Ekonomi

Ekonomia franceze do të tkurret me 11% pas shokut të koronavirusit

Ekonomia franceze pritet të tkurret në shfriën rekord prej 11 përqindësh këtë vit për shkak të krizës së shkaktuar nga koronavirusi, kjo shifër është më e keqe se parashikimi i mëparshëm i qeverisë për një tkurrje prej 8 përqindësh, tha të martën Ministri i Financave Bruno Le Maire.

“Shoku është shumë brutal,” i tha Le Maire radios RTL, megjithëse ai gjithashtu tha: “Unë jam absolutisht i sigurt që do ta kapërcejmë përsëri në 2021.” Franca vendosi disa nga masat më të rrepta të Evropës përballë Covid-19 në mes të marsit dhe filloi heqjen e kufizimeve në 11 maj. Kafenetë, baret dhe restorantet u lejuan të rihapnin të martën por në Paris janë lejuar të hapen vetëm ambjentet e jashtme.

“Ne u goditëm shumë nga virusi, morëm masa efektive për të mbrojtur shëndetin e popullit francez, por ekonomia praktikisht u ndal për tre muaj,” tha Le Maire. “Ne do të paguajmë këtë,” tha ai. Me rreth 300,000 kafene dhe restorante të rihapura të martën, Le Maire tha se ata do të vazhdojnë të përfitojnë nga ndihmat qeveritare deri në fund të vitit për të ndihmuar në mbulimin e kostove. “Pjesa më e vështirë është akoma përpara nesh si në aspektin social ashtu edhe në atë ekonomik”, tha Le Maire.

Qeveria ka rishikuar në mënyrë progresive dëmet e shkaktuara nga pandemia dhe vlerësimi i fundit do t’u dërgohet ministrave në 10 qershor. Javën e kaluar, agjensia zyrtare e statistikave INSEE paralajmëroi se tkurrja ekonomike do të ishte shumë më e madhe se vlerësimi i mëparshëm i qeverisë prej tetë përqindësh. Le Maire tha të martën se qeveria po përpiqet të shmangë një sërë falimentimesh, duke kërkuar blerës për zinxhirët e mëdhenj të veshjeve Camaieu, Conforama dhe La Halle, të cilat punësojnë mijëra njerëz. Ministri ka shpallur këtë muaj planet mbështetëse për sektorin e turizmit dhe industrinë e makinave. Ai tha se masat për industrinë e aviacionit do jenë gati javën e ardhshme dhe sektori i ndërtimit do të pasonte më pas. France 24 / bota.al

Leave a Reply

Back to top button