Speciale

Adami I dhe Adami II: Lufta e përjetshme brenda nesh

Screen Shot 2015-05-25 at 16.48.09Nga David Brooks*

Pjesë nga hyrja e librit “Rruga drejt karakterit”

Kohët e fundit kam menduar shumë, në lidhje me “virtutet e rezymesë”, dhe “virtutet e eulogjisë”. Virtutet e rezymesë janë ata që i rendit në rezymenë tënde, aftësitë që ti sjell në tregun e punës dhe që kontribuojnë për suksesin e jashtëm. Virtutet e eulogjisë janë më të thellë. Janë virtutet për të cilët flasin në funeralin tënd, ata që ekzistojnë në bërthamën e qenies tënde – pra nëse je i mirë, trim, i ndershëm apo besnik; çfarë lloj marrëdhëniesh ke formuar.

Shumica prej nesh do të thoshin se virtutet e eulogjisë janë më të rëndësishëm se sa virtutet e rezymesë, por më duhet të pranoj, se në periudha të gjata të jetës sime, kam kaluar më shumë kohë duke menduar për të dytët dhe jo të parët. Sistemi ynë arsimor, sigurisht që është i orientuar drejt virtuteve të rezymesë, më shumë se sa atyre të eulogjisë. Edhe debati publik – këshillat për të ndihmuar vetveten që jepen në revista, librat më të shitur. Shumica prej nesh kemi strategji më të qarta se si të arrijmë sukses në karrierë, se sa për mënyra si mund të zhvillojmë një karakter të thellë.

Një libër që më ka ndihmuar shumë të mendoj për këta dy grupe virtutesh është “Vetmitari i besimit”, që është shkruajtur nga Rabini Joseph Soloveitchik në vitin 1965. Soloveitchik shkruante se ka dy rrëfime për Zanafillën, dhe argumentonte se këta të dy përbëjnë dy anët e kundërvëna të natyrës sonë, që ai e quante Adami I dhe Adami II. Duke modernizuar pak kategoritë e Soloveitchikut, ne mund të themi se Adami I është ana ambicioze, e orientuar nga karriera, e natyrës sonë. Adami I është Adami i jashtëm, Adami i rezymesë. Adami I dëshiron të ndërtojë, të krijojë, të prodhojë dhe zbulojë gjëra. Ai dëshiron të ketë status të lartë dhe të arrijë fitore.

Adami II është Adami i brendshëm. Adami II dëshiron të mishërojë cilësi morale të caktuara. Adami II dëshiron të ketë një karakter të brendshëm të qetë, një sens të qetë por të fortë të të drejtës dhe të gabuarës – jo vetëm të bëjë mirë, por të jetë i mirë. Adami II dëshiron të dashurojë në mënyrë intime, të sakrifikohet në shërbim të të tjerëve, të jetojë duke iu bindur një të vërtete të epërme, të ketë një shpirt të brendshëm koheziv që nderon krijimin dhe mundësitë e njeriut.

Ndërkohë që Adami I dëshiron të pushtojë botën, Adami II dëshiron t’i bindet një thirrjeje për t’i shërbyer botës. Ndërkohë që Adami I është krijues dhe i shijon arritjet e tij, Adami II ndonjëherë heq dorë nga suksesi dhe statusi, për hir të një qëllimi të shenjtë. Ndërkohë që Adami I pyet se si funksionojnë gjërat, Adami II pyet përse ekzistojnë gjërat, dhe në fund të fundit, përse jemi këtu. Ndërkohë që Adami I dëshiron të marrë përsipër duke ecur përpara, Adami II dëshiron të kthehet tek rrënjët e tij dhe të shijojë ngrohtësinë e një dreke apo darke familjare. Ndërkohë që motoja e Adamit II është “Suksesi”, Adami II e përjeton jetën si një dramë morale. Motoja e tij është: “Bëj mirë, dashuro dhe clirohu”. Soloveitchiku argumentonte se ne jetojmë në kontradiktën mes këtyre dy Adamëve. Adami i jashtëm, i mrekullueshëm dhe Adami i brendshëm, i përulur, nuk janë plotësisht të pajtueshëm. Jemi përjetësisht të mbërthyer në këtë konfrontim brenda nesh. Ne na kërkohet të jemi të dy këta persona, dhe duhet të zotërojmë dhe përsosim artin e të jetuarit përgjithmonë me këtë tension midis këtyre dy natyrave.

Pjesa e vështirë e këtij konfrontimi, do të shtoja, është se Adami I dhe II jetojnë sipas logjikave të ndryshme. Adami I – Adami krijues, ndërtues dhe zbulues – jeton sipas një logjike të drejtpërdrejtë utilitare. Eshtë logjika e ekonomisë. Input-i çon drejt output-it. Përpjekja të çon drejt shpërblimit. Praktika të përsos. Ndiq interesin vetiak. Maksimizo dobinë tënde. Bëji përshtypje botës.

Adami II jeton sipas një logjike të kundërt. Eshtë një logjikë morale, jo ekonomike. Duhet të japësh, që të marrësh. Duhet t’i dorëzohesh diçkaje jashtë vetes tënde, për të fituar forcë brenda vetes tënde. Duhet ta mposhtësh dëshirën për të marrë atë që dëshiron. Suksesi të çon tek dështimi më i madh, që është krenaria. Dështimi të çon tek suksesi më i madh, që është përulësia dhe mësimnxënia. Që të përmbushësh vetveten, duhet ta harrosh vetveten. Që të gjesh vetveten, duhet ta humbasësh vetveten.

