Analiza

“Fytyra e terrorit”. Kush është lideri i “Boko Haram”

Boko HaramAi është Fytyra e Terrorit. Një lider i pamëshirshëm me një ideologji të çmendur. Dhe arkitekti sadist i një fushate masakrash dhe histerie. Megjithatë, shumë pak gjëra dihen për Abubakar Shekaun, lideri i Boko Haramit. Ai vepron në hije, duke lënë vartësit që të orkestrojnë urdhërat e neveritshëm që jep. Rishfaqet herë pas here me mesazhe të filmuar për të vënë në lojë pafuqinë e ushtrisë nigeriane. Dhe përdor fenë e tij për të rekrutuar ata që magjepsen pas kauzës së tij.

Studiues fetar

Shekau ka lindur në fshatin Shekau në kufi me Nigerin. Ka studiuar i ndjekur nga një klerik dhe më pas ka vazhduar kolegjin e shtetit Borno për Studime Ligjore dhe Islamike si dhe studime të larta për Islamin. Për këtë arsye njihet edhe si “Darul Tawheed”, që përkthehet ekspert i monoteizmit, apo unicitetit të Allahut.

Poliglot

Ai flet rrjedhshëm disa gjuhë: Hausa, Fulani, Kanuri dhe arabisht. Por anglishtja nuk është njëra prej tyre. Në fund të fundit, ai udhëheq një grup që refuzon gjithcka perëndimore.

I pakapshëm

Edhe mosha e tij është e panjohur. Vlerësimet variojnë nga 38 në 49 vjec. Në të dhënat e Departamentit të Shtetit të SHBA, ditëlindja e tij është shënuar 1965, 1969 dhe 1975.

Vetmitar

Analistët e përshkruajnë Shekaun si vetmitar dhe mjeshtër i maskimit. Nuk u flet direkt pjesëtarëve, duke zgjedhur të komunikojë vetëm përmes një grushti të besuarish. Përdor shumë nofka: Abu Bakr Skikwa, Imam Abu Bakr Shiku dhe Abu Muhammad Abu Bakr Bin Muhammad Al Shakwi Al Muslimi Bishku, mes të tjerave.

Eshtë një Nr.2 i padisiplinuar

Boko Haram u themelua nga Mohammed Yusuf, një klerik karizmatik dhe i arsimuar që ngiste një Mercedes, ndërkohë që bënte përpjekje për krijimin e një shteti të pastër Islamik në Nigeri. Nuk ishte shumë i zoti si lider dhe e kishte shumë të vështirë të mbante nën kontroll numrin 2 të organizatës. Shekau ishte më radikal dhe kishte projekte më të mëdhenj.

… dhe një Nr. 1 i pamëshirshëm

Mohammed Yusuf u vra gjatë një aksioni policor në vitin 2009, bashkë me 700 ndjekës të tij. Drejtimin e mori Shekau. Ai u betua të hakmerret dhe grupi i tij nuk ka kursyer askënd: punëtorë të qeverisë, policë, gazetarë, fshatarë, studentë dhe të krishterë. Human Rights Watch vlerëson se në pesë vitet e fundit, janë vrarë mbi 3000 vetë.

I rikthyer nga të vdekurit

Ushtria nigeriane e ka shpallur disa herë të vdekur, por më pas ka tërhequr deklaratat e veta pasi ai është shfaqur në videomesazhe bindës. Në fakt, pothuajse e kapën në shtator 2012 kur kryen një aksion në shtëpinë e tij, aty ku ishte kthyer tinëz për të marrë pjesë në ceremoninë e vënies së emrit të fëmijës 6-ditësh, sipas International Crisis Group. Arriti të largohet me vetëm një plumb në këmbë. E shoqja dhe tre fëmijë u morën prej ushtrisë.

Përdor Islamin për të rekrutuar dhe radikalizuar

Verilindja, zona ku Boko Haram ka qenë më aktive është në depresion ekonomik dhe ndër rajonet më pak të arsimuara të Nigerisë. Shekau ka bërë një punë të mirë duke bindur banorët se pushteti në Abuja është i korruptuar dhe një sistem më i mirë qeverisjeje do të ishte vënia në zbatim e Ligjit të Sharias në të gjithë Nigerinë. Dhe premtimi i tij, bashkë me një armë dhe një lejë për të plaçkitur, ka qenë joshës për mijëra të rinj.

…dhe reagimi i qeverisë nuk po ndihmon

Fushata e rëndë qeveritare, por pa objektivë të qartë, vetëm sa ka ndihmuar pë shtuar numrin e anëtarëve të Boko Haram. Komisioni i të Drejtave të Njeriut në Nigeri akuzoi vitin e kaluar ushtrinë për vrasje arbitrare, tortura dhe përdhunime në fushatën e saj kundër grupit. Kjo gjë ka bërë një territor pjellor për Boko Haramin.

Ai eksporton markën e tij të terrorit

Nuk ka ende prova bindëse që Boko Haram ka ambicie përtej Nigerisë. Por fushata e saj e terrorit është shtrirë në pjesët e largëta të Kamerunit dhe duket se ka lidhje joformale me grupe militantësh islamikë në Mali dhe në Niger.

Ka realizuar premtimet që ka dhënë

Në maj 2013, nëpërmjet një videomesazhi Shekau deklaroi se do të fillonte të rrëmbente vajza të reja. Rrëmbimet, tha ai do të ishin hakmarrje ndaj forcave nigeriane të sigurisë, që rrëmbejnë bashkëshortet dhe fëmijët e anëtarëve të grupit. Ngjarja më e tmerrshme ndodhi muajin që kaloi kur grupi rrëmbeu 276 vajza nga një shkollë vetërm për femra. “Unë rrëmbeva vajzat tuaja”, tha ai me një buzëqeshje të frikshme në një videomesazh të ri që u shfaq këtë javë. “Ka një treg për shitjen e qenieve njerëzore. Allahu thotë që duhet të shes. Ai më komandon të shes”.

Ka një shpërblim 7 milionë dollarë për kokën e tij

Shekau ka qenë në radarin e zyrtarëve amerikanë që kur mori drejtimin në vitin 2009. Në qershor të vitit që kaloi, SHBA vendosi një shpërblim për kokën e tij, duke ofruar shpërblim 7 milionë dollarë për informacione që çojnë në gjetjen e vendndodhjes së liderit të Boko Haramit.

Por ende nuk ka rezultate

Sepse, thotë korrespondentja ndërkombëtare e CNN, Christiane Amanpour: “Ka patur për vite të tërë një shperblim për kokën e liderit afrikan të militantëve Joseph Kony. Edhe me videon “Stop Kony” që u përhap me shpejtësi të jashtëzakonshme, asgjë nuk ka ndodhur dhe për të kapur Joseph Konyn, edhe pse është e vetmja gjë në Afrikë ku SHBA ka angazhuar trupa dhe spiunazh. Osama bin Ladeni nuk u kap prej shpërblimit 25 milionë dollarësh…” CNN

Leave a Reply

Back to top button