje dhimbjeje: dhimbje që ju dhemb dhe dhimbje që ju ndryshon. Kur “rrokulliseni” përpara bashkë me jetën, në vend se t’i rezistoni asaj, të dy llojet ju ndihmojnë të rriteni.

2. Çdo gjë në jetë është e përkohshme

Sa herë bie shi, vjen një kohë që ai ndalet. Çdo herë që lëndoheni, vjen një kohë që shëroheni. Pas errësirës ka gjithmonë dritë – për këtë ju kujtoheni çdo mëngjes, por gjithësesi shpesh e harroni, dhe në vend të kësaj, zgjidhni të besoni se nata do të zgjasë përgjithmonë. Por, asgjë nuk zgjat përgjithmonë. Pra, nëse gjërat shkojnë mirë tani, tgëzojuni. Kjo nuk do të zgjasë përgjithmonë. Nëse gjërat shkojnë keq, mos u shqetësoni, sepse nuk do të zgjasë përgjithmonë. Vetëm për shkak se jeta nuk është e lehtë në këtë moment, nuk do të thotë që ju s’mund të qeshni. Vetëm fakti që diçka ju mërzit, nuk do të thotë që ju nuk mund të buzëqeshni. Çdo moment ju jep një fillim të ri dhe një fund të ri. Ju merrni një shans të dytë, çdo sekondë. Vetëm rrokeni dhe nxirrni më të mirën prej tij.

3. Shqetësimi dhe ankimi nuk ndryshojnë asgjë

Ata që ankohen më shumë, arrijnë më pak. Është gjithmonë më mirë që të përpiqeni të bëni diçka të madhe dhe të dështoni, sesa të mos bëni asgjë dhe të keni sukses. Nëse keni humbur, nuk do të thotë se ka marrë fund; ka marrë fund, kur ju nuk bëni asgjë, por vetëm ankoheni në lidhje me të. Nëse ju besoni në diçka, vazhdoni përpiquni. Mos lejoni hijet e së kaluarës të errësojnë pragun e të ardhmes tuaj. Nëse e kaloni të sotmen duke u ankuar për të djeshmen, nuk do ta bëni të nesërmen më të ndritur. Në vend të kësaj, veproni. Lëreni atë që keni mësuar, t’ju përmirësojë mënyrën si jetoni. Bëni një ndryshim dhe mos shihni kurrë pas. Dhe pa marrë parasysh se çfarë ndodh në afat të gjatë, mos harroni se lumturia e vërtetë fillon vetëm kur ju ndaleni së ankuari për problemet tuaja dhe filloni të jeni mirënjohës për të gjitha problemet që nuk i keni.

4. Shenjat e plagëve tuaja janë simbol i forcës tuaj

Mos kini kurrë turp nga plagët që jeta ju ka lënë. Një shenjë plage nënkupton që dhimbja ka ikur, dhe plaga është e mbyllur. Kjo do të thotë se ju e keni mundur dhimbjen, keni nxjerrë një mësim, jeni më të fortë, dhe po ecni përpara. Një shenjë plage është tatuazh i një triumfi, për të cilën duhet të jeni krenarë. Mos lejoni plagët tuaja t’ju mbajnë peng. Mos i lejoni t’ju bëjnë ta jetoni jetën tuaj në frikë. Ju nuk mund të bëni shenjat në jetën tuaj të zhduken, por ju mund të ndryshoni mënyrën se si i shihni ato. Ju mund të filloni duke i parë plagët tuaja, si një shenjë force dhe jo dhimbjeje. Rumi ka thënë: “Plaga është vendi ku drita hyn tek ju”. Asgjë nuk mund të jetë më afër të vërtetës. Nga vuajtjet kanë dalë shpirtra të fortë; personazhet më të fuqishëm në këtë botë të madhe janë të mbushur me plagë. Shihni plagët e tua si një shenjë që ju thotë: “Po! Ia dola! Kam mbijetuar dhe kam plagët që e vërtetojnë! Dhe kam një shans të forcohem më shumë!”