Për të ushqyer karrierën e Adamit I, ka kuptim që të kultivosh pikat e tua të forta. Që të ushqesh bërthamën morale të Adamit II, është e domosdoshme të përballesh me dobësitë e tua.
Ne jetojmë në një kulturë e cila ushqen Adamin I, Adamin e jashtëm, dhe neglizhon Adamin II. Jetojmë në një shoqëri që na inkurajon të mendojmë se si të kemi një karrierë të madhe, por e lë shumë prej nesh të pafjalë, për mënyrën si duhet të kultivojmë jetën e brendshme. Konkurrenca për të patur sukses dhe fituar admirimin është kaq e fortë, saqë të konsumon. Tregu konsumator na nxit të jetojmë sipas një përllogaritjeje utilitare, të kënaqim dëshirat tona dhe të humbasim sysh peshën morale të vendimeve tanë të përditshëm. Zhurma e komunikimeve të shpejtë dhe të cekët e bën më të vështirë të dëgjosh tingujt më të qetë që burojnë nga thellësitë. Ne jetojmë në një kulturë që na mëson të nxisim dhe reklamojmë vetveten, si dhe të përsosim aftësitë që nevojiten për të patur sukses, por kjo ofron hsumë pak nxitje për përulësinë, simpatinë dhe vetë-konfrontimin e ndershëm, që janë të domosdoshëm për të ndërtuar karakterin.

Nëse je vetëm Adami I, ti shndërrohesh në një kafshë mendjemprehtë, një krijesë dinake, e cila ruan vetveten dhe që është e zonja të luajë lojën dhe që e shndërron gjithcka në lojë. Nëse je vetëm Adami I, ti kalon shumë kohë duke kultivuar aftësitë profesionale, por nuk e ke idenë për burimet e kuptimit në jetë, kështu që nuk e di se ku duhet t’i orientosh aftësitë e tua, cila rrugë karriera do të ishte më e larta dhe më e mira. Vitet kalojnë, dhe pjesët e tua më të thella mbeten të paeksploruara dhe të pastrukturuara. Je gjithë kohës i zënë, por ke një lloj ankthi disi të paqartë se jeta jote nuk ka arritur kuptimin dhe domethënien finale.

Jeton mërzinë e pavetëdijshme, nuk dashuron me të vërtetë, nuk je me të vërtetë i lidhur me qëllimet moralë që i japin vlerë jetës. Të mungojnë kriteret e brendshëm për të marrë angazhime të palëkundur.

… Që të jem i ndershëm, këtë libër e kam shkruajtur për të shpëtuar shpirtin tim. Ky libër është për Adamin II.
Kam lindur me një ërje të natyrshme drejt cektësisë. Tani punoj si ekspert dhe editorialist. Paguhem për të qenë një goditës narcizist, që të hedh në ajër mendimet e mi, që të shfaqem me më shumë vetëbesim për ta nga sa jam në të vërtetë, të dukem më i zgjuar nga sa jam në të vërtetë, të shfaqem më i mirë dhe më autoritar nga sa jam në të vërtetë. Mua më duhet të punoj më shumë se shumica e njerëzve për të shmangur një jetë sipërfaqësore. Jam bërë gjithnjë e më i vetëdijshëm që, ashtu si shumë njerëz sot, kam jetuar një jetë me aspirata morale të paqarta – paqartësi në dëshirën për të qenë i mirë, paqartësi në dëshirën për t’i shërbyer një qëllimi më të madh, ndërkohë që më ka munguar një fjalor moral konkret, një kuptim i qartë se si duhet të jetoj një jetë të brendshme të pasur, apo edhe një dijeni e qartë se si zhvillohet karakteri dhe si arrihet thellësia.

Kam zbuluar që, pa një fokusim rigoroz tek pjesa e Adamit II e natyrës sonë, është e lehtë të rrëshkasësh në një mediokritet moral vetëkënaqësie. Gjithmonë e vlerëson vetveten duke e falur pa kushte. Ndjek dëshirat e tua kudo që ato të çojnë. Arrin në përfundimin që, nëse njerëzve përreth ti u pëlqen, atëherë je aq i mirë sa duhet. Dhe në ndërkohë, përfundon duke u shndërruar dalëngadalë në diçka më pak mbresëlënëse nga sa kishe shpresuar fillimisht. Hapet një hendek turpërues mes vetes tënde reale dhe vetes që ti do të dëshiroje të ishe. Ti kupton se zëri i Adamit I është i lartë, por zëri i Adamit II është i mbytur; plani i jetës i Adamit I është i qartë, por plani i jetës së Adamit II është i rrëmujshëm; Adami I është vigjilent, Adami II po fle në këmbë.

E kam shkruajtur këtë libër jo duke qenë i sigurtë se mund të ndjek rrugën drejt karakterit, por dëshiroja që të paktën të dija se si duket ajo rrugë, dhe si e kanë përshkuar të tjerët…

Pjesë nga hyrja e librit të David Brooks “Rruga drejt karakterit”. David Brooks është editorialist i New York Times

 


 

Leave a Reply

Back to top button