5. Çdo betejë e vogël është një hap përpara

Në jetë, durimi nuk ka të bëjë me pritjen; është aftësia për të ruajtur një sjellje dhe qasje të mirë, ndërkohë që punon fort për ëndrrat, duke e ditur që ia vlen. Kështu që nëse do të provoni, kushtojini kohë dhe shkoni deri në fund. Mund të kërkojë të mos hani dhe flini atje ku jeni mësuar, për javë të tëra. Mund të kërkojë që të largoheni shumë nga zona juaj e rehatisë. Mund të kërkojë sakrifikim marrëdhëniesh dhe gjërash që i keni familjare. Mund të kërkojë që të pranoni t’ju vënë në lojë. Mund të kërkojë shumë kohë në vetmi. Por, vetmia, është dhuntia që i bën gjërat e mëdha të mundura. Ju jep hapësirën që ju nevojitet. Çdo gjë tjetër është një provë e vendosmërisë suaj, se sa shumë e doni në të vërtetë. Dhe nëse e doni, do ta bëni, pavarësisht dështimit dhe shanseve kundra. Dhe në secilin hap do të ndiheni më mirë. Do të kuptoni se përpjekja dhe lufta nuk gjendet në rrugë, ajo është vetë rruga. Dhe ia vlen. Kështu që nëse do të provoni, shkoni deri në fund. Nuk ka ndjesi më të mirë në botë…

6. Negativiteti i të tjerëve nuk është problemi juaj

Jini pozitivë kur ju rrethon negativiteti. Buzëqeshni kur të tjerët përpiqen t’ju ulin poshtë. Eshtë mënyrë e lehtë për të ruajtur entuziasmin dhe fokusin. Kur të tjerët ju trajtojnë keq, vazhdoni të jini vetja. Mos lejoni kurrë që hidhësia e dikujt tjetër, të ndryshojë personin që ju jeni. Nuk mund t’i merrni gjërat si shumë personalisht, edhe nëse duket si personale. Rrallëherë njerëzit i bëjnë gjërat për shkak tuaj. I bëjnë gjërat për veten e tyre. Mbi të gjitha, mos ndryshoni asnjëherë vetëm për t’i bërë përshtypje dikujt që thotë se nuk jeni të mirë sa duhet. Ndryshoni sepse kjo ju bën më të mirë dhe ju shpie në një të ardhme më të mirë. Njerëzit do të flasin, pavarësisht asaj që ju bëni dhe sa mirë e bëni. Kështu që, merakosuni për veten para se të merakoseni për atë që mendojnë të tjerët. Nëse besoni fort në një gjë, mos kini frikë të luftoni për të. Forca e madhe vjen kur kapërceni atë që të tjerët mendojnë se është e pamundur.

7. Ajo që është “e shkruar” do të ndodhë

Forca e vërtetë vjen kur ju keni kaq shumë për të qarë dhe ankuar, por preferoni të buzëqeshni dhe të vlerësoni jetën tuaj. Ka bekime të fshehura në të gjithë betejat që ju bëni, por duhet të jeni të gatshëm të hapni zemrën dhe mendjen për to. Nuk mund t’i detyroni gjërat të ndodhin. Nëse përpiqeni vetëm sa do të cmendeni. Në një pikë duhet të hiqni dorë dhe të lini të ndodhë atë që është për të ndodhur. Në fund, të duash jetën do të thotë të besosh intuitën tënde, të rrokësh shanset, të humbasësh dhe gjesh lumturinë, të vlerësosh kujtimet, dhe të mësosh përmes eksperiencës. Eshtë një udhëtim i gjatë. Duhet të ndalni së merakosuri, dhe së dyshuari për cdo hap që hidhni. Qeshni me konfuzionin, jetoni me vetëdije momentin, dhe shijojeni jetën tuaj teksa shpaloset. Mund të mos përfundoni ekzaktësisht atje ku kishit ndërmend të shkonit, por me siguri do të mbërrini atje ku keni nevojë që të jeni.

8. Gjëja më e mirë që mund të bëni është të vazhdoni të ecni përpara

Mos kini frikë të ringriheni, të provoni përsëri, të jetoni përsëri, të ëndërroni përsëri. Mos lejoni që një mësim i vështirë t’jua bëjë zemrën gur. Mësimet më të mirë në jetë shpesh mësohen në kohët më të këqia dhe nga gabimet më të rëndë. Mund të ketë kohë kur ju duket sikur të gjithë gjërat shkojnë keq. Dhe mund të ndiheni sikur do të thitheni përgjithmonë në këtë vorbull, por jo. Kur ndiheni sikur doni të hiqni dorë, mbani mend se gjërat ndonjëherë duhet të shkojnë keq, para se të shkojnë mirë. Ndonjëherë duhet të kaloni nëpër më të keqen, për të mbërritur tek më e mira juaj. Po jeta është e vështirë, por ju jeni më të fortë. Gjeni forcën dhe qeshni përditë. Gjeni kurajën për t’u ndjerë ndryshe. Bëni të tjerët të buzëqeshin. Mos u stresoni për gjërat që nuk mundeni t’i ndryshoni. Jetoni thjeshtë. Jetoni bujarisht. Thoni të vërtetën. Punoni fort. Edhe nëse nuk ia dilni një herë, vazhdoni të ecni. Vazhdoni të rriteni. /Brightside – www.bota.al

Show More

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close
Close